< Gjq 7 Gjq 9 >
Lexim prej librit të Gjyqtarëve(Gjq 8)
8

1 Burrat e fisit të Efraimit i thanë Gjedeonit: “Çka pate me ne që nuk na thirre kur u nise në luftë kundër madianëve?”, duke u grindur me të për t’u ngatërruar.

2 Gjedeoni u përgjigj: “Po ç’bëra unë po ta krahasojmë me sa keni bërë ju? Pse a nuk është bubërrimi i efraimasve më i mirë sesa vjelja e Abiezerit?

3 Zoti i lëshoi në duar tuaja princat e Madianit, Orebin e Zebin. Po ç’kam mundur të bëj unë që të krahasohet me sa bëtë ju”? Posa i tha këto fjalë, u qetësua zemra e tyre e fryrë që ngufaste kundër tij.

4 Kur arriti Gjedeoni në Jordan, e kaloi atë me treqind luftëtarët që ishin me të, por nga lodhja mezi mundi t’i ndjekë të ikurit.

5

Atëherë u tha njerëzve të Sukotit: “Jepuni njerëzve që janë me mua, ju lutem, bukë, se janë lodhur e këputur, e unë po ndjek Zebeun e Salmanën, mbretërit e Madianit”.

6 Krerët e Sukotit iu përgjigjën: “Pse mos i ke ndoshta të lidhur për litari në dorën tënde Zebeun e Salmanën që t’u japim bukë ushtarëve të tu?!”

7 Atëherë ai u tha: “Pra, kur të m’i lëshojë Zoti në duart e mia Zebeun e Salmanën, do t’jua shprish mishin tuaj me murriz e ferra të shkretëtirës!”

8 Prej andej shkoi në Fanuel e u tha kështu edhe njerëzve të atij vendi. Por edhe ata iu përgjigjën siç i ishin përgjigjur ata të Sukotit.

9 Prandaj edhe atyre u tha: “Këtë kullë do ta rrënoj kur të kthehem shëndoshë e mirë!”.

10 Zebeu e Salmana ishin ndalur për të pushuar në Karkar me mbarë ushtrinë e tyre. Kishin rreth pesëmbëdhjetë mijë njerëz që u kishin mbetur prej të gjitha ushtrive të popujve të Lindjes. Ishin vrarë njëqind e njëzet mijë luftëtarë.

11 Gjedeoni u ngjit udhës së endacakëve në anën e lindjes të Nobesë e të Jegbasë dhe i sulmoi llogoret e armikut papritmas ndërsa ata e mbanin veten të sigurtë e s’prisnin kurrfarë rreziku.

12 Zebeu e Salmana u vunë në ikje. Gjedeoni iu vu në shpinë, i kapi dy mbretërit e Madianit, Zebeun e Salmanën, dhe ua shpartalloi mbarë ushtrinë.

13 Ndërsa Gjedeoni, biri i Joasit, po kthehej prej luftës përpjetës së Haresit,

14 e kapi një djalosh prej njerëzve të Sukotit dhe ia kërkoi emrat e princave e të pleqve të Sukotit. Ai ia dha me shkrim emrat e shtatëdhjetë e shtatë vetëve.

15 Gjedeoni erdhi te sukotasit dhe u tha: “Ja, pra, Zebeu e Salmana, për të cilët më keni vënë në lojë kur më thatë: ‘Pse, a mos i ke ndoshta të lidhur për litari në dorën tënde Zebeun e Salmanën, që t’u japim bukë ushtarëve të tu të lodhur?’”.

16 I kapi krerët e Sukotit e mori edhe ferra e murriza të shkretëtirës dhe i shprishi me ta burrat e Sukotit.

17 Po ashtu rrënoi kullën e Fanuelit e i vrau qytetarët.

18 Atëherë u tha Zebeut e Salmanës: “Si ishin njerëzit që i vratë në Tabor?” Ata iu përgjigjën: “Ishin të ngjashëm me ty: secili prej tyre si të ishte djalë mbreti”.

19 U tha: “Kanë qenë vëllezërit e mi: bijtë e nënës sime. Pasha Zotin e gjallë, po t’i kishit kursyer, tani nuk do t’ju vrisja”!

20 Atëherë i tha të parëlindurit të vet, Jeterit: “Çohu e preji!”. Por ai nuk e nxori shpatën; trembej, sepse ende ishte fëmijë.

21 Zebeu e Salmana i thanë: “Çohu ti e sulu mbi ne, sepse sipas moshës është edhe trimëria e njeriut.” U ngrit Gjedeoni e i preu Zebeun e Salmanën dhe mori hënëzat që stolisnin qafat e deveve të tyre.

22 Atëherë izraelitët i thanë Gjedeonit: “Ji sundimtari ynë ti, djali yt e djali i djalit tënd, sepse na çlirove prej dorës së Madianit”.

23 Ai iu përgjigj: “Unë nuk do të jem sundimtari juaj, as nuk do të jetë sundimtari juaj im bir, por Zoti do të jetë sundimtar”.

24 E vazhdoi: “Prej jush kërkoj vetëm një gjë: të më japë secili nga një unazë prej presë së vet”. Sepse ismaelitët e kishin zakon të mbanin unaza ari.

25 Ata iu përgjigjën: “Po t’i japim me gjithë qejf”! E shtrinë mbi tokë leshnikun dhe qitën mbi të secili nga një unazë prej presë së vet.

26 Pesha e unazave të kërkuara ishte një mijë e shtatëqind sikla ari, pa llogaritur hënëzat, vathët dhe veshjet e purpurta që i mbanin mbretërit e Madianit e pa numëruar vargjet e deveve.

27 Prej tyre Gjedeoni punoi një efod dhe e vendosi në qytetin e vet Efër. Mbarë Izraeli ra në lavirësi për shkak të tij dhe u bë shkak rrënimi për Gjedeonin dhe për mbarë shtëpinë e tij.

28 Kështu madianët qenë përulur para bijve të Izraelit, dhe më nuk mund të ngrinin zverkun e vendi ra në paqe për dyzet vjet gjatë jetës së Gjedeonit.

29 Kështu Jerobbaali, biri i Joasit, shkoi e jetoi në shtëpinë e vet.

30 Gjedeoni pati shtatëdhjetë djem, që dolën prej ijes së tij, sepse pati shumë gra.

31 Po edhe shemra e tij që jetonte në Sikem, i lindi një djalë, të cilit ai vetë ia ngjiti emrin Abimelek.

32 Gjedeoni, biri i Joasit, vdiq në pleqëri të thellë dhe qe varrosur në varrin e t’et, Joasit në Efrën e bijve të Abiezerit.

33 Pasi vdiq Gjedeoni, izraelitët filluan të lavirësojnë me Baalë dhe për hyj të tyre caktuan Baalberitin.

34 As nuk u ra ndër mend për Zotin, Hyjin e tyre, që i shpëtoi nga duart e të gjithë armiqve të tyre që kishin përreth.

35 Nuk u treguan as mirënjohës ndaj shtëpisë së Jerobbaalit Gjedeon për të gjitha të mirat që i kishte bërë Izraelit.



Fjala e Zotit