< Gjq 2 Gjq 4 >
Lexim prej librit të Gjyqtarëve(Gjq 3)
3

1 Këta janë popujt që Zoti la pa i zhdukur për të mësuar izraelitët, të gjithë ata që nuk i sprovuan luftërat e kanaanëve.

2 Qëllimi ishte që të mësonin të luftonin me armiq bijtë e Izraelit ‑ brezat që nuk e kishin sprovuar mjeshtërinë e luftës ‑:

3 mbetën pesë princa filistenj, të gjithë kananenjtë, sidonasit, e hevenjtë, që banonin në malet e Libanit prej malit Baalhermon deri në hyrje të Ematit.

4 Bëri kështu për t’i vënë në provë izraelitët nëse do t’i dëgjojnë urdhërimet e Zotit që u kishte urdhëruar etërve të tyre me anë të Moisiut apo s’do t’i dëgjojnë.

5 Kështu bijtë e Izraelit jetuan së bashku me kananenj, hetenj, amorrenj, ferezenj, hevenj e jebusenj,

6 i morën për gra bijat e tyre, po edhe ata u dhanë për gra atyre bijat e veta dhe u shërbyen zotëve të tyre.

7 Izraelitët bënë të keqen ndër sy të Zotit: e harruan Zotin, Hyjin e vet, e i shërbyen Baalit dhe Astarotit.

8 Zoti u hidhërua në Izraelin dhe i lëshoi në dorë të Kusanrasataimit, mbretit të Mesopotamisë, dhe i shërbyen atij për tetë vjet.

9 Izraelitët i lëshuan kushtrimin Zotit dhe Ai u ngriti shpëtimtarin që i çliroi, Otonielin, d. m. th. birin e Cenezit, vëllanë e vogël të Kalebit.

10 Shpirti i Zotit qe në të dhe u bë gjyqtar i Izraelit. Ai nisi luftën dhe Zoti në dorën e tij lëshoi Kusanrasataimin, mbretin e Mesopotamisë, dhe ngadhë -njeu mbi të.

11 Vendi pati paqe për dyzet vjet.

@@@

Pasi vdiq Otonieli, biri i Cerezit,

12 izraelitët filluan përsëri të bëjnë të keqen ndër sy të Zotit. Zoti i dha fuqi kundër tyre Eglonit, mbretit të Moabit, sepse bënë të keqen para syve të Zotit.

13 Egloni u bashkua me bijtë e Amonit e të Amalekut, e sulmoi dhe e mundi Izraelin dhe e pushtoi qytetin e Palmave.

14 Bijtë e Izraelit i shërbyen Eglonit, mbretit të Moabit, tetëmbëdhjëtë vjet.

15 Atëherë izraelitët i lëshuan kushtrimin Zotit e Zoti u ngriti shpëtimtarin, Aodin, birin e Gerës, prej Beniaminit, që përdoronte të majtën në vend të së djathtës. Izraelitët e dërguan atë t’ia çonte tatimet Eglonit, mbretit të Moabit.

16 Aodi punoi për vete një thikë me dy tehe, të gjatë një pëllëmbë dore dhe e ngjeshi nën petka, në ijë të djathtë

17 dhe ia çoi tatimet Eglonit, mbretit të Moabit. Egloni ishte shumë i majmë.

18 Pasi ia dorëzoi tatimet, i nisi të shkojnë shokët që i kishin mbartur

19 dhe u kthye prej Galgalës, ku ishin idhujt, e i tha mbretit: “Kam për të të thënë një fjalë në vesh, o mbret”. Mbreti urdhëroi heshtjen. Ata që ishin përreth, shkuan.

20 Aodi kishte hyrë tek ai i cili po rrinte në dhomën e freskët verore që ishte vetëm për të, dhe i tha: “Kam për të të thënë fjalën e Hyjit”. Ky u ngrit vrik prej fronit.

21 Atëherë Aodi e shtriu dorën e majtë dhe nxori thikën prej ijës së djathtë të vet dhe ia nguli në bark

22 aq rreptë, saqë edhe dorëza u fut krejtësisht në plagë dhe e shtrëngoi dhjami i majmë. Dhe as që e nxorri thikën, por, ashtu siç e goditi, ia la në trup. Vrik prej varrës i doli uti.

23 Aodi doli në ja, mbylli pas vetes derën e dhomës, i vuri shulin.

24 Pasi doli Aodi, erdhën shërbëtorët e mbretit dhe, pasi panë se dyert e dhomës ishin të mbyllura, thanë: “Me siguri do të ketë dalë për vehte në dhomën e freskët”.

25 Pritën gjatë derisa filluan të shqetësohen e, kur panë se nuk po e hapte derën, morën çelësin dhe, kur e hapën, patën ç’të shihnin: zotëriu i shtrirë përtokë i vdekur!

26 E, ndërsa ata po prisnin, Aodi kishte ikur, i kaloi Idhujt, nga ishte kthyer, dhe arriti në Seirë.

27 Posa arriti, doli në malin e Efraimit e i ra borisë. Bashkë me të zbritën izraelitët. Ai u shkonte gjithkund në ballë.

28 Ai u tha: “Ejani pas meje, sepse Zoti jua lëshoi armiqtë tuaj moabitët në duart tuaja!” Zbritën bashkë me të dhe i zunë vatë e kalimit të Jordanit për në Moab dhe nuk lanë të kalojë askush.

29 Me atë rast i vranë rreth dhjetë mijë moabitë, njëri më burrë i fortë se tjetri. Asnjë prej tyre nuk mundi t’u shpëtojë.

30 Qe përulur atë ditë Moabi nën dorën e Izraelit dhe vendi pati qetësi për tetëdhjetë vjet.

31 Pas këtij qe Samgari, biri i Anatit, i cili me një hosten qesh i vrau gjashtëqind burra filistenj. Kështu edhe ky i shpëtoi izraelitët.



Fjala e Zotit