< Is 15 Is 17 >
Lexim prej librit të Isaise(Is 16)
16

1 Dërgojani qengjin sunduesit të vendit,

nga Qeta e shkretëtirës

në malin e bijës së Sionit!

2 Porsi shpendi që merr arratinë,

porsi zogjtë të ikur nga çerdhja,

do të jenë bijat e Moabit

në vatë e Arnonit.

3 Jep këshillë,

merr vendim!

Në mesditë bëje si natë hijen tënde,

fshehi të ikurit,

mos i tradhto të arratisurit!

4 Të dëbuarit e Moabit

bëj strehim te ti të gjejnë!

Ji ti për ta strehim

përballë shfarosësit!

Sepse fund mori skllavëruesi,

shpartallimi mori fund,

nga vendi ndrydhësi u zhduk!

5 I fortë në qetësi po ngrihet froni,

mbi të do të rrijë besnik,

në Tendën e Davidit,

një gjykatës i zellshëm drejtësie

i gatshëm për të dhënë të drejtën.

6 Kemi dëgjuar për krenarinë e Moabit

‑ për së tepërmi është krenar ‑

për krenarinë, madhështinë e mospërfilljen e tij,

për lavdërimin e tij të padrejtë!

7 Këndej Moabi do të qajë Moabin,

të gjithë së bashku do të vajtojnë,

për bukërrushe të Cirharesetit

të goditur do të vajtojnë.

8 Pse u shkretuan fushat e Hesebonit,

u thanë vreshtat e Sabamait,

rrushi i të cilave i bori

zotëruesit e paganëve.

Hardhitë arrinin deri në Jazer,

shermendet në shkretëtirë mbërrinë:

pinjollat u arrinin

deri në det.

9 Këndej vajtoj me vajtorët e Jazerit

mbi vreshtat e Sabamait,

do të deh me lotët e mi,

Hesebon e Eleale,

se mbi vjeljen tënde e mbi të korra

u bë gjëma.

10 U zhduk gëzimi e galdimi në kopshte,

askush s’gëzon as s’brohorit ndër vreshta.

Verën në shtrydhës nuk e shtrydh

kush të shtrydhë e kish’ zakon:

brohoritja erdhi e u hesht!

11 Këndej përmbrendëset mua më dridhen

për Moabin porsi cetra,

zemra më dridhet për Cirharesetin.

12 Kot Moabi do të paraqitet,

do të mundohet në vende të larta,

në shenjtërore do të hyjë të lutet,

por pa dobi!

13 Kjo është fjala që Zoti e tha dikur mbi Moabin.

14 Por tani Zoti thotë: “Brenda tre vjetëve, vite mëditësi, do të zhduket lavdia e Moabit me mbarë popullin e shumtë; do të mbesë një tepricë e vogël, e paktë, pothuajse asgjë.”



Fjala e Zotit