< Gjq 12 Gjq 14 >
Lexim prej librit të Gjyqtarëve(Gjq 13)
13

1 Të bijtë e Izraelit përsëri bënë të keqen ndër sy të Zotit dhe Ai i lëshoi në duar të filistenjve për dyzet vjet.

2 Ishte asokohe një njeri prej Sarasë i fisit të Danit me emrin Manueh. Gruan e kishte beronjë.

3 Kësaj iu dëftua engjëlli i Zotit e i tha: “Ja, pra, je barkshuar, e pa fëmijë”. Por do të ngjizësh e do të lindësh një djalë.

4 Pra, kujdes, mos pi verë as pije dehëse dhe mos ha asgjë, të papastër,

5 sepse do të ngjizësh e do të lindësh një djalë. Kokën e tij të mos e prekë brisku i rrojes: sepse fëmija që në kraharorin e nënës do të jetë i kushtuar Hyjit ‑ nazaré ‑ dhe ai do të fillojë ta shpëtojë Izraelin prej dorës së filistenjve”.

6 Gruaja shkoi dhe i tregoi burrit. I tha: “Një njeri i Hyjit erdhi tek unë. Kishte një pamje si të një engjëlli të Zotit, jashtëzakonisht të tmerrshme. Nuk e pyeta nga ishte dhe as nuk ma tregoi emrin.

7 Por më tha: “Ja, do të ngjizësh e do të lindësh një djalë”. Por kujdes: mos pi verë as pije dehëse dhe mos ha asgjë të papastër: sepse fëmija do të jetë nazaré i Hyjit që prej kraharorit të nënës deri ditën e vdekjes së tij”.

8 Atëherë Manuehu iu lut Zotit e tha: “Po të lutem, o Zot, që të vijë prapë ai njeriu i Hyjit që e dërgove ti, e të na mësojë çfarë na duhet të bëjmë me fëmijën që do të linde”.

9 Zoti e dëgjoi lutjen e Manuehut dhe engjëlli i Hyjit erdhi përsëri te gruaja që po rrinte në fushë. Porse Manuehu, burri i saj, nuk ishte me të.

10 Prandaj ajo nxitoi me vrap dhe e lajmëroi burrin e i tha: “Ja, m’u dëftua ai njeriu, që pat ardhur tek unë atë ditë”.

11 Ky u ngrit dhe shkoi me gruan e vet e, kur arriti tek ai, i tha: “A je ti që ke folur me këtë grua”? Ai iu përgjigj: “Unë jam”.

12 Manuehu i tha: “ Çfarë rregulle na duhet të mbajmë dhe ç’na duhet të bëjmë rreth fëmijës kur të plotësohet fjala jote”?

13 Atëherë engjëlli i Zotit i tha Manuehut: “Le të përmbahet, prej të gjitha atyre që i kam treguar gruas sate.

14 Të mos hajë asgjë që del prej hardhisë, verë e pije dehëse të mos pijë, të mos hajë asgjë të papastër, e le të mbajë gjithçka i urdhërova”.

15 Pastaj Manuehu i tha engjëllit të Zotit: “Na urdhëro, të lutemi, e po të përgatisim një edh”.

16 Engjëlli i Zotit iu përgjigj: “Po edhe sikur të më ndalësh, unë nuk e ha bukën tënde; po nëse do të kushtosh fli shkrumbimi, atëherë kushtoja Zotit”. Por Manuehu nuk e dinte se ishte engjëlli i Zotit,

17 prandaj edhe e pyeti: “Si e ke emrin që të mund të të nderojmë me ndonjë gjë kur të shkojë në vend fjala jote”?

18 Engjëlli iu përgjigj: “Përse me pyet për emër? Emri im është mister”?

19 Atëherë Manuehu mori një edh dhe endës për fli kushtimore dhe i vuri përmbi gur e ia kushtoi Zotit që bën punë të mrekullueshme. Ndërsa Manuehu dhe gruaja e tij po vërenin,

20 tek po ngjitej flaka prej lterit në qiell, panë se edhe engjëlli po ngjitej gjithashtu. Posa e panë Manuehu dhe gruaja e tij, ranë me fytyrë përdhe.

21 Engjëlli i Zotit nuk u duk më. Manuehu e mori vesh menjëherë se ishte engjëlli i Zotit

22 dhe i tha gruas së vet: “Do të vdesim sepse kemi parë Hyjin”.

23 Gruaja iu përgjigj: “Zoti, po të kishte dashur të na vriste, nuk do të pranonte prej duarve tona flinë e shkrumbimit e flinë kushtimore; nuk do të na i dëftonte të gjitha këto, as nuk do të na i thoshte gjërat e tilla”.

24 Gruas i lindi djali dhe ia ngjitën emrin Samson. U rrit djali dhe Zoti e bekoi.

25 Shpirti i Zotit nisi ta pushtojë në Fushimin e Danit, ndërmjet Sarasë e Estaolit.



Fjala e Zotit