1 Pasi Hyji herë pas here dhe në mënyra të ndryshme, në të kaluarën, u ka folur etërve me anë të profetëve,
2 së fundi, në këto ditë, na foli edhe neve me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtarin e të gjitha gjërave, nëpër të cilin edhe e krijoi gjithësinë.
3 Biri, që është pasqyrimi i Lavdisë dhe vula e qenies së Hyjit, që me të fuqishmen fjalën e vet mban gjithësinë, pasi e kreu pastrimin e mëkateve, ndenji në të djathtën e Madhërisë në qiell;
4 u bë aq më i pushtetshëm se engjëjt sa më të madhërueshëm se ata e trashëgoi Emrin!
Biri më i pushtetshëm se engjëjt
5 Dhe vërtet, cilit prej engjëjve Hyji i tha ndonjëherë:
»Ti je im Bir
unë sot të linda?«
Dhe prapë:
»Unë do t’i jem Atë
dhe ai do të më jetë Bir?«
6 Dhe prapë, kur dërgon të Njëlindurin Birin e vet në botë, thotë:
»Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Hyjit!«
7 Kurse për engjëjt Ai thotë kështu:
»Ai i bën engjëjt e vet erëra,
shërbëtorët e vet flakë zjarri«.
8 Ndërsa për Birin thotë:
»Froni yt, o Hyj, në shekuj të shekujve, dhe skeptër drejtësie - skeptri i Mbretërisë sate.
9 E ke dashur drejtësinë dhe e ke urryer padrejtësinë:
prandaj, o Hyj, Hyji yt të shuguroi me bagmin e gëzimit si asnjë ndër shokët e tu«.
10 Edhe:
»Ti, o Zot, në fillim e krijove tokën edhe qiejt janë vepër e duarve të tua.
11 Ata do të zhduken kurse ti qëndron, të gjithë do të vjetrohen si petku:
12 porsi petk do t’i mbështjellësh - porsi mantel - dhe do të ndërrohen. Ti vetëm i vetmi mbetesh i njëjtë - vitet e tua nuk kanë mbarim«.
13 Po e për cilin ndër engjëj tha ndonjëherë:
»Më rri në të djathtën time
derisa t’i vë armiqtë e tu
shtrojë të këmbëve të tua?!«
14 A nuk janë, thua, të gjithë engjëjt shpirtra të ngarkuar me ndonjë shërbim, të dërguar për t’u shërbyer atyre që do ta trashëgojnë shëlbimin?