< Gjq 11 Gjq 13 >
Lexim prej librit të Gjyqtarëve(Gjq 12)
12

1 Tani njerëzit e fisit të Efraimit u bashkuan, kaluan në veri e i thanë Jefteut: “Përse ke shkuar në luftë kundër bijve të Amonit e nuk ke dashur të na ftosh të vinim edhe ne me ty? Prandaj do ta ndezim shtëpinë tënde mbi ty”.

2 Ai iu përgjigj: “Ishim ngatërruar keq unë dhe populli im me bijtë e Amonit. Ju thirra të vinit në ndihmë, por ju nuk deshët.

3 Kur e pashë këtë, e vura jetën time në rrezik dhe i sulmova bijtë e Amonit e Zoti m’i lëshoi në dorë. Me çfarë u bëra shkak që ju të ngriheni sot në luftë kundër meje”?

4 Jefteu i bashkoi rreth vetes të gjithë burrat e Galaadit e nisi luftën me Efraimin. Galaadajt i mundën efraimët, sepse këta u kishin thënë: “Ju jeni të ikur prej Efraimit; Galaadi banon ndërmjet Efraimit e Manaseut”.

5 Galaadajt i zunë kalimet e Jordanit, nëpër të cilët do të kalonin efraimët. Kur vinte ndonjë i ikur efraimas e thoshte: “Të lutem, më lër të kaloj.” Galaadajt i thoshin: “A mos je efraimas”? E ai thoshte: “Nuk jam”,

6 i thoshin: “Thuaj pra: Shibolet” /që do të thotë: Kallëz/ e ai përgjigjej: “Sibolet”, sepse nuk mund ta shqiptonte drejt. E kapnin vrik dhe e vrisnin në Jordan. Asokohe u vranë efraimas dyzet e dy mijë vetë.

7 Jefte Galaadaj qe gjyqtar në Izrael për gjashtë vjet. Pastaj vdiq e qe varrosur në qytetin e vet në Galaad.

8 Pas tij gjyqtar në Izrael qe Abesani prej Betlehemit.

9 Ky pati tridhjetë djem e tridhjetë vajza, të cilat i martoi jashtë fisit, dhe po aq vajza jashtë fisit u solli të bijve për gra. Për shtatë vjet qe gjyqtar në Izrael.

10 Vdiq dhe qe varrosur në Betlehem.

11 Pas tij qe gjyqtar në Izrael për dhjetë vjet Ahialon Zabulonasi.

12 Vdiq e qe rrëmuar në Ahialon, në tokën e Zabulonit.

13 Pas tij gjyqtar në Izrael qe Abdoni, biri i Ilel Faratonasit.

14 Ky pati dyzet djem dhe prej tyre tridhjetë nipa që kalëronin shtatëdhjetë gomarë. Për tetë vjet qe gjyqtar në Izrael.

15 Vdiq dhe qe varrosur në Faraton në tokën e Efraimit, në malin Amalek.



Fjala e Zotit