< Is 38 Is 40 >
Lexim prej librit të Isaise(Is 39)
39

1 Në atë kohë Merodak Baladani, biri

i Baladanit, mbreti i Babilonisë, i dërgoi Ezekisë letër dhe dhurata, sepse kishte dëgjuar se kishte qenë i sëmurë dhe se ishte shëruar.

2 Ezekia u gëzua për këtë gjë dhe të dërguarve u dëftoi dhomën e visarit të vet, argjendin, arin, erërat e mira, vajrat e erëndshëm, arsenalin e armëve të veta, gjithçka gjendej në thesaret e tij. Ezekia nuk la asgjë që kishte në thesar e në mbretëri pa ua treguar.

3 Atëherë profeti Isai hyri te mbreti Ezeki dhe i tha: “Çka thanë këta njerëz e prej nga erdhën te ti?” Ezekia iu përgjigj: “Erdhën tek unë nga një vend i largët, nga Babilonia.”

4 Isaia e pyeti: “Çka kanë parë në shtëpinë tënde?” Atëherë Ezekia u përgjigj: “Kanë parë gjithçka është në pallatin tim; s’ka asgjë në thesarin tim që nuk ua kam dëftuar.”

5 Atëherë Isaia i tha Ezekisë: “Dëgjoje fjalën e Zotit të gjithëpushtetshëm:

6 Ja, po vijnë ditët e do të merret gjithçka është në pallatin tënd, gjithçka bashkuan etërit e tu deri në ditën e sotme dhe do të çohet në Babiloni; thotë Zoti: asgjë nuk do të lihet.

7 Edhe prej djemve të tu, që do të rrjedhin prej teje, që do të lindin prej teje, do të merren e do të bëhen eunukë në pallatin e mbretit të Babilonisë.”

8 Ezekia i tha Isaisë: “Qenka e mirë fjala që Zoti ta paska thënë.” E mendonte: “Së paku gjatë jetës sime do të jetë paqe e siguri.”



Fjala e Zotit