< Gjn 13 Gjn 15 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Gjonit(Gjn 14)
14

1 “Mos t’ju shqetësohet zemra!

Besoni në Hyjin

edhe në mua besoni!

2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa.

Po të mos kishte, a do t’ju thoja:

‘Po shkoj t’ju bëj gati vendin’?

3 Kur të shkoj e t’ju përgatis vendin,

do të vij prapë e do t’ju marr tek unë,

që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.

4 Ku shkoj unë, ju e dini rrugën.”

5 “Zotëri ‑ i tha Toma ‑ Ne s’dimë kah po shkon. Si, pra, mund ta dimë udhën?”

6 Jezusi u përgjigj:

“Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta.

Askush nuk shkon tek Ati përveçse nëpër mua.

7 Nëse më njohët mua,

do ta njihni edhe Atin tim.

Që tani e njihni

dhe e keni parë.”

8 Filipi i tha:

“Zotëri, na e dëfto Atin e na mjafton!”

9 “O Filip ‑ i tha Jezusi ‑ kaq shumë kohë jam me ju e nuk më njohe ende?

Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin.

Si thua, pra: ‘Na e dëfto Atin!’

10 Po a nuk beson

se unë jam në Atin e Ati është në mua?

Fjalët që jua them, nuk jua them prej vetvetes:

Ati që banon në mua i kryen veprat e veta.

11 Më besoni mua:

Unë jam në Atin dhe Ati është në mua.

Përndryshe, besoni për shkak të vetë veprave!

12 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

kush beson në mua,

veprat që i bëj unë edhe ai do t’i bëjë.

Madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto,

sepse unë po shkoj tek Ati.

13 Dhe çdo gjë që të kërkoni në Emër tim

do ta bëj

që të lavdërohet Ati në Birin.

14 Nëse do të më kërkoni ndonjë gjë në

Emër tim, do ta bëj.”

15 “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia.

16 Edhe unë do t’i lutem Atit

dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër,

që të jetë me ju përgjithmonë:

17 Shpirtin e së Vërtetës,

që bota s’mund ta marrë,

sepse nuk e sheh as nuk e njeh.

Ju e njihni

sepse Ai banon me ju e është në ju.

18 Nuk do t’ju lë jetimë;

do të vij tek ju.

19 Edhe pak kohë e bota nuk do të më shohë më,

ndërsa ju do të më shihni,

sepse unë jetoj edhe ju do të jetoni.

20 Atë ditë do ta kuptoni

se unë jam në Atin tim,

ju në mua e unë në ju.

21 Kush i ka urdhërimet e mia dhe i mban,

ai më do;

dhe atë që më do mua,

do ta dojë edhe Ati im,

edhe unë do ta dua

dhe do t’i dëftohem.”

22 I tha Juda, jo ai Iskarioti:

“Zotëri, [e] ç’ndodhi që do të na dëftohesh neve

e jo botës?”

23 Jezusi iu përgjigj:

“Nëse ndokush më do,

ai do të ma mbajë fjalën,

Ati im do ta dojë,

tek ai do të vijmë

dhe tek ai do të banojmë.

24 Kush nuk më do,

nuk i mban fjalët e mia.

E fjala që po dëgjoni, nuk është imja,

por është e Atij, që më dërgoi, ‑ e Atit.

25 Këto fjalë jua thashë

ndërsa banova me ju.

26 E Shpirti Shenjt ‑ Mbrojtës,

të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim,

Ai do t’jua mësojë të gjitha

dhe do t’ju përkujtojë gjithçka [unë] ju thashë.

27 Po ju lë paqen,

po ju jap paqen time!

Nuk po jua jap siç e jep bota.

Mos t’ju shqetësohet zemra

as të mos ju trembet.

28 Ju dëgjuat se ju thashë:

‘Po shkoj dhe do të kthehem tek ju’.

Po të më donit, do të galdonit

se po shkoj tek Ati,

sepse Ati është më i madh se unë.

29 Ju thashë tani

‑ para se të ndodhë,

që të besoni kur të ndodhë.

30 S’do të flas më shumë me ju,

pse po afrohet princi i botës.

Ai kundër meje s’mundet asgjë.

31 Por, që ta dijë bota se e dua Atin

dhe se bëj ashtu si më urdhëroi Ai.

Çohuni! Të shkojmë prej këndej!”



Fjala e Zotit