1 Kur dëgjoi Ezekia mbret, i shqeu petkat e veta, u mbështoll me thes dhe hyri në Shtëpinë e Zotit.
2 Atëherë dërgoi Eliacimin, kryeoborrtarin e pallatit, Sobnën, sekretarin, dhe më pleqtë ndër priftërinj, të gjithë të veshur me grathore, te profeti Isai, biri i Amosit,
3 për t’i thënë: “Kështu thotë Ezekia: Kjo ditë është ditë ngushtice, qortimi e turpi! Erdhi koha të lindin fëmijët, por s’ka fuqi të lindë!
4 Ndoshta Zoti, Hyji yt, do t’i dëgjojë fjalët e rabsakut, që e dërgoi zotëria i tij, mbreti i asirianëve, për ta fyer Hyjin e gjallë e do ta ndëshkojë për fjalët që do t’i ketë dëgjuar Zoti, Hyji yt. Lartësoje tashti një lutje drejt tij për Tepricën që ende ka shpëtuar gjallë!”
5 Shërbëtorët e mbretit Ezeki shkuan tek Isaia.
6 Isaia u tha: “Kështu thuajini zotërisë suaj: Kështu thotë Zoti: Mos u tremb prej fjalëve që ke dëgjuar me të cilat blasfemuan kundër meje shërbëtorët e mbretit të Asirisë.
7 Ja se unë do t’i fryj në vesh e, posa të dëgjojë një lajm, do të kthehet në vendin e vet. Do të bëj që në vendin e vet të mbetet i vrarë nga shpata.”
8 Rabsaku u kthye dhe e gjeti mbretin e asirianve duke luftuar kundër Lobnës, sepse kishte dëgjuar se mbreti ishte larguar nga Lakisi,
9 pasi kishte marrë lajmin lidhur me Tarakën, mbretin e Etiopisë: “Ka dalë për të luftuar kundër teje.”
@@@
Kur e mori këtë lajm, dërgoi lajmëtarë tek Ezekia me këto fjalë:
10 “Kështu thuajini Ezekisë, mbretit të Judës: Të mos të rrejë Hyji yt, në të cilin ti shpreson, duke të thënë: ’S’do të lëshohet Jerusalemi në duar të mbretit të asirianëve.’
11 Ti e di se çka kanë bërë mbretërit e Asirisë me të gjitha vendet që i truan shfarosjes, e vetëm ti kujton se do të shpëtosh?!
12 A i shpëtuan hyjnitë e kombeve që i shpartalluan etërit e mi: gozanët, karranët, rezefët dhe bijtë e Edenit që ishin në Telasar?
13 Ku është mbreti i Ematit, mbreti i Arfadit, mbreti i qytetit të Sefarvaimit, Ana e Ava?”
14 Ezekia e mori letrën prej dorës së kasnecëve dhe e lexoi. U ngjit në Shtëpinë e Zotit dhe Ezekia e shtriu para Zotit.
15 Dhe Ezekia iu lut Zotit kështu:
16 “Zot i gjithëpushtetshëm, Hyji i Izraelit, ti që rri mbi kerubinë, ti je Hyji i vetëm i të gjitha mbretërive të tokës, ti që e ke krijuar qiellin e tokën:
17 prire, o Zot, veshin tënd e dëgjo. Hapi, o Zot, sytë e tu e shih e dëgjoji të gjitha fjalët e Senakeribit që i dërgoi për të blasfemuar Hyjin e gjallë.
18 Është e vërtetë, o Zot, se mbretërit e Asirisë i kanë shkatërruar popujt e vendet e tyre
19 dhe ia truan zjarrit zotat e tyre: por ata nuk ishin hyjni, por vepër e duarve të njerëzve: dru e gur; këndej edhe i zhdukën.
20 Por tani, o Zot, Hyji ynë, na shpëto prej dorës së tij dhe të gjitha mbretëritë e dheut do ta marrin vesh se ti, o Zot, je i vetmi Hyj.”
21 Isaia, biri i Amosit, dërgoi t’i thuhet Ezekisë: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Ti ma drejtove një lutje në lidhje me Senakeribin, mbretin e Asirisë:
22 ja, pra, fjala që Zoti tha kundër tij:
Po të përbuz, po të vë në lojë
virgjëra, Bija e Sionit.
Pas teje po e tund kokën
Bija e Jerusalemit!
23 Po kë blasfemove, kë vure në lojë?
Kundër kujt lartësove zërin
e i ngrite sytë me krenari?
Kundër Shenjtit të Izraelit!
24 Me anë të shërbëtorëve të tu
e blasfemove Zotin.
Ti the: ‘Me mbushulli të karrocave të mia
hipa në majë të bjeshkëve,
në kreshtat e Libanit;
i preva më të lartët cedra,
bredhat më të zgjedhurit,
i dola në majë të majës,
në pyllin e tij ku s’ra kurrë sëpata!
25 Çela e piva ujin e huaj,
me gjurmë të këmbëve të mia i thava
të gjithë lumenjtë që ka Egjipti!’
26 Dëgjo këtu!
Tanisa kohë e kam synuar,
që moti e sendërgjoj
e tani dua ta sendërtoj:
të takonte ty t’i shrrënjosje,
në grumbuj gurësh t’i ktheje qytezat!
27 Banorët e tyre si dorëcunga,
mendësh u morën e u tmerruan,
ishin porsi bari i fushës,
si gjelbërimi i njomë, si bar pullazesh,
që e than era e lindjes.
28 E di kur ngrihesh e kur ulesh,
kur del e kur kthehesh
e marrëzinë tënde kundër meje.
29 Kur ti shfryje në mëri kundër meje,
krenaria jote arriti në veshët e mi,
do ta vë rrethin në hundët e tua,
edhe në gojë do ta vë frerin
e do të të kthej udhës
prej nga erdhe!
30 E kjo gjë të të shërbejë për shenjë:
Sivjet të hahet çka të mund të mblidhet,
në vitin e ardhshëm çka vetë të mbijë;
vitin e tretë mbillni e korrni,
mbillni vreshta e hajuani frutat.
31 Kush të shpëtojë prej shtëpisë së Judës
rrënjët poshtë thellë do t’i lëshojë
e lart fruta do të japë.
32 Sepse prej Jerusalemit do të dalë Teprica,
të Shpëtuarit nga mali i Sionit.
Këtë do ta bëjë zelli i Zotit të
gjithëpushtetshëm.
33 Prandaj kështu thotë Zoti
në lidhje me mbretin e asirianëve:
‘Në këtë qytet ai nuk do të hyjë,
asnjë shigjetë në të s’do ta hedhë,
përballë tij as shqyt s’do të sjellë,
kundër tij llogor s’do të ngrejë.
34 Udhës prej nga erdhi andej do të kthehet
në këtë qytet ai nuk do të hyjë’‑
kështu thotë Zoti.
35 Këtë qytet do ta mbroj, do ta shpëtoj,
për nder të vetvetes
e të Davidit, shërbëtorit tim.”
36 Atëherë shkoi engjëlli i Zotit dhe i vrau në fushimin e asirianëve njëqind e tetëdhjetë e pesë mijë vetë. Në mëngjes, kur u ngritën, ishin të gjithë kufoma!
37 Atëherë Senakeribi, mbreti i asirianëve u ngrit e shkoi. U kthye në Ninivë.
38 E ndodhi që ndërsa ai po falej në tempullin e zotit të vet Nesrokut, Adrameleku e Sarasari, bijtë e tij, e goditën me shpatë dhe ikën në vendin Ararat.
Në vend të tij u bë mbret Asarhadoni, biri i tij.