< Is 27 Is 29 >
Lexim prej librit të Isaise(Is 28)
28

1 Vaj për kurorën e të dehurve të Efraimit,

për lulen e vyshkur, stolinë e saj krenare,

për ata që ishin në krye të luginës pjellore,

të marrakotur nga vera!

2 Ja, prej Zotit i dërguar një njeri i fortë,

si reja me breshër, si vorbulla me stuhi,

si rrjedha e ujërave të shumta vërshuese,

gjithçka për tokë përplas me përdhuni!

3 Me këmbë do të shkelmohet

kurora krenare e Efraimit,

4 dhe lulja e vyshkur, stolia e saj krenare,

që është në krye të luginës pjellore,

do të jetë porsi fiku i pjekur para vere,

që posa dikush e sheh,

menjëherë e vjel me dorë

dhe e përlan!

5 Por atë ditë Zoti i Ushtrive do të jetë

kurora e lavdishme,

dhe keza e shkëlqyeshme

për Tepricën e popullit të vet,

6 shpirti i drejtësisë për atë

që rri në ndenjësen e gjyqtarit

dhe forcë e guxim për ata

që e zmbrapsin sulmin në derë!

7 Po se edhe këtyre këmbët po u merren,

ço e rrëzo për shkak të të dehurit përkunden,

të dehur lëkunden priftërinj edhe profetë,

vera i bëri për vete,

të dehur këmbët u merren,

të tupitur në vegim,

të përkundur në gjykim.

8 Të gjitha tavolinat

plot janë me të vjella të ndyta,

s’ka më asnjë vend të pastër!

9 “Kujt ai kështu ia mëson urtinë?

Kujt ai kështu ia shtjellon vegimin?

A thua foshnjave të hequra nga qumështi,

a thua foshnjave posa të larguara nga parzmat?”

10 Sepse përsërit:

“Ligj mbi ligj e ligj mbi ligj,

rregull mbi rregull e rregull mbi rregull,

pak këtu e pak atje!”,

11 me buzë belbacuke, në gjuhë të huaj

i flet këtij populli

12 ai që u kishte pasë thënë:

“Ja, pushimi! Jepini pushim të lodhurit!

Ja qetësia!”,

por s’deshën të dëgjojnë!

13 Prandaj Zoti kështu do t’u thotë:

“Ligj mbi ligj e ligj mbi ligj,

rregull mbi rregull e rregull mbi rregull,

pak këtu e pak atje!”

që të shkojnë e të bien në kokërr të shpinës,

që të thërmohen, të zihen në leq e të kapen!

14 Prandaj dëgjojeni fjalën e Zotit,

ju o përqeshës,

që zotëroni mbi popullin tim

që është në Jerusalem.

15 Ju thoni: ‘Kemi bërë lidhje me Vdekjen,

jemi marrë vesh me Nëntokën;

kur të kalojë shuplaka përmbytëse,

ne nuk do të na kapë,

sepse shpresën tonë e kemi vënë në rrenë

dhe jemi fshehur në dredhi.’

16 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj:

‘Ja, unë do të vë për themel një gur në Sion,

gur të sprovuar, këndor,

të çmueshëm, të themeluar;

kush të besojë s’do të marrakotet.

17 Të drejtën do ta bëj masë

e drejtësinë plumç;

dhe breshri do ta rrënojë strehimin tuaj të gënjeshtrës

e ujët do ta vërshojë vendin e fshehjes.

18 Do të zhbëhet lidhja juaj me Vdekjen

dhe marrëveshja juaj me Nëntokën s’do të qëndrojë!

Kur të kalojë shuplaka vërshuese

përmbi ju ajo do të shkelë;

19 sa herë që të kalojë, përpara do t’ju marrë;

do të kalojë çdo mëngjes,

ditë e natë:

vetëm tmerri do të bëjë

të merret vesh porosia.’

20 Tepër i shkurtër do të jetë shtrati

për t’u shtrirë njeriu,

tepër e ngushtë do të jetë mbuloja

për t’u mbuluar.

21 Sepse, porsi mbi malin Farasim Zoti do të ngrihet,

porsi në luginën e Gabaonit do të zemërohet,

për ta kryer veprën e vet ‑ veprën e jashtëzakonshme,

për ta bërë punën e vet ‑ punën e vet të mrekullueshme.

22 E tani pushoni së përqeshuri,

që të mos ju shtrëngojnë edhe më tepër prangat,

sepse prej Zotit, Hyjit të Ushtrive,

dëgjova urdhrin e shkatërrimit

kundër mbarë botës.

23 Ma vini veshin e dëgjojeni zërin tim,

me kujdes dëgjojeni bisedën time.

24 A thua nuk lëron gjithë ditën bujku për të mbjellë,

a s’e thyen e s’e trinon arën e vet?

25 E pasi ia rrafshon sipërfaqen

a s’mbjell qiqër, nuk e qet morajën,

nuk e hedh grurin e elbin,

e anëve të arës thekrën?

26 Të veprojë drejtë dijen ia jep,

e mëson Hyji i tij.

27 Sepse qiqra nuk shihet me trinë,

as moraja me rrotë qerri,

por me thupër shihet qiqra

e me shkop rrahet moraja.

28 Pse a thua gruri grimcohet?

Jo, pse s’shihet pa mbarim:

s’e grimcon rrota e qerrit,

as s’thërmohet nga thundrat e kuajve.

29 Edhe kjo patjetër vjen

prej Zotit, Hyjit të Ushtrive,

që është në këshill i mrekullueshëm,

i madhërueshëm për nga dija.



Fjala e Zotit