1 Për këtë arsye na duhet t’ia vëmë shumë më mirë mendjen gjërave që kemi dëgjuar, që të mos e humbim qëllimin.
2 E njëmend, në qoftë se fjala e shpallur nëpër engjëj qe e palëkundshme dhe çdo shkelje apo padëgjesë mori ndëshkimin e drejtë,
3 si do të mund të shpëtojmë në qoftë se e lëmë pas dore një shëlbim kaq të madh? Këtë shëlbim filloi ta shpallë Zoti, qe përforcuar në mesin tonë me anë të atyre që e kishin dëgjuar,
4 po edhe Hyji njëkohësisht e dëshmoi me shenja, me vepra bindëse, me mrekulli të larmishme dhe me dhurata të Shpirtit Shenjt, të ndara sipas vullnetit të tij.
5 Sepse Hyji nuk e ka vënë nën pushtet të engjëjve botën e ardhshme për të cilën po flasim.
6 Madje dikush diku bëri këtë dëshmi:
»Çka është njeriu që të bie ndër mend për të, biri i njeriut që të kujdesesh për të?
7 E bëre pak më të vogël se engjëjt, e kurorëzove me lavdi e nder,
8 çdo gjë vure nën këmbët e tij«.
Dhe duke [i] vënë çdo gjë nën këmbë, ai s’la asgjë që të mos i jetë e nënshtruar. Vërtet, tani nuk shohim ende se gjithçka është nën pushtetin e tij,
9 por Atë që qe përulur për pak kohë më poshtë se engjëjt, Jezusin, e shohim të kurorëzuar me lavdi e nder për arsye të vdekjes që pësoi që kështu, për hir të Hyjit, vdekja e shijuar prej tij të jetë në dobinë e të gjithë njerëzve.
10 Dhe, vërtet, i kishte hije Atij, për të cilin dhe prej të cilit është çdo gjë dhe që donte t’i çojë në lumturi shumë bij - ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve Udhëheqësin e shëlbimit të tyre.
11 Sepse si Shenjtëruesi ashtu të shenjtëruarit, janë të gjithë prej Njërit. Prandaj as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër,
12 kur thotë:
»Vëllezërve të mi do t’ua shpall Emrin tënd;
do të të lavdëroj në mes të mbledhjes«.
13 Edhe më:
»Në Të do ta vë shpresën«.
Dhe përsëri:
»Ja, unë dhe fëmijët që m’i dha Hyji«.
14 Dhe, pasi fëmijët kanë të përbashkët gjakun e mishin, kështu edhe Ai u bë pjesëtarë në këtë gjë, në mënyrë që me anë të vdekjes ta shfuqizonte atë, që kishte në dorë pushtetin e vdekjes - d. m. th. djallin,
15 për t’i çliruar ata që ishin të nënshtruar skllavërisë për tërë jetën prej frikës së vdekjes.
16 Sepse Ai nuk u vjen në ndihmë engjëve, por u vjen në ndihmë pasardhësve të Abrahamit.
17 Këndej u desh që në gjithçka të bëhej i ngjashëm me vëllezër për të qenë Kryeprift i mëshirshëm dhe njëkohësisht besnik në ato gjëra që i përkasin Hyjit në mënyrë që t’i shpërblente mëkatet e popullit.
18 Dhe, vërtet, pikërisht pse ai e sprovoi personalisht vuajtjen, është në gjendje t’i ndihmojë ata që janë në sprovë.