< Gjn 20 Vap 1 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Gjonit(Gjn 21)
21

1 Pastaj Jezusi prapë iu dëftua nxënësve në breg të detit të Tiberiadit. U dëftua kështu:

2 Ishin bashkë Simon‑Pjetri, Toma, që quhet Binjak, Natanaeli, nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë prej nxënësve të tij.

3 U tha Simon‑Pjetri:

“Po shkoj të gjuaj peshk.”

“Po vijmë edhe ne me ty!” ‑ i thanë ata.

U nisën, pra, e hynë në lundër, por atë natë nuk zunë asgjë.

4 Kur zbardhi drita, ja, Jezusi në breg. Nxënësit nuk e dinin se ishte Jezusi.

5 Jezusi u tha:

“Djelmosha, a keni ndopak peshk?”

“Jo!” ‑ u përgjigjën ata.

6 Ai u tha:

“Qitni rrjetën në anën e djathtë të lundrës e do të gjeni!”

Ata e hodhën e nuk mund ta nxirrnin, aq u ngarkua me peshk.

7 Atëherë ai nxënësi, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Është Zotëria!” Simon‑Pjetri, si dëgjoi se është Zotëria, u mbështoll me petkun e sipërm ‑ sepse ishte i zhveshur ‑ dhe u hodh në det.

8 Nxënësit e tjerë erdhën me lundër duke hequr rrjetën me peshk, sepse nuk ishin larg bregut ‑ reth dyqind kutë.

9 Si dolën në tokë, panë zjarrin me prush e mbi të peshk, dhe bukë.

10 Jezusi u tha:

“Bini ndonjë nga peshqit që zutë tani!”

11 Atëherë Simon‑Pjetri hipi në lundër, e nxori në tokë rrjetën plot me peshk: njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Dhe, megjithëse ishin aq shumë, prapë nuk u shqye rrjeta.

12 Jezusi u tha: “Ejani e hani!” Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë: “Kush je ti?”, sepse e dinin mirë se ishte Zotëria.

13 Jezusi u afrua, mori bukën e ua dha. Po ashtu edhe peshkun.

14 Ishte kjo hera e tretë që Jezusi iu dëftua nxënësve të vet pasi u ngjall së vdekuri.

15 Pasi hëngrën mëngjesin, Jezusi e pyeti Simon‑Pjetrin:

“Simon Gjoni, a më do ti më shumë se këta?”

“Po, Zotëri ‑ iu përgjigj ‑ Ti e di se të dua!”

“Kulloti qengjat e mi! ‑ i tha Jezusi.

16 Prapë e pyeti të dytën herë:

“Simon Gjoni, a më do ti mua?”

“Po, Zotëri, ti e di se të dua!” ‑ iu përgjigj Pjetri.

“Kulloti delet e mia!” ‑ vijoi Jezusi.

17 I tha për të tretën herë:

“Simon Gjoni, a më do?”

Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë:

‘A më do?’ dhe iu përgjigj:

“Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua!”

I tha Jezusi:

“Kulloti delet e mia!”

18 Përnjëmend, përnjëmend po të them:

kur ti ishe më i ri

e ngjeshje vetveten

dhe shkoje kah doje;

porse kur të plakesh,

do t’i hapësh duart

e një tjetër do të të ngjeshë

e do të të çojë, ku ti nuk dëshiron.”

19 I tha këto fjalë për t’i lajmëruar se me ç’vdekje do ta lavdëronte Hyjin. Pastaj i tha: “Më ndiq mua!”

20 Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte nxënësi të cilin Jezusi e donte [posaçërisht], ai që në kohën e Darkës e mbështeti kokën në parzmën e Jezusit dhe e pati pyetur: “Zotëri, kush është ai që do të të tradhtojë?”

21 Kur Pjetri e vuri re këtë, i tha Jezusit:

“Zotëri, e çka do të ndodhë me këtë?”

22 Jezusi iu përgjigj:

“Nëse dua që ky të mbesë derisa të vij unë, ty ç’po të duhet? Ti eja pas meje!”

23 Këndej edhe u hap ndër vëllezër fjala se ai nxënës nuk do të vdiste. E pra, Jezusi nuk tha “Nuk do të vdesë!”, por “‘Nëse dua që ky të mbesë derisa të vij unë [ty ç’po të duhet?’]”

24 Ky nxënës është ai që i dëshmon këto gjëra dhe vetë ai i shkroi. Ne e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë.

25 Ka edhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat po të renditeshin një nga një, më thotë mendja se as mbarë bota s’do t’i zinte librat, që do të duhej të shkruheshin.



Fjala e Zotit