< Gjq 3 Gjq 5 >
Lexim prej librit të Gjyqtarëve(Gjq 4)
4

1 Rifilluan, pra, bijtë e Izrealit të bëjnë të keqen para syve të Zotit pas vdekjes së Aodit.

2 Zoti i lëshoi në duar të Jabinit, mbretit të Kanaanit, që mbretëronte në Asor. Për prijës të ushtrisë së vet kishte Sisarën i cili jetonte në Harosetin Pagan.

3 Izraelitët i lëshuan kushtrimin Zotit. E Jabini kishte nëntëqind karroca hekuri dhe për njëzet vjet i ndrydhte pa mëshirë izraelitët.

4 Asokohe ishte në Izrael gjyqtare një grua, profetesha Deborë, gruaja e Lapidotit.

5 Ajo rrinte nën Palmën e Deborës ndërmjet Ramës e Betelit, në Malësinë e Efraimit. Tek ajo shkonin izraelitët për çështje pleqërie.

6 Ajo çoi të thërrasë Barakun, birin e Abinoemit prej Cedesit të Neftaliut, dhe i tha: “Të ka urdhëruar Zoti, Hyji i Izraelit: Shko e sille ushtrinë në malin e Taborit. Merri me vete dhjetë mijë luftëtarë prej bijve të Neftaliut e bijve të Zabulonit.

7 Unë do ta dërgoj kundër teje, në vendin e përroit Cison, Sisarën, prijësin e ushtrisë së Jabinit, karrocat e tija dhe mbarë aradhet e tija dhe do ta lëshoj në duart tua.”

8 Baraku iu përgjigj: “Nëse vjen ti me mua, shkoj; po s’erdhe ti me mua, unë nuk do të nisem”.

9 Ajo i tha: “Do të vij, po, me ty; por kësaj here nderi nuk do të mbesë ty! Sepse Zoti do t’a lëshojë Sisarën në dorën e një gruaje”.

U ngrit, pra, Debora dhe shkoi me Barakun në Cedes.

10 Baraku i thirri Zabulonajt e Neftaliajt në Cedes dhe u nis me dhjetë mijë luftëtarë. Me të ishte edhe Debora.

11 Haberi cineas ishte ndarë prej cineasish të tjerë vëllezër, bijtë e Hobabit, kunatit të Moisiut dhe e kishte ngulur tendën tek Qarri i Saananimit, përbri Cedesit.

12 Edhe Sisarën e lajmëruan se kishte dalë në malin Tabor Baraku, i biri Abinoemit.

13 Sisara i bashkoi të gjitha nëntëqind karrocat e hekurta dhe mbarë ushtrinë që ishte me të që prej Harosetit Pagan deri në përruan Cison.

14 Debora i tha Barakut: “Ngrihu: erdhi dita kur Zoti po ta lëshon në dorë Sisarën! Ja, vetë Zoti po të prin”!

Zbriti, pra, Baraku prej malit të Taborit e me të edhe dhjetë mijë luftëtarët.

15 E Zoti ia futi frikën Sisarës, mbarë karrocave dhe ushtrisë së tij prej shpatës së Barakut, aq sa Sisara zbriti prej karroce e iku këmbë,

16 e Baraku i ndoqi karrocat e mbarë ushtrinë deri në Harosetin Pagan dhe mbarë ushtria qe prerë deri në shfarosje.

17 Duke ikur Sisara arriti në çadrat e Jahelës, gruas së Haberit cineas; Jabini, mbreti i Asorit, ishte në paqe me shtëpinë e Haberit cineas.

18 Jahela i doli para Sisarës e i tha: “Hyr tek unë, imzot! Hyr e mos u tremb”! Ai hyri në çadër dhe ajo i qiti sipër një mbulojë.

19 Sisara i tha: “Të lutem, më jep pak ujë se jam etshëm”. Ajo e çeli rrëshiqin dhe i dha të pijë qumësht, pastaj e mbuloi.

20 Sisara i tha: “Qëndro para derës së tendës e, nëse vjen ndokush e të pyet e të thotë: ‘A mos është kush këtu?’ përgjigjju: ‘Askush’”.

21 Jahela, gruaja e Haberit, mori një kunj çadre po ashtu edhe një çekiç, hyri brenda fshehtas e në heshtje, ia vuri kunjin në tëmthin e kresë së tij, i solli me çekiç dhe ia nguli tejpërtej në tru, saqë kunji u ngul në dhe. Sisara duke e shoqëruar gjumin me vdekje, vdiq.

22 Dhe, ja, po vinte Baraku duke ndjekur Sisarën. Jahela i doli përpara e i tha: “Eja e do të ta tregoj njeriun që kërkon”. Baraku, kur hyri, e pa Sisarën të shtrirë vdekur me kunj të ngulur në tëmth.

23 E përuli, pra, Hyji atë ditë Jabinin, mbretin e Kanaanit, para bijve të Izraelit.

24 Izraelitët forcoheshin dita‑ditës dhe dora e tyre gjithnjë e më fort rëndonte mbi Jabinin, mbretin e Kanaanit, derisa ia humbën farën.



Fjala e Zotit