1 Pas vdekjes së Jozuehut izraelitët e pyetën për këshillë Zotin dhe thanë: “Cili nesh do të dalë i pari te Kananeu për të luftuar kundër tij”?
2 Zoti u përgjigj: “Le të dalë Juda! Ja, unë po e lëshoj tokën në duar të tija”.
3 Juda atëherë i tha Simonit, të vëllait: “Dil me mua në shortin tim e të luftojmë kundër Kananeut, dhe kur të të bjerë shorti ty, unë do të vij me ty”. Simoni shkoi me të.
4 Shkoi Juda dhe Zoti ua lëshoi në duar të tyre Kananeun dhe Ferezeun. Në Bezek i vranë dhjetë mijë vetë.
5 Në Bezek gjetën Adonibezekun, luftuan kundër tij dhe i mundën Kananeun e Ferezeun.
6 Por Adonibezeku iku. Ata e ndoqën, e zunë dhe ia prenë pëlqerët e duarve e të këmbëve të tija.
7 Adonibezeku tha: “Shtatëdhjetë mbretër, pasi ua preva pëlqerët e duarve e të këmbëve, mblidhnin dromca nën tryezën time. Siç bëra, ashtu ma ktheu Zoti mua”. E çuan në Jerusalem dhe atje vdiq.
8 Atëherë djemtë e Judës e sulmuan Jerusalemin dhe e morën. Banorët i prenë me shpatë e qytetin e dogjën.
9 Pastaj shkuan për të luftuar kundër Kananeut, që banonte në Malësi, në Nageb e në Sefelë.
10 Pastaj Juda shkoi kundër Kananeut që banonte në Hebron, që dikur quhej Kariatarbe dhe aty e mundi Sesain, Ahimanin e Tolmain.
11 Prej andej shkoi kundër banorëve të Dabirit, i cili dikur quhej Kariatsefer /d. m. th. Qyteti i Letrarëve/.
12 Atëherë Kalebi tha: “Kush ta godasë Kariatseferin dhe ta pushtojë, do t’ia jap Aksën, time bijë, për grua”.
13 Pasi e pushtoi Otonieli, biri i Cenezit, vëllai i vogël i Kalebit, ia dha Aksën, vajzën e vet, për grua.
14 Ajo, ndërsa po shkonte, e nxiti të kërkonte prej babait të vet një arë. Kështu, pra, zbriti prej gomarit e Kalebi i tha: “Çka ke”?
15 E ajo iu përgjigj: “Më bëj një nder. Pasi ma ke dhënë tokën e thatë, më jep edhe një tokë që të ketë ujë”. Kështu Kalebi i dha Burimet e Larta e Burimet e Poshtme.
16 Bijtë e Hobabit cineas, kunatit të Moisiut, u ngjitën prej qytetit të Palmave bashkë me bijtë e Judës në shkretëtirën e Judës, që është në krahun e mesditës të Aradit. Ngulën aty me amalecitët.
17 Pastaj Juda u çua e shkoi me të vëllanë, Simonin, dhe së bashku i ranë Kananeut që banonte në Sefat, dhe e goditën qytetin me “mallkim.” Dhe iu ngjit emri Hormë /d. m. th. Mallkim/.
18 Juda e pushtoi Gazën me territoret e saj, Askalonin dhe Akaronin me territoret e tyre.
19 Zoti ishte me Judën e ai pushtoi edhe Malësitë. Por nuk mund t’i shpërngulte banorët e vërrisë, sepse kishin shumë karroca hekuri.
20 Kalebit ia dhanë Hebronin siç kishte urdhëruar Moisiu. E Kalebi i dëboi prej Hebronit tre bijtë e Enakut.
21 Bijtë e Beniaminit nuk e dëbuan Jebuseun prej Jerusalemit, e kështu Jebuseu banoi në Jerusalem bashkë me bijtë e Beniaminit deri në ditën e sotme.
22 Po edhe Shtëpia e Jozefit u nis për Betel, dhe Zoti qe me ta.
23 E njëmend, kur i bënë hetime qytetit ‑ ky më parë quhej Luzë,
24 vëzhguesit panë një njeri tek po dilte prej qytetit dhe i thanë: “Na e trego hyrjen në qytet dhe do të jemi të mëshirshëm me ty”.
25 Ai u tregoi nga mund të hynin në qytet. Të gjithë në qytet i prenë me shpatë, kurse atë njeri me mbarë farefisin e tij e lanë të shkonte.
26 Ky njeri shkoi në dheun e Hetimit dhe atje ndërtoi një qytet, të cilin e quajti Luzë. Kështu quhet edhe sot e kësaj dite.
27 Kurse Manaseu nuk e pushtoi Betsanin as Tanakun me fshatrat e tyre. As nuk i dëboi banorët e Dorit, të Jeblaamit e të Magedos me fshatrat e tyre. Kështu kananenjtë qëndruan në atë vend.
28 Kur mori fuqi Izraeli, i ngarkoi me angari dhe nuk deshi t’i dëbojë prej vendit.
29 Po as Efraimi nuk i dëboi kananenjtë që banonin në Gazer, por kananenjtë banuan në mesin e tyre në Gazer.
30 As Zabuloni nuk i dëboi banorët e Cetronit as të Naalolit, por Kananeu banoi në mesin e tyre dhe qe ngarkuar me angari.
31 Po ashtu as Aseri nuk i shpërnguli banorët e Akos, të Sidonit, të Ahalabit, të Ahazibit, të Helbës, të Afekut e të Rohobit.
32 Kështu Aseri banoi në mes të kananenjve, banorëve të atij vendi, sepse nuk i shpërnguli.
33 Neftaliu nuk i shpërnguli banorët e Betsamesit e të Betanatit dhe banoi ndër kananenj, banorët e vendit dhe betsamitët e betanitët u bënë skllevërit e tyre.
34 Amorrenjtë i shtytën bijtë e Danit në male dhe nuk i lanë të zbritnin në fushë.
35 Amorrenjtë vazhduan të jetojnë në Harhares, në Ajalon e në Salebim; porse dora e bijve të Jozefit u rëndua mbi ta dhe i ngarkuan me angari.
36 Territori i amorrenjve ishte prej Përpjetës Akrabim deri në Qeta e më lart.