< Is 59 Is 61 >
Lexim prej librit të Isaise(Is 60)
60

1 Ngrihu, shkëlqe, se po vjen drita jote,

mbi ty po lind Lavdia e Zotit!

2 Sepse tokën po e mbulon terri

dhe një errësirë e madhe popujt,

kurse mbi ty, dritë bën Zoti

e Lavdia e tij mbi ty, do të shihet!

3 Në dritën tënde, do të ecin popujt

edhe mbretërit, në lindjen e shkëlqimit tënd.

4 Lartësoji përreth sytë e tu e shiko:

të gjithë këta po mblidhen, te ti po vijnë.

bijtë e tu po vijnë prej së largu,

bijat e tua para duarsh po i sjellin.

5 Atëherë do të shikosh, fytyra do të të ndriçojë,

zemra do të të rrahë e do të të zgjerohet,

sepse pasuritë e detit do të zbrazen te ti,

të mirat e popujve do të vijnë te ti.

6 Mori gamilesh do të të mbulojnë,

gamile njëgungëshe nga Madiani e Efa.

Të gjithë do të vijnë nga Saba,

ar e kem do të sjellin

e do t’i këndojnë lavde Zotit.

7 Të gjitha grigjat e Cedarit, do të

grumbullohen për ty,

deshtë e Nabajotit, do të jenë në shërbim tënd;

do të ngjiten si fli e pëlqyeshme mbi lterin tim

dhe do ta lavdëroj Shtëpinë e Lavdisë sime.

8 Kush janë ata që po fluturojnë si retë,

porsi pëllumbat në çerdhet e veta?

9 Janë ishujt që më presin,

në krye me anije të Tarsit,

për t’i sjellë bijtë e tu prej së largu

e bashkë me ta, argjendin e arin e tyre,

në nder të emrit të Zotit tënd, Hyj,

në nder të Shenjtit të Izraelit që të lavdëroi.

10 Të huajt do t’i ndërtojnë muret e tua,

mbretërit e tyre do të jenë shërbëtorët e tu.

Në zemërimin tim unë të pata goditur,

por në mirësinë time pata mëshirë për ty.

11 Të hapura do të jenë vazhdimisht dyert e tua,

jo, nuk do të mbyllen ditë as natë,

që të shtiehet te ti pasuria e popujve

e të sillen mbretërit e tyre.

12 Popujt e mbretëritë që s’do të të shërbejnë ty,

do të sharrojnë, plotësisht do të zhduken.

13 Te ti do të vijë nderi i Libanit,

qiparis, vidh e bredh së bashku,

për ta stolisur vendin e Shenjtërores sime,

po, të lavdishëm do ta bëj vendin ku i vë këmbët!

14 Te ti do të vijnë kokulur bijtë e atyre

që të kanë përvujtëruar,

përmbys do të bien para këmbëve të tua

të gjithë ata që të përbuznin

dhe do të të quajnë Qyteti i Zotit,

Sioni i Shenjtit të Izraelit.

15 Pasi qe lënë shkretë dhe e urryer

e askush nëpër ty s’kalonte,

unë do të të bëj krenarinë e shekujve,

gëzimin e breznive të breznive.

16 E ti do pish qumështin e popujve,

do të gëzosh pasurinë e mbretërve

dhe do ta dish se unë jam Zoti, Shpëtimtari yt,

Shpërblyesi yt, i Pamposhturi i Jakobit!

17 Në vend të bronzit, do të sjell ar,

në vend të hekurit, argjend,

në vend të druve, bronz

e në vend të gurëve, hekur.

Paqen do ta vë rojtarin tënd

e Drejtësinë kryetarin tënd.

18 Më s’do të flitet për dhunë në vendin tënd,

as shkretim e ndrydhje në kufijtë e tu;

“Shpëtim” do t’i quash muret e tua

e “Lavdi” dyert e tua!

19 Më s’do të jetë dielli ai që do të ndriçojë ditën,

as drita e hënës nuk do të të shndritë natën,

por do të jetë Zoti, drita jote e përhershme,

dhe Hyji yt do të jetë shkëlqimi yt!

20 S’do të perëndojë më dielli yt,

as hëna më s’do të errësohet,

sepse Zoti do të jetë për ty dritë e amshueshme

dhe fund do të marrin ditët e zisë sate.

21 Populli yt do të jetë popull të të drejtësh,

për amshim do ta trashëgojnë Vendin,

pinjollë prej meje të mbjella,

vepër e duarve të mia

për ta dëftuar lavdinë time.

22 Prej më të voglit do të shtohen një mijë,

prej të pakëtit një popull i fortë.

Unë Zoti, në kohën e duhur,

do të nxitoj ta bëj këtë.



Fjala e Zotit