1 Lutja e profetit Habakuk. Me
melodinë e ankimeve.
Hyrje. Përlutje
2 Dëgjova, o Zot ç’thuhet për ty,
tmerr, o Zot, më ngjall vepra jote!
Përsërite në ditët tona,
në ditët tona nxirre në pah!
Kur të zemërohesh,
mos harro i mëshirshëm të jesh!
Teofania. Ardhja e Zotit
3 Prej Temanit do të vijë Hyji,
Shenjti prej malit Paran.
Madhëria e tij e mbulon qiellin,
plot është toka me Lavdinë e tij!
4 Shkëlqimi i tij është porsi drita,
lëshojnë rreze duart e tija:
aty fshihet fuqia e tij!
5 Ecën vdekja para tij,
gjurmët e tija i ndjek murtaja!
6 Kur i Amshueshmi për rrugë niset,
në këmbë ngrihet, shikimin lëshon,
toka trandet, kodrat përkulen
e popujt poshtë bien!
7 I pashë ngushtë çadrat e Kushanit,
dridhen tendat e dheut të Madianit!
Luftimi i Zotit
8 Pse, a në lumenj u hidhërove, o Zot?
Zemërimi yt kundër lumenjsh,
zemërimi yt, thua, kundër detit,
që po hipën mbi kuajt e tu,
mbi karrocat e tua ngadhënjyese?
9 Vrik e nxore harkun tënd,
me shigjeta mbush kukurrën tënde! ‑ Pauzë
Me lumenj tokën e ndan,
10 të panë malet e i kapën dhimbjet!
Derdhin retë shi me stuhi,
humnera lëshoi vigmën e vet
e lart i ngriti duart e veta.
11 Diell e hënë në banesë të vet ndryhen,
strukën prej dritës së shigjetave të tua,
prej shkëlqimit të heshtës sate vetëtuese!
12 Idhshëm tokës pash më pash i bie,
me furi kombet i shtyp.
13 Dole popullin tënd të shpëtosh,
ta shpëtosh të shuguruarin tënd.
Kulmin e shtëpisë ia shembe të patenzonit,
deri në shkëmb ia zbulove themelet.
Pauzë
14 Me heshtë ia shpove prijësin e ushtrisë
që si stuhi erdhi të më shfarosë
e kënaqeshin sikurse ai
që e përpin fshehtas skamnorin.
15 Kuajve të tu nëpër det ua hape udhën
nëpër baltë të ujërave të mëdha.
Përfundimi: frikë njerëzore e besim
në Hyjin
16 Dëgjova e m’u dridh zemra,
në atë zë m’u dridhën buzët.
Kalbësira në eshtra më përshkohet,
Dhe mua më dridhen këmbët.
Do të pushoj kur dita e zezë
t’i vijë popullit që më pushton!
17 Fiku më nuk do të lulëzojë,
fryt në hardhi më nuk do të ketë,
nuk do të japë fruta ulliri,
nuk do të japin ushqim arat,
zbrazët do të mbesë vatha pa dele,
në katua gjedhi nuk do të pëllasë!
18 Kurse unë do të gëzoj në Tenzonë,
do të gëzoj në Hyjin, Shëlbuesin tim!
19 Zoti Hyj është forca ime,
do të m’i bëjë këmbët si të kaprollit
e do të më çojë në malet e larta!
Për mjeshtrin e korit. Përcjellja: vegla muzikore me kordha.