1 Jefteu Galaadaj ishte burrë i fortë. Ishte biri i një gruaje të përdalë që ia lindi Galaadit.
2 Por Galaadi kishte gruan e vet, me të cilën i lindën fëmijë. Këta, kur u rritën, e dëbuan Jefteun përjashta me këto fjalë: “Ti s’do të kesh pjesë në pronën e babait tonë, sepse je prej një gruaje të huaj”.
3 Prandaj Jefteu iku larg vëllezërve dhe banoi në tokën Tob. Rreth tij u bashkuan disa njerëz pa plëng e çetonin me të.
4 Diku asokohe amonasit po bënin luftë kundër Izraelit.
5 Kur ata ashpërsuan luftën, krerët e Izraelit u nisën prej Galaadit për ta marrë për ndihmë në anën e vet prej tokës së Tobit Jefteun.
6 I thanë: “Eja e bëju kapedani ynë e të luftojmë kundër amonasve”.
7 Por ai iu përgjigj: “Po a nuk jeni ju ata që më urreni e më keni dëbuar prej shtëpisë së tim eti? Tani vini tek unë që paskeni rënë ngushtë”!
8 Krerët e Galaadit i thanë Jefteut: “Pikërisht për këtë arsye kemi ardhur tani tek ti: eja me ne e lufto kundër amonasve dhe do të bëhesh kapedani i të gjithëve ne që jetojmë në Galaad”.
9 E Jefteu u tha: “Nëse po më ktheni atje për të luftuar si prijës juaji kundër bijve të Amonit dhe nëse Zoti i lëshon ata në duart e mia, unë do të jem kryetari juaj”.
10 Ata iu përgjigjën: “Zotin, që i dëgjon këto fjalë, e vëmë ndërmjetës e dëshmitar se do të bëjmë siç thua ti”.
11 Jefteu shkoi me krerët e Galaadit. Mbarë populli e bëri prijës të vetin. Jefteu i përsëriti fjalët e veta para Zotit në Masfë.
12 Jefteu dërgoi përfaqësues te mbreti i bijve të Amonit, që t’i thonë prej anës së tij: “Ç’kemi kundër njëri‑tjetrit që erdhe kundër meje për të më pushtuar tokën time”?
13 Mbreti iu përgjigj: “Sepse Izraeli e mori tokën time kur erdhi nga Egjipti, prej kufijve të Arnonit deri në Jabok e në Jordan. Tani ma kthe me paqe”.
14 Jefteu përsëri dërgoi lajmëtarë dhe u urdhëroi t’i thonë mbretit të Amonit:
15 ”Kështu thotë Jefteu: Izraeli nuk e mori tokën e Moabit as tokën e bijve të Amonit.
16 Por, kur dolën prej Egjiptit, Izraeli udhëtoi nëpër shkretëtirë deri në Detin e Kuq dhe erdhi në Kades.
17 Atëherë dërgoi lajmëtarë te mbreti i Edomit me këtë lutje: ‘Më lejo, të lutem, të kaloj nëpër tokën tënde.’ Por ai nuk deshi t’ia dëgjojë lutjen. Ai i dërgoi gjithashtu edhe te mbreti i Moabit, por edhe ai nuk deshi t’i lejojë kalimin. Kështu, pra, Izraelitët mbetën në Kades.
18 Atëherë përshkoi shkretëtirën, duke iu shmangur tokës së Edomit e tokës së Moabit, dhe arriti në lindje të tokës së Moabit. E nguli ja përtej Arnonit dhe nuk deshi të hyjë brenda kufijve të Moabit. E Arnoni është kufiri i tokës së Moabit.
19 Pastaj Izraeli dërgoi lajmëtarë te Sehoni, mbreti i amorrenjve, mbreti i Hesebonit, e i tha: ‘Më lejo të kaloj nëpër tokën tënde deri në vendin tim’.
20 Por as ky nuk u dha rëndësi fjalëve të Izraelit e nuk e la të kalonte nëpër tokën e tij, por, madje, bashkoi mbarë popullin e vet dhe i doli para në Jasë e nisi luftën me Izraelin.
21 Por Zoti e lëshoi në dorë të Izraelit me të gjithë ushtrinë e tij. Izraeli e goditi dhe pushtoi mbarë tokën e Amorreut, banuesit të atij vendi,
22 mbarë territorin e tij prej Arnonit e deri në Jabok dhe prej shkretëtirës e deri në Jordan.
23 Pra, Zoti, Hyji i Izraelit, qe ai që e shpartalloi Amorreun në praninë e popullit të vet Izraelit! E ti tani na dashke ta bësh pronë tokën e tij?
24 Pse a nuk të takon me të drejtë edhe ty prona që ta jep Kamosi, zoti yt? Ta dish veçse edhe se ç’e fitoi Zoti, Hyji ynë, si ngadhënjyes, është prona jonë!
25 Pse, a mos je më i mirë se Balaku, biri i Seforit, mbreti i Moabit? A bëri ai ankesë kundër Izraelit ose a i shpalli ndoshta luftë?
26 tani e treqind vjet Izraeli banon në Hesebon e në fshatrat e tij, në Aroer e në terrenin e tij edhe në të gjitha qytetet përbri Arnonit, përse gjatë tërë kësaj kohe s’ndërmorët asgjë deri tani?
27 Kështu, pra, unë s’të kam kurrfarë faji, por je ti që po më mbetesh në qafë duke më shpallur luftë jo të drejtë! Gjykoftë sot Zoti, Gjykatës, ndërmjet bijve të Izraelit e bijve të Amonit”.
28 Por mbreti i amonasve s’deshi t’i dëgjonte fjalët e Jefteut që i kishte dërguar me anë të kasnecëve.
29 Dhe shpirti i Zotit e pushtoi Jefteun. E përshkoi Galaadin e Manaseun e erdhi në Masfë të Galaadit, e prej këndej te bijtë e Amonit.
30 Por Jefteu i bëri Zotit një kusht. Tha: “Nëse do t’i lëshosh bijtë e Amonit në duar të mia,
31 të parin që do të dalë nga dera e shtëpisë sime për të më takuar kur të kthehem si ngadhënjyes mbi amonasit, do t’ia kushtoj Zotit fli shkrumbimi”.
32 U ra pra Jefteu bijve të Amonit për t’i luftuar dhe Zoti ia lëshoi në dorë.
33 Dhe i shkallmoi prej Aroerit e derisa të mbërrish në Menit, njëzet qytete, e deri në Abelharmim: një humbje tmerrësisht e madhe.
Bijtë e Amonit qenë mposhtur prej bijve të Izraelit.
34 Ndërsa Jefteu po kthente në Masfë në shtëpinë e vet, kur ja, duke vallëzuar e duke i rënë dajres, i doli para vajza e vetme! S’kishte tjetër as djalë as vajzë!
35 Posa e pa, i shqeu petkat e veta e dënesi: “Heu, bija ime! Ti më shtive në dhe! Qenke edhe ti ndër ata që më sjellin fatkeqësinë! Ju kushtova Zotit e s’mund të bëj ndryshe”!
36 Ajo iu përgjigj: “Nëse iu kushtove Zotit, bëj me mua gjithë si të jesh kushtuar, mjaft që Zoti ka bërë që t’u hakmerresh armiqëve të tu, bijve të Amonit, e të ngadhënjesh mbi ta”!
37 Pastaj i tha t’et: “Po të lutem më bëj vetëm këtë nderë: Më lër të lirë vetëm dy muaj të endem maleve me shoqet e mia e ta vajtoj virgjërinë time”.
38 Ai iu përgjigj: “Shko!” ‑ dhe e la të shkonte për dy muaj. Ajo shkoi me shoqet e veta dhe maleve vajtonte virgjërinë e vet.
39 Si u kryen dy muaj, u kthye tek i ati. Ai e kreu mbi të kushtin që kishte bërë. Ajo kurrë nuk njohu burrë. Që atëherë u bë zakon në Izrael, dhe ky zakon u mbajt,
40 vit për vit të bashkohen vajzat e Izraelit dhe të vajtojnë bijën e Jefteut të Galaadit për katër ditë.