< Is 43 Is 45 >
Lexim prej librit të Isaise(Is 44)
44

1 E tani dëgjo, Jakob, shërbëtori im,

ti, o Izrael, i zgjedhuri im!

2 Kështu thotë Zoti që të krijoi,

që të dha trajtë që në kraharor,

Ndihmëtari yt:

“Mos ki frikë, shërbëtori im Jakob,

i dashuri im që vetë të kam zgjedhur.

3 Do të dikoj ujëra mbi tokë të etshme,

përrenj përmbi tokë të thatë;

shpirtin tim do ta dikoj mbi farën tënde,

bekimin tim mbi pasardhësit e tu:

4 do të rriten si bari bri burimit,

porsi shelgjet pranë ujit që rrjedh.

5 Njëri do të thotë: ‘I Zotit jam unë!’,

Jakob tjetri do ta quajë veten.

Prapë një tjetër do të shkruajë me dorë të vet:

‘Jam i Zotit!’ e do të quhet

me emër Izrael!”

6 Kështu thotë Zoti, Mbreti i Izraelit,

Shpëtimtari i tij, Hyji i Ushtrive:

“Unë jam i pari dhe unë i sprasmi,

përveç meje Hyj tjetër nuk ka!

7 Kush është porsi unë?

le të dalë përpara e le të thotë,

të ma shtjellojë!

Kush e parakallëzoi të ardhmen prej kohëve të lashta?

Le të na lajmërojë se ç’do të ndodhë!

8 Mos u trembni as mos u hutoni,

vallë, a s’jua lajmërova e s’jua zbulova që moti?

Ju jeni dëshmitarët e mi!

Pse a ka Hyj përveç meje?

Jo, s’ka Qetë që unë do ta njihja!”

9 Të gjithë punuesit e idhujve janë një asgjë dhe veprat e tyre të çmueshme nuk do t’u vlejnë asgjë. Dëshmitarët e tyre nuk shohin as nuk marrin vesh që t’i mbulojë turpi.

10 Kush punoi ndonjë idhull e shkriu ndonjë trupore e nuk kërkon fitesë?

11 Ja, të gjithë ndjekësit e tyre do të mbeten të turpëruar. Vetë punuesit e tyre s’janë veçse njerëz. Le të bashkohen të gjithë e le të dalin përpara: do të tremben e do të marrosen njëherësh.

12 Farkëtari e punon sakicën në prush, me çekiç i jep trajtën, me dorë të fuqishme e trajton; pëson uri, fuqia i lodhet, ujë nuk pi dhe lodhet e këputet.

13 Gdhendësi në dru e shtrin gjedhen, e shënon atë me thumbat e punon pastaj atë me dalta e me përgjel dhe trajton një fytyrë njeriu, një figurë të bukur njeriu për ta vënë në tempull.

14 Pret për vete cedrat, merr një ilqe ose një lis që qëndronin mes lëndëve të pyllit; ose ka mbjellë një pishë që e ushqen shiu.

15 Këto janë bërë që njeriu t’i djegë; i merr njeriu ndonjë prej tyre për t’u ngrohur, i ndez dhe pjek bukë. Por, prej tyre punon zotin dhe e adhuron, punon një trupore e bie përmbys para saj!

16 Gjysmën e saj e djeg në zjarr, mbi prush pjek mishin, ha mishin e pjekur e kënaqet, nxehet e thotë: ‘Oh bre, ç’u ngroha, u kënaqa bri zjarrit!’

17 Kurse me tepricën e saj punoi zotin, trupore për vete; bie përmbys para saj dhe e adhuron dhe i lutet duke thënë: ‘Më shpëto, sepse je zoti im!’

18 Gjë nuk dinë as nuk kuptojnë: sytë u janë verbuar që të mos shohin, edhe zemra që të mos kuptojnë.

19 Të tillët nuk mendojnë me mendjen e vet, u mungon dija dhe kuptimi që të thonë: “Me gjysmën e këtij druri e kam ndezur zjarrin dhe poqa mbi prushin e saj bukën, poqa mishin dhe hëngra, po a thua prej gjysmës tjetër do të punoj këtë turp? Do bie përmbys para cungut të drusë?”

20 Ushqehet me hi; e tradhtoi zemra e gabuar, nuk di të librohet e të thotë: “Po a nuk është një gjë e rreme kjo që mbaj në dorë?”

21 Kujtoje këtë gjë, Jakob,

edhe ti, o Izrael, se je shërbëtori im!

Unë të kam trajtuar, je shërbëtori im,

o Izrael, ti nuk do të më gënjesh!

22 I kam humbur porsi renë fajet e tua,

porsi mjegullën mëkatet e tua,

kthehu tek unë,

sepse të kam shpërblyer.

23 Galdoni, o qiej, sepse Zoti e bëri këtë gjë,

gëzohuni, thellësitë e tokës,

thuajani këngës së lavdit, o male,

edhe ju, o pyje, me të gjithë drurët tuaj,

sepse Zoti e shpërbleu Jakobin,

në Izrael e dëftoi lavdinë e vet!

24 Kështu thotë Zoti, Shëlbuesi yt,

Ai që të trajtoi në kraharorin e nënës:

Unë jam Zoti, Krijuesi i gjithësisë,

Ai që i vetëm i shtriu qiejt,

dhe e rrafshova tokën! Kush qe me mua?

25 I asgjësoj shenjat e shortarëve,

magjistarët i bëj të marrë,

i shtrëngoj të dijshmit që të tërhiqen,

në marrëzi e shndërroj dijen e tyre,

26 por e përforcoj fjalën e shërbëtorit tim

dhe i plotësoj synimet e kasnecëve të mi.

Unë i them Jerusalemit: “Mbushu me banorë!”,

dhe qyteteve të Judës: “Ndërtohuni!”

e rrënojat e tij do t’i ndërtoj.

27 Unë i them detit: “Shkretohu,

lumenjtë e tu unë do t’i thaj!”

28 Unë them për Cirin: “Bariu im është,

gjithçka unë dua ai do ta çojë në vend!” 

Unë i them Jerusalemit: “Ndërtohu!”,

i them Faltores: “Prej themelesh do të ndërtohesh!”



Fjala e Zotit