< Gjn 8 Gjn 10 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Gjonit(Gjn 9)
9

1 Duke kaluar rrugës pa një njeri të verbër, që kishte lindur i verbër.

2 Nxënësit e tij e pyetën:

“Rabbi, kush mëkatoi, ky apo prindërit e tij që lindi i verbër?”

3 “Nuk mëkatoi as ky as prindërit e tij ‑ u përgjigj Jezusi ‑ por ndodhi kështu që në të të dëftohen veprat e Hyjit.

4 Derisa të jetë ditë

na duhet t’i kryejmë veprat

e Atij që më dërgoi

Po vjen nata,

kur askush s’mund të punojë.

5 Derisa të jem në botë,

jam drita e botës.”

6 Si tha kështu, pështyu në dhe, bëri baltë me pështymë, ia leu sytë me baltë

7 dhe i tha: “Shko e lahu në banjën Siloam (që do të thotë; I dërguari)”. Ai shkoi, u la dhe, kur po kthehej, shihte.

8 Fqinjët e tij dhe ata, që më parë e kishin parë duke lypur, thoshin:

“Po a nuk është ky ai që rrinte e lypte?”

9 “Ai është” ‑ thoshin disa.

“Jo, por është një që i përngjan atij ‑ thoshin disa të tjerë. Ai vetë thoshte:

“Unë jam”

10 Atëherë i thanë:

“Po si (atëherë) të erdhi drita e syve?”

11 Ai u përgjigj:

“Njeriu që quhet Jezus, përzjeu baltë, m’i leu sytë dhe më tha: ‘Shko në Siloam dhe lahu!’ Shkova, pra, u lava dhe pashë.”

12 “Ku është ai?” ‑ i thanë.

“Nuk di” ‑ u përgjigj.

13 Atëherë e çuan atë, që përpara ishte i verbër, te farisenjtë.

14 Ajo ditë kishte qenë e shtunë, kur Jezusi përzjeu baltën dhe ia dha dritën e syve.

15 Edhe farisenjtë filluan prapë ta pyesin si e fitoi të pamit e syve. Ky u përgjigj:

“Më vuri baltë në sy, unë u lava ‑ dhe, ja, tani shoh!”

16 Atëherë disa prej farisenjve thanë:

“Ky njeri nuk është prej Hyjit, sepse nuk e mban të shtunën!”

Por disa të tjerë thoshin:

“Një mëkatar si mund të bëjë këso shenjash?”

Dhe u bë përçarje ndër ta.

17 Pastaj e pyetën prapë të verbërin:

“E ti, çfarë thua për atë njeri që ta dha të pamit e syve?”

“Është profet” ‑ iu përgjigj.

18 Judenjtë nuk besuan se kishte qenë vërtet i verbër dhe se iu shëruan sytë, derisa thirrën prindërit e atij që u shërua,

19 dhe i pyetën:

“A është ky djali juaj, për të cilin pohoni se lindi i verbër? E si sheh tani?”

20 Atëherë prindërit e tij u përgjigjën:

“E dimë se ky është djali ynë dhe se lindi i verbër.

21

Si sheh tani, nuk e dimë. As nuk dimë se kush ia shëroi sytë. Pyetni atë: është njeri i rritur, ai do t’ju tregojë për vete.”

22 Prindërit e tij folën kështu, sepse i druanin judenjtë. E njëmend, judenjtë kishin marrë vendim të përjashtohet nga sinagoga ai që Jezusin do ta dëshmonte për Mesi.

23 Për këtë arsye u përgjigjën prindërit e tij: ‘I rritur është, pyetni atë!’

24 Atëherë e thirrën për së dyti atë që kishte qenë i verbër dhe i thanë:

“Jepi lavdi Hyjit! Ne e dimë se ai është njeri mëkatar!”

25 “A është mëkatar ‑ u përgjigj ‑ s’e di; një gjë e di: kam qenë i verbër e tani shoh!”

26 Atëherë ata i thanë:

“Çka të bëri? Si t’i shëroi sytë?”

27 “Tashti ju thashë ‑ u përgjigj ‑ e nuk më dëgjuat? Çka? Doni prapë të dëgjoni? A mos doni të bëheni edhe ju nxënësit e tij?”

28 Atëherë ata filluan ta fyejnë e i thoshin:

“Ti je nxënësi i tij! Ne jemi nxënësit e Moisiut!

29 Ne e dimë se Hyji ka folur me Moisiun e për këtë nuk dimë as prej nga është!”

30 “Pikërisht kjo gjë është e çuditshme ‑ u përgjigj njeriu ‑ ju s’dini as prej nga është, e mua më dha dritën e syve!

31 E ne e dimë fort mirë se Hyji nuk i dëgjon mëkatarët, por dëgjon atë që e nderon Hyjin dhe e kryen vullnetin e tij!

32 Që prej amshimit s’është dëgjuar se ndokush ia ka dhënë të pamit e syve të verbërit që lindi i verbër!

33 Po të mos ishte ky njeri prej Hyjit, s’do të mund të bënte asgjë!”

34 “Që kur linde, s’je tjetër veç mëkat ‑ iu përgjigjën ‑ e ti po na mëson!?”

Dhe e hodhën përjashta.

35 Jezusi e mori vesh se e kishin qitur jashtë. Kur e gjeti, i tha:

“A beson ti në Birin e njeriut?”

36 Ai iu përgjigj:

“Po kush është ai, Zotëri, që të besoj në Të?”

37 “E pe ‑ i tha Jezusi ‑ Është ai që po flet me ty!”

38 Ai tha:

“Besoj, o Zot!” dhe ra përmbys para tij.

39 Jezusi i tha:

“Erdha në këtë botë të bëj gjyq:

që të shohin ata që janë të verbër

e të verbohen ata që shohin!”

40 Disa prej farisenjve që ishin me të i dëgjuan këto fjalë dhe thanë:

“Vallë, a thua edhe ne jemi të verbër?”

41 Jezusi u përgjigj:

“Po të ishit të verbër,

s’do të kishit mëkat.

Porse ju thoni: ‘Shohim!’

prandaj mëkati juaj mbetet.”



Fjala e Zotit