< Gjq 14 Gjq 16 >
Lexim prej librit të Gjyqtarëve(Gjq 15)
15

1 Pas do kohe, kur ishte koha e korrjes së grurit, Samsoni shkoi për të parë gruan e vet dhe i solli për dhuratë një kec. Kur deshi të hyjë tek ajo, ia ndaloi i ati i saj

2 duke thënë: “Mendova se nuk e do më dhe prandaj ia dhashë për grua mikut që të shoqëroi; por ajo ka motrën e vet që është më e re dhe më e bukur se ajo: merre për grua në vend të saj”.

3 Samsoni iu përgjigj: “Kësaj here s’do të kem faj ndaj filistenjve nëse do t’u bëj ndonjë të keqe”.

4 Atëherë Samsoni shkoi dhe i zuri treqind dhelpra, i lidhi bisht për bisht, e në dy bishtat e lidhur vuri një pishë,

5 i ndezi zhublat dhe i lëshoi dhelprat në të mbjella të filistenjve. Ua dogji si grurin në shtrega si grurin e pakorrur ende, zjarri përlau po ashtu edhe vreshtat e ullishtat.

6 Filistenjtë pyetën: “Kush do ta ketë bërë këtë gjë”? U qe thënë: “Samsoni, dhëndri i Tamnateut që ia mori gruan e ia dha një tjetri, e ka bërë këtë gjë”. Atëherë filistenjtë shkuan dhe e dogjën si gruan, ashtu edhe babain e saj.

7 Atyre Samsoni u çoi fjalë: “Pasi bëtë ashtu, unë nuk do të pushoj derisa t’ju hakmerrem”.

8 I vrau e i copëtoi e bëri kërdi në ta dhe pastaj shkoi të jetojë në shpellën e qetës Etam.

9 Prandaj filistenjtë erdhën në Judë dhe aty ngulën fushimin, dhe ushtria e tyre u shpërnda deri në Lehi /d. m. th. Nofull/.

10 Njerëzit prej fisit të Judës u thanë: “Pse keni ardhur kundër nesh”? Ata u përgjigjën: “Erdhëm për ta lidhur Samsonin e për t’ia bërë siç na e bëri ai neve”.

11 Atëherë zbritën tri mijë burra prej fisit të Judës te shpella e qetës Etam dhe i thanë Samsonit: “Po a nuk e di se filistinët na sundojnë? Përse na e bëre këtë punë”? E ai iu përgjigj: “Siç ma kanë bërë ata mua, ua kam bërë edhe unë”.

12 I thanë: “Kemi ardhur të të lidhim e të të dorëzojmë te filistinët”. U përgjigj: “Më bëni be se nuk do të më vrisni”.

13 I thanë: “Nuk do të të vrasim, por do të të dorëzojmë të lidhur”. E lidhën me dy teje të reja dhe e morën prej qetës Etam.

14 Kur arritën në Lehi dhe, ndërsa filistenjtë duke bërtitur prej gëzimit po i dilnin përpara, shpirti i Zotit e pushtoi Samsonin dhe, sikur këputen fijet e lirit të djegura prej zjarrit, u këputën e ranë litarët me të cilët ishin të lidhura duart e tija.

15 Si i shkuan sytë në një nofull të freskët gomari, e kapi me dorë, solli në ta e i vrau një mijë vetë

16 e tha:

“Me nofull gomari

mogilë i bëra!

Me fulqi gomari

vrava një mijë burra”!

17 Kur e kreu këtë këngë, i dha krah nofullës së gomarit dhe atë vend e quajti: Ramatlehi /që do të thotë: Lartësimi i Nofullës/

18 I djegur nga etja, iu lut Zotit e tha: “Ti bëre me anë të shërbëtorit tënd një shpëtim kaq të madh e një fitore, a thua tani do të vdes etjeje e do të bie në duar të parrethprerëve”?

19 Atëherë Hyji e hapi gropën që është në Lehi dhe buroi uji. Samsoni piu, e përtëriti shpirtin dhe rifitoi fuqinë. Prandaj ai burim u quajt Burimi i Lutësit. Është në Lehi edhe sot e kësaj dite.

20 Samsoni qe gjykatës në Izrael në kohën e filistenjëve për njëzet vjet.



Fjala e Zotit