< Heb 13 Jak 2 >
Lexim prej letrës së Shën Jakobit(Jak 1)
1

1 Jakobi, shërbëtori i Hyjit dhe i Jezu Krishtit Zot: dymbëdhjetë fiseve të shpërndara anë e kënd nëpër botë: shëndet.

Feja dhe urtia

2 Çmoni për gëzim të vërtetë, vëllezërit e mi, kur t’iu ndodhë të sprovoni çdo lloj vështirësie,

3 duke e ditur se prova e fesë suaj lind qëndrueshmërinë.

4 Por qëndresa le të ushtrohet me përpikëri që të jeni të përkryer dhe të përsosur pa farë të mete.

5 Në qoftë se ndokujt prej jush i mungon urtia, le t’ia lypë Hyjit, i cili gjithkujt i jep me ëndje e pa fjalë, dhe do t’i jepet. 6 Por le ta kërkojë me fe të gjallë, pa farë dyshimi; sepse ai që dyshoni përngjan valës së detit që e çon peshë era dhe e përplas.

7 Njeriu i tillë të mos mendojë se do të marrë gjë prej Zotit 8 – njeriu me dy mendje, i paqëndrueshëm në të gjitha udhët e veta.

Varfëria dhe pasuria

9 Vëllai me prejardhje të ulët le të mburret me lartësimin e tij,

10 kurse pasaniku për përvujtërimin e tij, sepse do të mbarojë porsi lulja e barit.

11 Lindi dielli me vapën e vet, e thau barin dhe lulja e tij u vyshk: hijeshia e fytyrës u zhduk. Kështu do të thahet edhe pasaniku në ndërmarrjet e veta.

Prova dhe tundimi

12 Lum ai njeri që pëson tundim, sepse, pasi t’i qëndrojë provës, do të fitojë kurorën e jetës të premtuar atyre që e duan Hyjin.

13 Askush që është i tunduar të mos thotë: »Hyji më tundon«, sepse Hyji nuk mund të jetë i tunduar për të keq dhe Ai nuk tundon askënd.

14 Por secili tundohet nga lakmimi i vet, i prirur dhe i ngashnjyer.

15 Lakmimi pastaj i mbarsur, lind mëkatin, dhe mëkati, si të kryhet, lind vdekjen.

16 Mos u tradhtoni, vëllezërit e mi të dashur:

17 Çdo dhuratë e mirë dhe çdo dhunti e përsosur është prej së larti, zbret nga Ati i dritës, në të cilin nuk ka ndërrim as hije dyshimi.

18 Ai na lindi në saje të vullnetit të vet nëpër fjalën e së vërtetës, që ne të jemi një farë fryti i parë i krijesave të tij.

Të dëgjohet dhe të zbatohet fjala

19 Dijeni mirë, vëllezërit e mi të dashur, këtë gjë: çdo njeri le të jetë i shpejtë për të dëgjuar, i ngadalshëm për të folur dhe i ngadalshëm për zemërim.

20 Sepse zemërimi i njeriut nuk e kryen drejtësinë e Hyjit.

21 Prandaj, flakni tej çdo ndyrësi dhe çdo të keqe tjetër e me plot butësi pranoni fjalën e mbjellë në ju, e cila është e aftë t’i shpëtojë shpritrat tuaj.

22 Bëhuni zbatues të fjalës e jo vetëm dëgjues që gënjejnë vetveten.

23 Sepse, në qoftë se dikush e dëgjon fjalën, por nuk e zbaton, ai i përngjan njeriut që e shikon fytyrën e vet në pasqyrë:

24 e pa veten, shkoi e menjëherë harroi se si qe.

25 Ndërsa ai që e vëren ligjin e përsosur - atë të lirisë – e, në qoftë se i përvishet jo thjesht si dëgjues i habitur, por si zbatues i veprës, ky do ta gjejë lumturinë e vet në ushtrimin e tij.

26 Në qoftë se ndokush e mban veten për besimtar e nuk i vë fre gjuhës së vet, por e gënjen zemrën e vet, besimi i tij është i kotë.

27 Besimi i pastër dhe i patëmetë para Hyjit Atë është ky: kujdesi për bonjakë dhe për gra të veja në vështirësitë e tyre dhe ruajtja e pastër e vetvetes nga kjo botë.



Fjala e Zotit