1 Engjëlli i Zotit erdhi prej Galgalës në Bokim e tha: “Ju nxora prej Egjiptit dhe ju solla në tokën për të cilën iu përbetova etërve tuaj se do t’ua jap. Kam pasë premtuar se nuk do ta prish besëlidhjen time me ju për amshim,
2 por me kusht që të mos lidhni marrëveshje me banorët e këtij vendi, por t’ua rrënoni lterët e tyre. Po ju nuk deshët të dëgjonit zërin tim. Pse vepruat kështu?
3 Për këtë arsye nuk desha t’i dëboj para fytyrës suaj që të jenë për ju lak e zotat e tyre shkatërrim”.
4 Ndërsa engjëlli i Zotit po i fliste këto fjalë para të gjithë bijve të Izraelit, ata e lartësuan zërin e vet dhe qanë.
5 Ai vend u quajt Bokim (d. m. th. Vendi i Vajtuesve). Aty i kushtuan Zotit therore.
6 Atëherë Jouzehu e nisi popullin të shkojë dhe bijtë e Izraelit shkuan secili në pronën e vet për ta marrë në trashëgim tokën.
7 I shërbyen Zotit gjatë gjithë jetës së Jozuehut e të pleqve që jetuan një kohë të gjatë pas tij e që i kishin parë të gjitha veprat e mëdha të Zotit, që i kishte bërë për Izraelin.
8 Vdiq Jozuehu, biri i Nunit, shërbëtori i Zotit, njëqind e dhjetë vjeç,
9 dhe e varrosën në pronën e tij në Tamnatares, në malin e Efraimit, në anën veriore të malit Gaas.
10 Po edhe mbarë ajo brezni u bashkua me etërit e vet dhe lindën të tjerë pas tyre që nuk e njihnin Zotin as veprën që kishte bërë për Izraelin.
11 Atëherë bijtë e Izraelit bënë ç’është e keqe para syve të Zotit e u shërbyen baalëve
12 dhe e lanë Zotin, Hyjin e etërve të vet, që i kishte nxjerrë prej tokës së Egjiptit. Shkuan pas zotëve të huaj, pas zotëve të popujve që banojnë përreth tyre, i adhuruan ata dhe bënë të hidhërohet Zoti
13 duke e lënë atë e duke i shërbyer Baalit e Astarotit.
14 Zoti u hidhërua dhe i lëshoi në duart e cubave që i plaçkitën. Ua shiti armiqve të tyre që banonin përreth dhe nuk qenë të zotët t’u qëndrojnë përballë armiqve të vet.
15 Ngado donin t’ia mbanin, dora e Zotit ishte mbi ta për të zezën e tyre, siç u kishte thënë dhe u ishte përbetuar. Ishin s’ka si më zi.
16 Atëherë Zoti u ngriti gjyqtarët që t’i shpëtonin nga dora e atyre që i plaçkitnin.
17 Por izraelitët nuk donin t’i dëgjonin as ata, lavirësonin me hyjni të huaja dhe i adhuronin ato. Shpejt e lanë rrugën nëpër të cilën ecën etërit e tyre që i mbanin urdhërimet e Zotit. Këta bënë gjithçka në kundërshtim.
18 Kur Zoti u ngrinte gjyqtarët, Zoti ishte me gjyqtarin dhe i çlironte prej dorës së armiqëve të tyre gjatë tërë kohës së gjyqtarit, sepse Zoti prekej në zemër dhe i dëgjonte rënkimet e të ndrydhurve.
19 Por, porsa vdiste gjyqtari, ata pësëri binin në paudhësi edhe më të liga e bënin edhe më keq seç kishin bërë etërit e tyre, duke i ndjekur hyjnitë e huaja, duke u shërbyer atyre e duke i adhuruar: nuk iu shmangën veprave të veta as udhës së vet të mbrapshtë, nëpër të cilën e kishin bërë zakon të ecnin.
20 Flakë atëherë u ndez hidhërimi i Zotit kundër Izraelit e tha: “Pasi ky popull e shkeli Besëlidhjen time, që e kisha lidhur me etërit e tyre, dhe përbuzën ta dëgjojnë zërin tim,
21 as unë nuk do t’i shpërngul popujt që i la Jozuehu pasi vdiq
22 me qëllim që t’i vë në provë izraelitët me anë të tyre nëse do ta ruajnë udhën e Zotit e do të ecin nëpër të, siç e ruajtën etërit e tyre, ose jo”.
23 Kjo pra, ishte arsyeja që Zoti i la këta popuj e nuk i dëboi me të shpejtë, as nuk i lëshoi në duar të Jozuehut.