1 Jerobaali, d. m. th. Gjedeoni mërgoi dhe me të mbarë populli dhe e nguli fushimin te burimi që quhet Harad. Taborret e Madianit ishin në luginë, në krahun verior të kodrës Moreh.
2 Zoti i tha Gjedeonit: “Ke tepër shumë popull me ty që të mund të lëshoj Madianin në duart e tija, sepse Izraeli mund të lëvdohet e të thotë: ‘Me forcat e mia u çlirova!’
3 Fol me popullin dhe shpall aty ku mund të të dëgjojnë të gjithë: ‘Kush trembet dhe është frikacak, le të kthehet e le të kalojë nëpër malin Gjelboé’. Prej popullit u kthyen njëzet e dy mijë burra. Mbetën vetëm dhjetë mijë vetë.
4 Por Zoti i tha Gjedeonit: “Prapë ka shumë popull. Çoji tek uji dhe aty do t’i vë në provë. Ai për të cilin do të të them unë të vijë me ty, le të vijë; atij që t’ia ndaloj të vijë, le të kthehet”.
5 Gjedeoni e çoi popullin tek uji, e Zoti i tha: “Cilindo që të llapë ujin me gjuhë, siç e kanë zakon të llapin qentë, ndaje veçmas; kurse ata që të pinë duke u ulur në gjunjë, qiti në anën tjetër.
6 Ata që me dorë e afruan te goja ujin dhe e llapën, qenë treqind vetë, kurse mbarë populli tjetër u ul në gjunjë dhe piu.
7 Atëherë Zoti i tha Gjedeonit: “Me treqind vetët që llapën ujin, do t’ju çliroj dhe do ta lëshoj Madianin në dorën tënde. Mbarë njerëzit e tjerë le të kthehet në vendin e vet”.
8 Pasi mori, sipas numrit të njerëzve, ushqimet dhe boritë, mbarë pjesës tjetër të popullit i urdhëroi të kthehej në çadrat e veta. Me vete ndali vetëm ata treqind vetë.
Fushimi i madianëve ishte nën të, në luginë.
9 Po këtë natë Zoti i tha Gjedeonit: “Çohu e zbrit në fushim, sepse i kam lëshuar në duart e tua.
10 Nëse ke ndopak frikë, le të zbresë me ty Fara, shërbëtori yt.
11 Kur të dëgjosh çfarë flasin, atëherë do të marrësh guxim dhe do të zbresësh më me siguri në fushimin e armiqve”. Zbriti pra, me Farën, shërbëtorin e vet, deri në pararojën e fushimit, ku ishin rojet e ushtrisë.
12 Madianët, amalekasit dhe të gjithë popujt e Lindjes ishin përhapur në luginë dhe e kishin mbuluar atë si turmë karkalecash; po ashtu edhe devetë ishin të panumërta si rëra brigjeve të detit.
13 Kur arriti Gjedeoni, një ushtar po i tregonte shokut ëndrrën. Ai thoshte: “Ja, pashë një ëndërr. Më dukej se një bukë elbi e pjekur në hi po rrokollisej e po zbriste në fushimin e madianëve. Kur arriti te tenda, e goditi, e rrëzoi dhe e bëri rrafsh me tokë”.
14 Ai, të cilit po i fliste, iu përgjigj: “Kjo s’është tjetër veçse shpata e Gjedeonit, birit të Joasit, trimit izraelas. Hyji i dorëzoi në duart e tija madianët e mbarë fushimin e tyre”.
15 Kur e dëgjoi Gjedeoni ëndrrën dhe shtjellimin e saj, ra me fytyrë përdhe në adhurim dhe, me të kthyer në fushimin e Izraelit, urdhëroi: “Çohuni, se Zoti e lëshoi në duart tuaja fushimin e madianëve”.
16 Gjedeoni i ndau treqind luftëtarët në tri grupe. Secilit i dha në dorë borinë, poçin e zbrazët dhe në poç dritëzën
17 e u tha: “Çfarë të shihni se bëj unë, bëni edhe ju. Unë do t’i afrohem brezit të fushimit dhe, çfarë të bëj unë ashtu bëni edhe ju.
18 Kur të bjerë boria në dorën time e të të gjithëve që janë me mua, atëherë edhe ju rreth e rreth fushimit bjeruni borive dhe lëshoni kushtrimin e luftës: “Për Zotin e për Gjedeonin”!
19 Gjedeoni e treqind burrat që ishin me të, arritën buzë rrethit të fushimit atëherë kur po ndërrohej roja e mesnatës.
Porsa i ndërruan rojet, ata u ranë borive e i thyen poçet që i kishin në dorë.
20 Kur jehuan boritë e tri togave dhe, pasi i thyen poçet e i morën në dorën e majtë dritëzat e në dorën e djathtë boritë, bërtitën: “Shpata për Zotin e për Gjedeonin”!
21 dhe secili qëndroi në vendin e vet rreth fushimit të armikut. Mbarë taborri u pështjellua dhe madianët, duke uluritur, u vunë në të ikur.
22 Ndërsa treqind vetët vazhdonin t’u binin borive, Zoti bëri që të gjithë madianët të ngrinin shpatën kundër njëri‑tjetrit e të vrisnin njëri‑tjetrin
23 dhe iu dhanë ikjes deri në Betsetë, në Saredë, deri në bregun e Abelmehulës në Tebat.
@@@
Atëherë u thirrën burrat e Izraelit, të fisit të Neftaliut, të Aserit e të mbarë Manaseut dhe, të bashkuar, i ndoqën madianët.
24 Gjedeoni dërgoi kasnecë në mbarë malësinë e Efraimit me këtë porosi: “Zbritni kundër madianëve e zini kalimet që prej Betberës deri në Jordan. Të gjithë efraimasit zbritën para tyre dhe i zunë kalimet e Jordanit deri në Betberë.
25 I zunë edhe dy princa të Madianit: Orebin e Zebin. Orebin e prenë në Qetën Oreb, ndërsa Zebin në Shtrydhësin Zeb. Madianët i ndoqën, kurse krerët e Orebit e të Zebit ia sollën Gjedeonit përtej Jordanit.