< Gjq 20 Rt 1 >
Lexim prej librit të Gjyqtarëve(Gjq 21)
21

1 Bijtë e Izraelit në Masfë bënë benë e thanë: “Askush prej nesh s’do t’u japë bijve të Beniaminit vajzë të veten për grua”.

2 Shkoi populli në Betel dhe atje, ndenjur para Zotit, qanin e dënesnin deri në mbrëmje.

3 Thoshin: “Pse, o Zot, Hyji i Izraelit, u bë kjo emnesë në popullin tënd që në ditën e sotme të shuhet një fis i Izraelit”?

4 Të nesërmen u zgjuan herët në mëngjes, ndërtuan një lter, kushtuan fli shkrumbimi dhe fli pajtimi

5 dhe thanë: “A është ndokush që nuk erdhi në kuvendin e dheut në Masfë te Zoti prej fiseve të Izraelit”? Kishin bërë be të madhe dhe ishin lidhur t’i vrisnin ata që nuk do të vinin në mbledhje para Zotit në Masfë.

6 Tani izraelitët kishin dhembje për vëllanë e vet Beniaminin e nisën të thonë: “Sot u hoq një fis prej Izraelit.

7 Çfarë të bëjmë që, ata që mbetën gjallë, të mund të martohen? Sepse të gjithë së bashku u përbetuam me emrin e Zotit se nuk do t’u japim bijat tona”.

8 Prandaj thanë: “Kush është ai nga mbarë fiset e Izraelit i cili nuk erdhi te Zoti në Masfë”? U gjet se nuk kishte ardhur në mbledhje askush prej Jabesit të Galaadit,

9 sepse, kur u numërua populli, askush nuk ishte aty prej banorëve të Jabesit të Galaadit.

10 Prandaj mbledhja i dërgoi atje dhjetë mijë burra të zgjedhur për trimëri dhe u urdhëroi: “Shkoni e vritni banorët e Jabesit në Galaad me tehun e shpatës, si trimat, ashtu edhe gratë dhe fëmijët.

11 Ja si do të veproni: Të gjithë meshkujt edhe gratë që të kenë bërë shtrat me burrat, vritni! Mos i vritni vetëm të virgjërat”.

12 Në Jabes të Galaadit u gjetën katërqind vajza të pastra që s’kishin shkuar me burra, dhe i sollën në zemërimië në Silo, në tokën e Kanaanit.

13 Kuvendi dërgoi lajmëtarë te bijtë e Beniaminit, që ishin në qetën Remon, dhe u shpallën paqen.

14 Kështu u kthyen atëherë bijtë e Beniaminit dhe ua dhanë për gra bijat e Jabesit të Galaadit. Të tjera nuk patën për t’ua dhënë në këtë mënyrë.

15 Popullit i erdhi shumë keq për beniaminët, sepse Zoti bëri një zbrazëti mes fiseve të Izraelit.

16 Atëherë thanë prijësit e bashkësisë: “Si do t’ia bëjmë për të tjerët që mbetën pa gra, pasi u vranë të gjitha gratë e fisit të Beniaminit”?

17 E vazhduan: “E pra, na duhet të ruajmë ç’ka shpëtuar prej beniaminëve që të mos shuhet asnjë fis në Izrael.

18 E ne nuk mund t’ua japim bijat tona, sepse jemi lidhur me këtë përbetim: ‘Qoftë mallkuar kush do t’u japë vajzë të veten për grua beniaminëve!”

19 Bënë këshillim dhe thanë: “Ja, çdo vit bëhet festë për nder të Zotit në Silo, që është në veri të Betelit, në lindje të rrugës që çon në Sikem, në jug të qytetit Lebonë”.

20 U urdhëruan bijve të Beniaminit e u thanë: “Shkoni e fshihuni në vreshta.

21 Kur t’i shihni vajzat e Silos se po shkojnë për të luajtur valle, siç e kanë zakon, dilni papritmas prej vreshte e grabitni secili nga një vajzë dhe ikni në tokën e Beniaminit.

22 E kur etërit e tyre ose vëllezërit të vijnë te ne për t’u ankuar kundër jush, ne do t’u themi: ‘Na falni ne dhe ata: ata morën secili nga një grua si në luftë; e ju, po t’ua kishit dhënë, do të kishit mëkatuar’”.

23 Bijtë e Beniaminit bënë siç u qe urdhëruar dhe, sipas numrit të tyre, grabitën prej atyre që po luanin valle, secili nga një grua. Pastaj shkuan secili në pronën e vet, ndërtuan qytete dhe banuan në to.

24 Atëherë izraelitët u shpërndanë secili në fisin e vet dhe secili në pronën e vet.

25 Asokohe nuk kishte mbret në Izrael, por secili bënte atë që i dukej se është e drejtë. 



Fjala e Zotit