< Is 35 Is 37 >
Lexim prej librit të Isaise(Is 36)
36

1 Të katërmbëdhjetin vit të mbretërimit të Ezekisë, Senakeribi, mbreti i asirianëve, i sulmoi të gjitha qytetet e fortifikuara të Judesë dhe i pushtoi.

2 Atëherë mbreti i Asirisë nga Lakisi e dërgoi rabsakun në Jerusalem te mbreti Ezeki me një ushtri të madhe. Ky zuri vend tek ujësjellësi i Liqenit të sipërm në udhën e fushës së Larësit të rrobave.

3 I dolën në takim Eliacimi, biri i Helcisë, kryekujdestari i oborrit, sekretari Sobna dhe këshilltari Joahe, biri i Asafit.

4 Rabsaku u tha: “Thuajini Ezekisë: Kështu thotë mbreti i madh, mbreti i Asirisë: Ç’është kjo siguri e madhe që po e tregon?

5 Ti mendon: ‘Mjafton një fjalë goje për të gjetur këshillë e forcë në luftë!’ Në kë pra, ti e ke vënë shpresën që je çuar kundër meje?

6 Ja, ti po mbështetesh tek Egjipti, tek ai kallam i thyer, tek i cili kush mbështetet, ia ther dorën dhe ia shporon: i tillë është faraoni, mbreti i Egjiptit, për të gjithë ata që shpresojnë në të.

7 Nëse do të më përgjigjesh: ‘Shpresojmë në Zotin, Hyjin tonë’, pse a nuk është ai, të cilit Ezekia ia hoqi lartësirat dhe lterët dhe i tha Judës e Jerusalemit: ‘Adhuroni vetëm para këtij lteri!’

8 Qiti bast, pra, zotërisë tim, mbretit të Asirisë, dhe unë do të jap dy mijë kuaj, nëse mund të gjesh kalorës për ta.

9 E si do të mund t’i bësh ballë vetëm edhe njërit ndër më të vegjlit shërbëtorë të zotërisë sim? Por ti e ke vënë shpresën në Egjiptin për karroca lufte e për kalorës!

10 E pastaj, a thua se unë jam nisur kundër këtij vendi për ta shkatërruar pa pëlqimin e Zotit? Vetë Zoti më tha: ‘Sulu kundër këtij vendi e shpartalloje!’“

11 Eliacimi, Sobna e Joaheu iu përgjigjën rabsakut: “Fol me shërbëtorët e tu aramaisht, sepse e marrim vesh këtë gjuhë e mos na fol hebraisht në praninë e popullit që është përmbi mure.”

12 Por rabsaku u përgjigj: “A thua më dërgoi zotëria im t’ia them këto fjalë zotërisë tënd dhe ty? Vallë, a jo më tepër te këta burra që rrinë përmbi mure, të cilët së shpejti do të jenë të shtrënguar bashkë me ju të hanë jashtëqitjet e veta dhe të pijnë ujët e vet?”

13 Atëherë u ngrit rabsaku e bërtiti me zë të lartë hebraisht e tha: “Dëgjojini fjalët e mbretit të madh, mbretit të Asirisë:

14 Kështu thotë mbreti: Të mos ju gënjejë Ezekia, sepse ai s’do të mund t’ju shpëtojë!

15 Mos lejoni t’jua mbushë mendjen Ezekia ta vini shpresën tuaj në Zotin duke ju thënë: ’Me siguri do të na shpëtojë Zoti; ky qytet nuk do të bjerë në dorë të mbretit të asirianëve!’

16 Mos e dëgjoni Ezekinë, sepse kështu thotë mbreti i asirianëve: ‘Lidhni miqësi me mua e dilni e më ndeshni, e secili prej jush do të hajë frytet e vreshtit të vet, secili fiqtë e vet dhe secili do të pijë ujët e cisternës së vet,

17 derisa të vij e t’ju marr për t’ju shpënë në një vend si i juaji, në një tokë që prodhon grurë e verë, në një vend buke e vreshtash.

18 Mos t’ju gënjejë Ezekia duke thënë: ‘Zoti do të na shpëtojë’! Pse a i shpëtuan hyjnitë pagane secila vendin e vet, nga dora e mbretit të Asirisë?

19 Ku janë zotat e Ematit e të Arfadit? Ku janë zotat e Sefarvaimit? Vallë, a e shpëtuan Samarinë nga dora ime?

20 Cilat, prej të gjitha hyjnive të këtyre vendeve, e shpëtuan vendin e vet prej dorës sime? Pse a do ta shpëtojë Zoti Jerusalemin prej dorës sime?”

21 Populli heshti e s’iu përgjigj asnjë fjalë, sepse mbreti kishte urdhëruar: “Mos iu përgjigjni!”

22 Atëherë kryekujdestari i oborrit mbretëror, Eliacimi, biri i Helcisë, sekretari Sobna dhe Joaheu, biri i Asafit, si shqyen petkat, shkuan tek Ezekia dhe ia treguan fjalët e rabsakut.



Fjala e Zotit