1 Pastaj Samsoni shkoi në Gazë. Aty pa një grua lavire dhe hyri tek ajo.
2 Gazasët i lajmëruan se Samsoni kishte hyrë në qytet. E rrethuan dhe i vunë pritën në derën e qytetit. Gjithë natën ndenjën qetë e prisnin që, pasi të zbardhte drita, ta vrisnin duke dalë prej qytetit.
3 Samsoni fjeti deri në mesnatë e atëherë u ngrit prej andej, e kapi derën e qytetit me gjithë shtatka e shula, i hodhi në krah dhe i çoi në majë të malit që është përballë Hebronit.
4 Pastaj Samsoni zuri mikeshë një grua që jetonte në luginën e Sorekut. Ajo quhej Dalilë.
5 Erdhën tek ajo krerët e filistenjëve e i thanë: “Tradhtoje dhe nxirrja nëse ka gjithë atë fuqi, zbuloje si do të mund ta zotërojmë, ta lidhim e ta mposhtim. Nëse na e bën këtë, do të të japim secili nga një mijë e njëqind para argjendi.”
6 Këndej edhe Dalila i tha Samsonit: “Po të lutem, më trego ku të qëndron gjithë ajo fuqi dhe si do të mund të lidhesh e të zotërohesh”?
7 Samsoni iu përgjigj: “Po të më lidhnin me shtatë kordha harku të freskëta që nuk janë tharë ende, do të më mungonte fuqia e do të bëhesha si njerëzit e tjerë”.
8 Atëherë princat e filistenjëve ia sollën shtatë litarët siç kishte thënë: Me ta e lidhi Samsonin,
9 kurse prita rrinte fshehur në dhomën e saj. Ajo e thirri: “Samson, të sulmuan filistenjt”! Por ai i këputi litarët, siç e këput kushdo fijen e perit të dredhur të lirit pasi ta ketë djegur zjarri. Dhe nuk mund e hetuan se ku qëndron fuqia e tij.
10 Por Dalila i tha: “Ja, më gënjeve e nuk ma tregove të vërtetën. Së paku tani më trego me se duhet të lidhesh”.
11 Ai iu përgjigj: “Po qe se do të më lidhnin me litarë të rinj që nuk janë përdorur kurrë, do të bëhesha i ligësht dhe i ngjashëm me njerëzit e tjerë”.
12 Dalila e lidhi përsëri me ta dhe e thirri: “Samson, t’u sulën filistenjt!”, e në dhomë i kishte bërë gati pritarët. Por ai i këputi litarët aq lehtë si të kishin qenë fije peri.
13 Dalila i tha përsëri: “Deri kur do të më gënjesh e do të më rresh? Më trego me se duhet të lidhesh. “Në qoftë se të shtatë bishtalecat e gërshetuar të kokës sime i kalon nëpër liq dhe i rreh me shpatë të tezgjahut, do të humb forcën e do të bëhem si njerëzit e tjerë”.
14 Ajo e vuri të flejë, kaloi shtatë bishtalecat e gërshetuar të kresë së tij nëpër liq, i rrahu me shpatëz dhe i thirri: “Samson të kapën filistenjt”! Ai u zgjua, dhe i nxori shpatë, bërdilë e liq!
15 Atëherë Dalila i tha: “Pse thua se më dashuron, kur zemra jote s’është me mua? Tri herë rresht më gënjeve e nuk deshe të më kallëzosh ku qëndron fuqia jote e madhe”.
16 Pasi u mërzit dhe për shumë ditë rrinte duke e ngacmuar vazhdimisht dhe duke mos ia ndarë të keqen, ia këputi shpirtin dhe e molisi për vdekje.
17 Atëherë ia zbuloi krejtësisht zemrën e vet. I tha: “Brisk rroje askurrë nuk ka kaluar mbi kokën time, sepse jam “nazaré” ‑ i shuguruar Hyjit që në kraharorin e nënës sime. Po të rruhej koka ime, do të largohej prej meje fuqia ime e do të bëhesha i ligësht si çdo njeri tjetër”.
18 Kur pa Dalila se ia kishte hapur krejtësisht zemrën e tij, çoi t’i thërrisnin krerët e filistinëve e u tha: “Ejani vetëm edhe kësaj here, se tani ma ka zbuluar krejt zemrën e vet”. Ata erdhën e me vete i morën paratë, që ia kishin premtuar.
19 Ajo e vuri në gjumë mbi gjunjët e vet, thirri një berber dhe ia rroi shtatë bishtalecat e tij e zuri ta vërë në lojë: sepse forca u largua menjëherë prej tij.
20 Atëherë bërtiti: “Samson, të kapën filistenjt”! Kur i doli gjumi tha vetë me vete: “Do t’ia dal si bëra më parë e do të çlirohem”, sepse nuk e dinte që Zoti ishte larguar prej tij.
21 E kapën filistenjtë, ia nxorën sytë dhe e çuan në Gazë. E lidhën me dy palë hekura të bronzta dhe e mbyllën në burg. Aty sillte gurin e mullirit.
22 Ndërkaq flokët që ia kishin rruar, filluan t’i rriten.
23 Prijësit filistenj ishin mbledhur së bashku për t’i kushtuar fli të madhërueshme Dagonit, zotit të tyre, dhe për t’u gostitur. Thoshin:
“Zoti ynë na lëshoi në dorë
armikun tonë, Samsonin”!
24 Po edhe populli, kur e pa, lëvdonte zotin e vet dhe i thoshte po ato fjalë:
“Zoti ynë na e dorëzoi
kundërshtarin tonë
që shkretoi tokën tonë
dhe vrau shumë prej tanëve”.
25 Tashti, pasi u bënë në qejf, kërkuan të sillej Samsoni e të bënte lojëra para tyre. E prunë prej burgut dhe ai po luante para tyre. E bënë të zërë vend ndërmjet dy shtyllave.
26 Ky i tha djaloshit që e merrte për dore: “Më lër t’i prek shtyllat, në të cilat pushon shtëpia, të mbështetem e të pushoj pak”.
27 E shtëpia ishte plot me trima e me gra; ishin aty të gjithë paria e filistenjve, po edhe nga pullazi rreth tri mijë vetë, burra e gra, e shikonin Samsonin tek po luante.
28 Samsoni iu lut Zotit e tha: “O Zot, Hyj, të të bjerë ndër mend për mua! Ma kthe vetëm edhe kësaj here forcën e mëparshme, o Hyj, që t’u hakmerrem filistenjve njëherë për të dy sytë e mi”!
29 I kapi dy shtyllat e mesme, mbi të cilat mbështetej shtëpia, njërës i vuri dorën e djathtë e tjetrës të majtën, e
30 tha: “Le të mbarojë jeta ime me filistenj”! Dhe i tundi për së forti shtyllat, shtëpia ra përmbi të gjithë prijësit e mbi mbarë popullin që ishte brenda. Duke vdekur vrau më shumë sesa kishte vrarë më parë sa ishte gjallë.
31 Atëherë zbritën vëllezërit e tij e mbarë farefisi, e morën trupin e tij dhe e varrosën ndërmjet Sarasë e Estaholit, në varrin e t’et, Manuehut.
Për njëzet vjet qe gjyqtar i Izraelit.