1 Gjashtë ditë para Pashkëve Jezusi erdhi në Betani, ku jetonte Lazri, të cilin Jezusi e ngjalli prej së vdekuri.
2 Aty ia bënë gati darkën. Marta u shërbente e njëri ndër ata, që ishin në tryezë me Jezusin, ishte Lazri.
3 Atëherë Maria mori një libër parfum nardi të pastër e shumë të shtrenjtë, ia leu këmbët Jezusit dhe ia fshiu me flokët e vet. Shtëpia u mbush me erën e këndshme të parfumit.
4 Atëherë, Judë Iskarioti ‑ njëri prej nxënësve të tij, ai që kishte në mend ta tradhtonte ‑ tha:
5 ”Pse nuk u shit ky parfum për treqind denarë e nuk iu nda skamnorëve?”
6 Foli kështu, jo pse kishte fort kujdes për skamnorë, por pse ishte vjedhës e pasi ai e mbante qesen, vidhte çka vihej brenda.
7 Atëherë Jezusi tha: “Lëre! Le ta bëjë këtë për ditën e varrimit tim!
8 Skamnorët i keni gjithmonë me ju, kurse mua nuk do të më keni gjithmonë.”
9 Një shumicë e madhe judenjsh mori vesh se Jezusi po gjendej atje dhe erdhën, jo vetëm për shkak të Jezusit por edhe për të parë Lazrin, të cilin e ngjalli së vdekuri.
10 Atëherë kryepriftërinjtë vendosën të vrasin edhe Lazrin,
11 sepse, për shkak të tij, shumë judenj i linin ata dhe besonin në Jezusin.
12 Të nesërmen, një shumicë e madhe njerëzish që kishin ardhur në Festë, kur dëgjuan se Jezusi po vinte në Jerusalem,
13 morën gema palmash dhe i dolën para. Brohoritnin:
“Hosana!
Qoftë bekuar Ai që vjen në Emër të Zotit!
Mbret i Izraelit!”
14 Jezusi gjeti një gaç, hipi në të siç thotë Shkrimi i shenjtë:
15 “Mos ki frikë, bija e Sionit!
Ja, Mbreti yt po vjen
kalor mbi një gaç!”
16 Këtë gjë nuk e kuptuan menjëherë nxënësit, por vetëm kur Jezusi hyri në lavdinë e vet, atëherë e kuptuan se këto ishin shkruar për të dhe se kishin bërë për të pikërisht ashtu.
17 Tashti turma që kishte qenë me të kur e thirri Lazrin prej varrit dhe e ngjalli prej së vdekuri, i bënte dëshmi.
18 Prandaj [edhe] populli i doli para, sepse u mor vesh se e bëri atë mrekulli.
19 Atëherë farisenjtë i thoshin njëri‑tjetrit: “A po shihni se s’keni ç’të bëni?! Ja, mbarë bota shkoi pas tij!”
20 Ndër ata që kishin ardhur në Festë për të adhuruar, ishin edhe disa grekë.
21 Ata iu afruan Filipit, që ishte prej Betsaidës së Galilesë, dhe iu lutën: “Zotëri, dëshirojmë ta shohim Jezusin.”
22 Filipi shkoi dhe i tha Andreut; Andreu e Filipi shkuan e i treguan Jezusit.
23 Jezusi u përgjigj:
“Arriti ora
të lavdërohet Biri i njeriut.
24 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:
nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes,
mbetet e vetme;
po nëse vdes
jep shumë fryt!
25 Kush e do jetën e vet, do ta humbë.
Ai që e urren jetën e vet në këtë botë,
ai do ta ruajë për jetën e pasosur.
26 Kush do të më shërbejë,
le të vijë pas meje.
Ku jam unë,
atje do të jetë edhe shërbëtori im.
Atë që do të më shërbejë,
do ta nderojë Ati im.”
27 “Tani shpirtin e kam të tronditur
e ç’të them?
O Atë, më shpëto nga kjo orë?
Porse, pikërisht për këtë erdha në këtë orë!
28 O Atë, jepi lavdi Emrit tënd!”
Ndërkaq jehoi një zë prej qiellit: “E lavdërova dhe prapë do ta lavdëroj!”
29 Tashti, populli që ishte pranë dhe po dëgjonte, thoshte: “Bubulloi!” të tjerë thoshin: “Engjëlli foli me të!”
30 Jezusi iu përgjigj: “Ky zë nuk jehoi për mua, por për ju!
31 Tani erdhi dita të gjykohet kjo botë,
tani princi i kësaj bote do të hidhet jashtë!
32 E unë, kur të jem lartësuar nga toka,
do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit”
33 Foli kështu për të shënuar se me ç’vdekje do të vdiste.
34 Atëherë populli iu përgjigj:
“Ne dëgjuam nga Ligji se Mesia mbetet për gjithmonë. Si ti atëherë thua: ‘Biri i njeriut duhet të lartësohet’? Kush është ky: ‘Biri i njeriut’?”
35 Atëherë Jezusi u tha:
“Edhe për pak kohë është drita me ju
Ecni derisa të keni dritë
që të mos ju zërë terri.
Kush ecën në terr
nuk di kah shkon.
36 Derisa të keni dritë, besoni në dritën,
që të bëheni bijtë e dritës.”
@@@
Jezusi, si i foli këto fjalë, doli dhe u fsheh prej tyre.
37 Edhe pse Jezusi kishte bërë aq shumë mrekulli para syve të tyre, ata s’besonin në të,
38 për t’u plotësuar fjala e Isaisë profet që thotë:
“O Zot, e kush i besoi predikimit tonë?
Kujt iu zbulua fuqia e Zotit?”
39 Prandaj, as nuk mund të besonin, sepse Isaia prapë thotë:
40 “Ua verboi sytë,
zemrën e tyre e bëri gur,
që të mos shohin me sy,
të mos kuptojnë me zemër
e të mos kthehen,
që unë të mos i shëroj.”
41 Këto fjalë i tha Isaia, sepse e pa lavdinë e tij e foli për të.
42 Megjithatë shumë edhe prej krerëve besuan në të, porse, për shkak të farisenjve, nuk e tregonin haptazi që të mos i përjashtonin prej sinagogës.
43 Sepse, më tepër e kishin në zemër lavdinë e njerëzve se lavdinë e Hyjit.
44 Jezusi shpalli:
“Kush beson në mua,
nuk beson në mua,
por në Atë që më dërgoi.
45 Kush më sheh mua,
sheh Atë që më dërgoi.
46 Unë ‑ drita ‑ erdha në botë,
që, kushdo që beson në mua,
të mos mbetet në terr.
47 E, nëse ndokush i dëgjon fjalët e mia
e nuk i zbaton,
nuk jam unë ai që e dënoj,
sepse nuk erdha të dënoj botën,
por ta shpëtoj botën.
48 Atë që më përbuz mua
‑ e nuk i pranon fjalët e mia ‑
ka kush e gjykon:
fjala që kam thënë:
‑ ajo do ta gjykojë ditën e fundit.
49 Sepse unë nuk fola prej vetvetes,
porse ai që më dërgoi ‑ Ati ‑
Ai më urdhëroi
çka të them, çka të flas.
50 Dhe e di:
urdhri i tij është Jetë e pasosur.
Prandaj, çka them unë,
flas ashtu si më tha Ati
të them.”