< Is 37 Is 39 >
Lexim prej librit të Isaise(Is 38)
38

1 Ndër ato ditë u sëmur Ezekia për vdekje. Isaia profet, biri i Amosit, shkoi ta shohë e i tha: “Kështu thotë Zoti: ‘Jepi porositë e fundit familjes sate, se do të vdesësh e nuk do të jetosh.’“

2 Atëherë Ezekia u soll me fytyrë prej murit, iu lut Zotit

3 e tha: “Po të lutem, o Zot, deh të bie në mend se kam ecur në praninë tënde në besnikëri e me zemër të përsosur, se kam bërë atë që është e mirë para syve të tu.” Dhe Ezekia ia plasi thekshëm vajit.

4 Atëherë i qe drejtuar fjala e Zotit Isaisë profet:

5 “Shko e thuaji Ezekisë: ‘Kështu thotë Zoti, Hyji i tyt eti Davidit: E dëgjova lutjen tënde, i pashë lotët e tu, dhe, ja, unë po ua shtoj ditëve të tua edhe pesëmbëdhjetë vjet,

6 dhe do të të shpëtoj prej dorës së mbretit të asirianëve ty dhe këtë qytet e unë do ta mbroj këtë qytet.’

7 Dhe ja shenja prej Zotit për ty se Zoti do ta plotësojë fjalën që tha:

8 Ja, unë po bëj të kthehet hija e shkallëve për dhjetë shkallë prapa që bashkë me diell ka zbritur në orën e Akazit.” Dhe dielli u kthye dhjetë shkallë prapa nëpër shkallë që kishte zbritur.

9 Kënga e Ezekisë, mbretit të Judës, kur u sëmur dhe u shërua nga sëmundja e vet:

10 “Unë thosha: Në gjysmën e ditëve të mia

unë po shkoj në dyert e Nëntokës;

u luta për tepricën e viteve të mia.

11 Thashë: S’do ta shoh më Zotin Hyj

në tokën e të gjallëve,

nuk do të shoh më askënd

ndër banorët e kësaj bote.

12 Tenda ime qe zhgrehur e u hodh larg meje

porsi tenda e barinjve,

si vektari ma mbështolli jetën,

e prej shulit po më këput.

Prej mëngjesit deri në mbrëmje po më jep fund!

13 Përmbys klith deri në mëngjes,

porsi luani kështu m’i copëton të gjitha eshtrat:

prej mëngjesit deri në mbrëmje po më jep fund!

14 Cicërij si dallëndyshja,

gjëmoj porsi pëllumbesha;

sytë m’u këputën lart duke shikuar!

Ndore tënde, o Zot,

se jam shumë keq!

15 Çka t’i them e ç’do të më përgjigjet?

Është puna e tij!

Do t’i jap fund krejt jetës sime

në mjerimin e shpirtit tim.

16 O Zot, në ty shpresoftë zemra ime,

u gjallëroftë shpirti im:

më shëro e më përtërij në jetë,

17 ja, sëmundja ime u kthye në shëndet!

Ti shpëtove shpirtin tim

nga gropa e asgjësimit,

sepse i hodhe pas shpinës sate

të gjitha mëkatet e mia.

18 Sepse banesa e të vdekurve nuk të

lavdëron,

Vdekja ty lavde s’të këndon;

ata që zbresin në gropë

nuk shpresojnë më në besnikërinë tënde.

19 I gjalli, vetëm i gjalli, të lavdëron

siç po bëj edhe unë sot;

babai ua mëson fëmijëve

besnikërinë tënde.

20 Më shpëto, o Zot,

e ne do të të këndojmë me harpë

në të gjitha ditët e jetës sonë

në Shtëpinë e Zotit.”

21 Atëherë Isaia dha urdhër të sillet një bukëfike, t’ia vënë përmbi çiban e të shërohet.

22 Atëherë tha Ezekia: “Cila do të jetë shenja se njëmend do të mund të ngjitem në Shtëpinë e Zotit?”



Fjala e Zotit