< Heb 6 Heb 8 >
Lexim prej letrës drejtuar Hebrenjve(Heb 7)
7

1 Në të vërtetë, ky - Melkizedeku - Mbreti i Salemit, Prifti i Hyjit të Tejetlartë, i doli para në takim Abrahamit, që po kthehej nga luftimi pasi i shfarosi mbretërit, dhe e bekoi.

2 Këtij Abrahami i dha të dhjetën e të gjithave. Emri i tij në përkthim do të thotë më së pari: »Mbreti i drejtësisë« dhe pastaj edhe: »Mbreti i Salemit« domethënë »Mbreti i paqes«.

3 Ky është pa babë, pa nënë, pa brezni; s’ka as fillim as mbarim të jetës - pra, i ngjashëm me Birin e Hyjit - mbetet prift për amshim.

4 Vëreni, pra, sa i madh duhet të jetë ai njeri, të cilit Abrahami si patriark i dha të dhjetën e më së mirës pjesë të presë!

5 Vërtet, edhe ata prej bijve të Levit që marrin priftërinë, kanë urdhër nga Ligji të marrin të dhjetat nga populli, d. m. th. nga vëllezërit e vet, edhe pse edhe ata janë pasardhës të Abrahamit.

6 Por ai që nuk është në brezninë e tyre, i mori të dhjetën Abrahamit dhe e bekoi atë që kishte premtimet.

7 Dhe është jashtë çdo diskutimi: ai që është më i madh e bekon atë që është më i vogël.

8 Këtu shto edhe se të dhjetën e mbledhin njerëzit e vdekshëm, ndërsa atje ai, për të cilin dëshmohet se jeton!

9 Madje, në personin e Abrahamit, pothuajse edhe vetë Levit që merr të dhjetat, i merret e dhjeta,

10 sepse ende ishte në ijën e t’et, kur Melkizedeku i doli para në takim Abrahamit.

11 Tashti, po të ishte fituar përsosmëria me anë të priftërisë levitike - sepse në bazë të saj populli e fitoi Ligjin - ç’nevojë atëherë do të kishte pasur të ngritet një tjetër prift në mënyrën e Melkizedekut dhe të mos emërtohej sipas mënyrës së Aronit?

12 Dhe s’ka dyshim, në qoftë se ndërrohet priftëria, domosdo ndërrohet edhe Ligji.

13 Sepse, ai, për të cilin është fjala, është nga një fis tjetër, prej të cilit askush nuk i qe kushtuar lterit.

14 Dhe dihet se Zotëria ynë vjen nga fisi i Judës, fis ky për të cilin Moisiu nuk tha asgjë lidhur me priftërinjtë.

15 Dhe kjo bëhet shumë më qartë, në qoftë se prifti tjetër vihet në mënyrën e Melkizedekut,

16 që nuk bëhet prift në fuqi të rregullores së Ligjit të trashëgimisë trupore, por në fuqi të jetës së pashkatërrueshme.

17 Sepse dëshmohet:

»Ti je prift për jetë të jetës

në mënyrën e Melkizedekut«.

18 Këndej zhbëhet rregullorja e mëparshme për shkak të paaftësisë së saj dhe të padobisë,

19 - sepse asgjë s’ka përsosur Ligji - dhe shtihet në fuqi shpresa më e mirë, me anë të së cilës i afrohemi Hyjit.

20 Dhe kjo nuk ndodhi pa përbetim, kurse ata u bënë priftërinj pa përbetim,

21 ndërsa Ky në bazë të përbetimit të Atij që i tha:

»U përbetua Zoti dhe nuk do të pendohet:

ti je prift për jetë të jetës

22 Në këtë mënyrë Jezusi u bë dorëzani i Besëlidhjes më të mirë.

23 Për më tepër asi priftërinjsh qenë shumë, sepse vdekja nuk i linte të qëndronin përgjithmonë.

24 Kurse Ai, pasi mbetet përgjithmonë, ka priftërinë që nuk kalon kurrë.

25 Këndej edhe mund t’i shëlbojë plotësisht ata që nëpër Të i afrohen Hyjit - sepse gjithmonë jeton për të ndërmjetësuar për ta.

26 Vërtet, një Kryeprift i tillë edhe na lypej ta kishim: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollë, i ndarë nga mëkatarët dhe më i madhërueshëm se qiejt

27 - i cili s’ka nevojë, sikurse ata kryepriftërinjtë e tjerë, të kushtojë si një ditë për ditë fli më parë për faje të veta dhe pastaj për faje të popullit. Këtë Ai e bëri njëherë e përgjithmonë kur flijoi vetveten.

28 Ligji në të vërtetë, vë për kryepriftërinj njerëz të nënshtruar dobësive, kurse fjala e betimit - që vjen pas Ligjit - vë Birin që u bë i përsosur për amshim.



Fjala e Zotit