< Nah 3 Hab 2 >
Lexim prej librit të Habakukut(Hab 1)
1

1 Profecia që e pa profeti Habakuk.

I. DIALOGU NDËRMJET PROFETIT E HYJIT

Ankimi i parë i profetit: cënimi i drejtësisë

2 Deri kur do të thërras në ndihmë, o Zot,

e ti nuk do të dëgjosh?

“Dhunë”! ‑ do të klith kah ti,

e ti nuk do të më shpëtosh?

3 Pse ma qet para ta shikoj prapësinë

e ti vetëm e kundron mbrapshtinë?

Para meje është shkretim e dhunë,

bëhet rragatje e peshë çohet grindja!

4 Ja, pse s’ka fuqi më Ligji

e gjyqi s’ia del qëllimit!

Pse i pashpirti ngadhënjen mbi të drejtin,

këndej gjyqi del i shtrembëruar!

Profecia e parë. Kaldenjtë frushkulli i Hyjit

5 “Shikoni në popuj e vrojtoni,

çudituni e mrekullohuni,

sepse po e bëj një punë në ditët tuaja

që, po të tregohej, kush s’do ta besonte.

6 Ja, në këmbë po bëj të çohen kaldenjtë,

popull idhnak edhe i prapët,

që e përshkon anë e kënd vendin

për të bërë të vetat banesat jo të tijat.

7 I përfrigueshëm është edhe i tmerrshëm,

e drejta e nderi për të është forca!

8 Kuajt e tij më të shpejtë se leopardi,

më të egjër se ujqërit e malit,

ngarendin kalorësit e tij,

balozat i vijnë prej së largu,

fluturojnë porsi shqiponja

që flakë lëshohet për të ngrënë prenë!

9 Të gjithë vijnë për të bërë dhunime,

erë përcëlluese fytyra e tyre,

porsi rërë grumbullojnë robër.

10 Ky popull i përqesh mbretërit,

qeveritarët në gaz i vë,

lojë për të është çdo fortesë,

dhe afron dhe e pushton!

11 Kthen si era e pastaj vazhdon:

për të Hyj është forca e tij!

Ankimi i dytë: tagrambledhjet e shtypësit

12 Pse, a s’je, o Zot, që prejfillimit

Hyji im, Shenjti im

që nuk vdes kurrë?

E caktove, o Zot, që të ushtrojë të drejtën,

Shkëmbi im, e themelove për të ndëshkuar!

13 Ti, që sytë i ke aq të pastër

sa që s’mund ta shikojnë të keqen,

paudhësinë s’mund ta kundrosh,

pse i shikon të mbrapshtët dhe hesht

kur i keqi e përpin më të drejtin?

14 I bëre njerëzit si peshq deti,

zvarranikë që zot nuk kanë mbi vete.

15 Të gjithë i gjuan kaldeu me grep.

të gjithë i nxjerr jashta me rrjetë,

i bashkon në kariq të vet:

për këtë gjë gëzon e galdon!

16 Këndej edhe rrjetës i kushton fli,

kariqit të vet kem i djeg,

sepse i sjellin kafshatë të majme,

ushqim të shijshëm!

17 A për këtë, thua, do të nxjerrë shpatën

për të prerë popuj pa pikë mëshire?!



Fjala e Zotit