< Gjq 8 Gjq 10 >
Lexim prej librit të Gjyqtarëve(Gjq 9)
9

1 U çua Abimeleku, biri i Jerobbaalit, e shkoi në Sikem te vëllezërit e s’ëmës dhe u tha atyre e mbarë farefisit të nënës së vet:

2 ”Bisedoni me të gjithë burrat e Sikemit e u thoni: Ç’është më mirë për ju: t’ju sundojnë shtatëdhjetë burra ‑ të gjithë të bijtë e Jerobbaalit, apo të sundojë mbi ju një njeri i vetëm? E mos harroni se unë jam ashti juaj e mishi juaj.”

3 Vëllezërit e nënës së tij biseduan me të gjithë njerëzit e Sikemit për të e u treguan të gjitha fjalët e tija dhe ua mbushën mendjen për ta përkrahur Abimelekun. Sepse thoshin: “Është vëllai ynë”.

4 I dhanë edhe shtatëdhjetë sikla të argjendtë prej faltores së Baalberitit e me to pagoi disa njerëz të poshtër e rrugaçë që e përcillnin.

5 Shkoi në shtëpinë e t’et në Efër dhe i vrau vëllezërit e vet, bijtë e Jerobbaalit, shtatëdhjetë vetë mbi të njëjtin gur. Shpëtoi vetëm Joatami, më i vogli djalë i Jerobbaalit, sepse u fsheh.

6 U bashkuan, pra, të gjithë burrat e Sikemit e të shtëpisë së Melos e shkuan dhe e bënë mbret Abimelekun te qarri që gjendej në Sikem.

7 E njoftuan për këtë Joatamin. Ky shkoi e zuri vend në majë të malit Garizim, bërtiti me sa zë pati e tha:

“Më dëgjoni, zotërinj të Sikemit, dhe Hyji ju dëgjoftë ju.

8 Qëmoti u nisën për rrugë lëndët

për të shuguruar një mbret mbi vete

e i thanë ullirit:

‘Mbretëro mbi ne!’

9 Por ulliri u përgjigj:

‘A të heq dorë nga vaji im,

me të cilin nderohen zotët dhe njerëzit,

e të vij të luhatem përmbi lëndë?!’

10 I thanë pra, lëndët edhe drurit të fikut:

‘Eja e mbretëro mbi ne.’

11 Edhe fiku u përgjigj:

‘A të heq dorë nga ëmbëlsia ime

e nga frutat e mi të shijshëm

që të luhatem përmbi lëndët e tjera?!’

12 Atëherë lëndët i thanë hardhisë:

‘Eja ti e na sundo!’

13 E hardhia u përgjigj:

‘A të heq dorë nga vera ime

që gëzon zotë e njerëz

e të vij që të bashkëluhatem mbi lëndët e tjera?!’

14 Të gjitha lëndët atëherë i thanë ferrëmanzës:

‘Eja e mbretëro mbi ne!’

15 Ferrëmanza u përgjigj:

‘Nëse vërtet po më bëni mbret tuajin,

ejani e pushoni nën hijen time.

Por në qoftë se nuk është ashtu

daltë zjarri prej ferrëmanzës

e i përpiftë cedrat e Libanit!’

16 E tani, dëgjoni: nëse keni vepruar drejt e pa të keq duke e vënë mbret mbi ju Abimelekun, nëse vepruat mirë ndaj Jerobbaalit e shtëpisë së tij dhe ia shpërblyet të mirat e tija,

17 i cili luftoi për ju dhe vuri jetën e vet në rrezik që t’ju shpëtonte prej dorës së Madianit,

18 që tani u ngritët kundër shtëpisë së tim eti e i vratë bijtë e tij ‑ shtatëdhjetë burra mbi një shkëmb dhe vutë për mbret Abimelekun, birin e shërbëtores së tij, përmbi banorët e Sikemit për arsye se është vëllai juaj;

19 në qoftë, pra, se vepruat drejt e pa të keq ndaj Jerobbaalit e shtëpisë së tij sot, atëherë e gëzofshi Abimelekun e Abimeleku ju gëzoftë ju.

20 Por, në qoftë se s’është ashtu: daltë zjarri prej Abimelekut e i përpiftë banorët e Sikemit e Shtëpinë Melo; daltë zjarri prej njerëzve të Sikemit e Shtëpisë së Melos dhe e përpiftë Abimelekun”!

21 Joatami, si foli kështu, iku e shkoi në Berë dhe atje jetoi, sepse kishte frikë nga Abimeleku, i vëllai.

22 Kështu pra, Abimeleku mbretëroi mbi Izraelin për tri vjet.

23 Atëherë Zoti çoi një shpirt ndarje ndërmjet Abimelekut e banorëve të Sikemit. Këta u çuan në kryengritje kundër tij,

24 që krimi i vrasjes së shëmtuar të shtatëdhjetë bijve të Jerobbaalit dhe gjaku i derdhur i tyre të binte mbi Abimelekun, vëllanë e tyre, dhe mbi burrat e Sikemit që i ndihmuan.

25 Vunë, pra, pritat kundër tij majave të maleve e cubnonin të gjithë ata që kalonin rrugës. E njoftuan Abimelekun.

26 Tani Gaali, biri i Obedit, erdhi me vëllezërit e vet në kalim në Sikem. Banorët e Sikemit i vunë shpresat në të.

27 Dolën në fushë, volën vreshtat e veta, shtrydhën rrushin, dhe, duke kënduar së bashku, hynë në faltoren e zotit të tyre dhe, ha, pi e fol keq për Abimelekun,

28 kur me zë të lartë foli Gaal Obedi: “Po kush është Abimeleku përballë Sikemit që t’i shërbejmë!? Po a nuk është biri i Jerobbaalit e Zebuli zëvendësi i tij?! Shërbejuni burrave të Emorit, babait të Sikemit! Përse t’i shërbejmë atij!

29 Ah! Sikur të kishte besim në mua ky popull, do ta dëboja Abimelekun e do t’i thosha: Mblidh sa më shumë ushtri dhe dil të ndeshemi në luftë!”

30 Kur Zebuli, kryetari i qytetit, dëgjoi fjalët e Gaalit, birit të Obedit, u zemërua fort

31 dhe dërgoi fshehurazi lajmëtarë tek Abimeleku e i tha: “Ja, Gaali, biri i Obedit, erdhi në Sikem me vëllezërit e vet dhe po nxit qytetin kundër teje.

32 Çohu, pra, natën me popullin që ke me vete, dhe vër prita në fushë.

33 Në mëngjesin e parë, porsa të lindë dielli, sulmoje qytetin dhe, kur të dalë Gaali me popullin kundër teje: bëji gjithçka që të mundesh”!

34 U çua, pra, Abimeleku me mbarë ushtrinë e vet natën e i vuri pritat përbri Sikemit në katër vende.

35 U çua edhe Gaali, biri i Obedit, dhe qëndroi në hyrje të derës së qytetit. U ngrit edhe Abimeleku dhe mbarë ushtria që ishte me të, dhe lëshoi vendin e pritave.

36 Kur e pa Gaali ushtrinë, i tha Zebulit: “Ja po zbret prej maleve një shumicë njerëzish”. Por ai iu përgjigj: “Sheh hijen e maleve e të duken njerëz”!

37 Por Gaali përsëri foli: “Ja, populli po ulet prej Kërthizës së Tokës edhe një çetë po zbret udhës së Qarrit të Dijetarve”.

38 Zebuli i tha: “Ku janë tani fjalët e tua të mëdha që i thoshe: ‘Kush është Abimeleku që t’i shërbejmë?’ A nuk është ky populli që e përbuzje? Dil e lufto kundër tij!”.

39 Shkoi, pra, Gaali para popullit të Sikemit e luftoi kundër Abimelekut.

40 Abimeleku e theu dhe e ndoqi ndërsa ikte. Shumë prej njerëzve të tij mbetën të vrarë derisa arritën te dera e qytetit.

41 Atëherë Abimeleku u kthye në Arumë. Zebuli dëboi Gaalin dhe vëllezërit e tij prej qytetit dhe nuk i duroi të qëndronin më në qytet.

42 Të nesërmen populli doli në fushë. E lajmëruan Abimelekun.

43 Ky mori ushtrinë e vet, e ndau në tri çeta duke vënë pusi në fushë. Kur pa se populli po dilte prej qytetit, i sulmoi dhe i vrau.

44 U sul me çetën e vet dhe rrethoi derën e hyrjes së qytetit, kurse ato dy çetat që fshiheshin në fushë, i goditën ata që ishin jashtë.

45 Abimeleku e sulmoi qytetin gjithë ditën, e mori, i vrau banorët, e rrafshoi atë dhe hodhi kripë nëpër të.

46 Kur morën vesh banorët e kullës së Sikemit, ikën e u futën në kriptën e faltores së Elberitit /d. m. th. të Besëlidhjes së hyjit/.

47 Por mori vesh edhe Abimeleku se të gjithë burrat e kullës së Sikemit ishin grumbulluar aty,

48 doli në malin Selmon me mbarë ushtrinë e vet, mori sopatën, preu një degë lisi, e vuri në krah dhe, duke e mbartur, u tha shokëve: “Ç’po shihni se po bëj unë, bëni shpejt edhe ju”.

49 Edhe ata, si në garë, prenë degë lisash dhe ndiqnin prijësin. I hodhën degët në kriptë dhe i dhanë zjarr. Kështu mbaruan prej tymit e zjarrit të gjithë njerëzit: rreth një mijë vetë burra e gra banorë të kullës së Sikemit.

50 Atëherë Abimeleku shkoi në qytezën e Tebesit, e rrethoi dhe e pushtoi.

51 Por në mes të qytetit ishte një kullë e fortë. Në të ishin strehuar burra e gra, të gjithë banorët e qytetit. Derën e kishin mbyllur mirë e kishin dalë në tarracë të kullës.

52 Abimeleku iu afrua kullës, e sulmoi rreptë dhe po i afrohej derës për t’i dhënë zjarrin.

53 Një grua mori gurin e sipërm të mokrës, ia përplasi Abimelekut në kokë dhe ia çau rrashtën.

54 Abimeleku e thirri menjëherë armëmbajtësin e vet e i tha: “Nxirre shpatën tënde dhe më godit që të mos thuhet se më vrau një grua”. Armëmbajtësi e shporoi me shpatë.

55 Kur panë se vdiq Abimeleku, izraelitët u kthyen në shtëpitë e veta.

56 Dhe kështu Hyji ia ktheu të keqen Abimelekut që e kishte bërë kundër t’et duke i vrarë shtatëdhjetë vëllezërit e vet.



Fjala e Zotit