< Gjq 13 Gjq 15 >
Lexim prej librit të Gjyqtarëve(Gjq 14)
14

1 Samsoni zbriti në Tamnë dhe atje ndër vajzat e filistenjve pa një grua.

2 Ktheu në shtëpi e u tha babait e nënës së vet: “Pashë një vajzë ndër bijat e filistenjve dhe po ju bëj lutje të ma merrni për grua”.

3 I ati dhe e ëma i thanë: “Po a thua nuk ka gra ndër vajzat e vëllezërve të tu e në mbarë popullin tim që do të marrësh për grua një bijë filistenjsh që janë parrethprerë”? Por Samsoni iu përgjigj t’et: “Ma merr atë, se ajo më pëlqen”.

4 Prindërit e tij nuk e dinin se kjo gjë bëhej prej Zotit, i cili kërkonte shkas ngatërrese me filistenj. Asokohe filistenjtë zotëronin mbi Izraelin.

5 Kështu, pra, Samsoni po zbriste në Tamnë bashkë me t’atin e t’emën. Kur mbërritën te vreshtat e qytetit, u doli para zogu i luanit duke ulëritur dhe e sulmoi atë.

6 Por shpirti i Zotit e pushtoi Samsonin dhe e copëtoi luanin si të shqyente në copa një edh. E pra, asgjë s’pati në dorë. Për këtë gjë s’deshi t’u tregojë babait e nënës.

7 Zbriti dhe bisedoi me gruan që kishte pëlqyer.

8 Pas disa ditësh u kthye për ta marrë. Zbriti nën rrugë për të parë kufomën e luanit, kur ja, shema e bletës në trupin e luanit dhe fasholli me mjaltë!

9 E mori në dorë dhe po hante rrugës. Kur erdhi tek i ati e tek e ëma, u dha edhe atyre dhe hëngrën. Por nuk deshi t’u tregojë se mjaltin e kishte marrë nga kufoma e luanit.

10 Zbriti pra, i ati tek gruaja, e Samsoni bëri aty një gosti. Kështu e kishin zakon të bënin të rinjtë.

11 Kur e panë banorët e atij qyteti, i dhanë për shokë tridhjetë vetë që të qëndronin me të.

12 Samsoni u tha: “Po ju tregoj një gjëegjëzë dhe, nëse ma zbërtheni brenda shtatë ditëve të gostisë do t’ju jap tridhjetë zhguna dhe tridhjetë petka ndërrimi;

13 por në qoftë se nuk do të mund ta shtjelloni, atëherë do të më jepni ju tridhjetë zhguna e po aq petka ndërrimi”. Ata iu përgjigjën: “Tregoje gjëzën ta dëgjojmë”.

14 E ai u tha:

“Prej atij që ha, doli ç’hahet; prej të fortit doli ëmbëlsira” .

Për tri ditë nuk ia dolën ta zbërthenin gjëzën.

15 Të katërtën ditë i thanë gruas së Samsonit: “Ngashnjeje tënd shoq dhe mbushja mendjen të ta kallëzojë ty gjëzën: e në qoftë se s’do të bësh kështu, do të të djegim ty dhe shtëpinë e babait tënd. Pse, a na keni ftuar në dasëm për të na plaçkitur” ?

16 Atëherë gruaja po derdhte lot para Samsonit dhe ankohej duke thënë: “Ti më urren e nuk më do, prandaj as që do të ma shpjegosh gjëegjëzën që ua parashtrove bijve të popullit tim”. Por ai iu përgjigj: “Unë nuk ua dëftova as babait as nënës sime, e si mund të ta shpjegoj ty” ?

17 Kështu pra, për shtatë ditët e dasmës ajo qau para tij. Në fund, të shtatën ditë, pasi e mërziti, ia shtjelloi. Ajo ua dëftoi menjëherë qytetarëve të vet.

18 Ata të shtatën ditë para perëndimit të diellit, i thanë:

“Ç’ është më e ëmbël se mjalti

e ç’ është më i fortë se luani”?

Ai atëherë u tha:

“Po të mos kishit lëvruar me mëshqerrën time,

gjëegjëzën time nuk do ta kishit gjetur”.

19 Shpirti i Zotit e pushtoi, zbriti në Askalon, i vrau tridhjetë burra aty, ua hoqi petkat dhe ua dha atyre që zbërthyen gjëzën. I hidhëruar shumë shkoi në shtëpinë e t’et.

20 Gruaja e tij mori për burrë njërin prej djelmoshave që e shoqëroi për ta nderuar në dasëm.



Fjala e Zotit