< Gjn 9 Gjn 11 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Gjonit(Gjn 10)
10

1 “Për të vërtetë, për të vërtetë, po ju them: ai që në vathë të deleve nuk hyn nëpër derë, por tjetërkah kërcen brenda, ai është vjedhës dhe cub.

2 Ai që hyn nëpër derë, ai është bariu i deleve.

3 Atij derëtari i çel derën e delet e dëgjojnë zërin e tij. Ai i thërret delet e veta me emër dhe u prin përjashta.

4 E kur i qet përjashta të gjitha delet e veta, u prin dhe delet i shkojnë pas, sepse e njohin zërin e tij.

5 Pas të huajit nuk do të shkojnë me siguri, por do të ikin, sepse nuk e njohin zërin e të huajit.”

6 Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e morën vesh ç’deshi t’u thotë me të.

7 Prandaj Jezusi u tha përsëri:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

unë jam dera e deleve.

8 Të gjithë ata që erdhën (para meje)

janë vjedhës dhe cuba;

porse delet nuk i dëgjuan.

9 Unë jam dera:

kush hyn nëpër mua, do të shëlbohet:

do të hyjë e do të dalë

dhe do të gjejë kullosë.

10 Vjedhësi s’vjen për tjetër, por për të  vjedhur,

për të prerë e për të bërë dëm.

Unë erdha

që delet ta kenë jetën

e ta kenë me plotësi.

11 Unë jam Bariu i mirë.

Bariu i mirë e jep jetën e vet për delet.

12 Rrogëtari ‑ që s’është bari,

të cilit nuk i përkasin delet ‑

kur sheh se po vjen ujku

lë delet e ikën

‑ e ujku i rrëmben dhe i shpërndan:

13 është rrogëtar

dhe nuk shkqetësohet për delet.

14 Unë jam Bariu i mirë:

i njoh të miat

dhe ato më njohin mua.

15 Sikurse Ati më njeh mua

dhe unë e njoh Atin

edhe jetën e jap për delet.

16 Kam edhe të tjera dele,

që nuk janë të kësaj vathe.

Edhe ato më duhet t’i bashkoj

dhe do ta dëgjojnë zërin tim,

do të bëhet një grigjë e vetme

e një Bari i vetëm.

17 Prandaj edhe më do Ati,

sepse e jap jetën time

që ta marr përsëri.

18 Askush nuk mund të ma marrë:

por unë e jap prej vetes.

Kam pushtet ta jap jetën

e kam pushtet ta kthej prapë atë.

Këtë urdhër e mora prej Atit tim.”

19 Këto fjalë shkaktuan përsëri përçarje ndërmjet judenjve.

20 Shumë prej tyre thoshin:

“Ka djallin në trup! Flet marrëzira! Pse ia vini veshin?!”

21 Të tjerë thoshin:

“S’janë këto fjalë të një të djallosuri! A thua djalli mund t’ua çelë sytë të verbërve?”

22 Në Jerusalem po festohej e kremtja e Kushtimit të Tempullit. Ishte dimër.

23 Jezusi ecte në Treme të Salomonit në Tempull.

24 Judenjtë e rrethuan dhe i thanë:

“Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Mesia, na e thuaj haptas!”

25 Jezusi iu përgjigj:

“Ju thashë e ju nuk më besoni.

Veprat që unë bëj në Emër të Atit tim,

ato bëjnë dëshmi për mua.

26 Por ju nuk besoni,

sepse nuk jeni prej deleve të mia.

27 Delet e mia e dëgjojnë zërin tim;

unë i njoh dhe ato vijnë pas meje.

28 Unë u jap jetën e pasosur,

kurrë nuk do të sharrojnë:

askush nuk do t’i rrëmbejë prej dorës sime.

29 Ati im që m’i dha,

është më i madh se të gjithë

dhe askush s’mund t’i rrëmbejë

nga dora e Atit.

30 Unë dhe Ati jemi një.”

31 Judenjtë rishtas kapën gurë për ta vrarë.

32 Jezusi iu përgjigj:

“Ju tregova shumë vepra të mira të Atit tim. Për cilën ndër to doni të më vritni me gurë?”

33 Judenjtë iu përgjigjën:

“Nuk duam të të vrasim me gurë për shkak të ndonjë vepre të mirë, por për shkak të blasfemisë: pse ti, duke qenë njeri, e bën veten Hyj!”

34 Jezusi iu përgjigj:

“A nuk shkruan në Ligjin tuaj:

Unë thashë: hyjni jeni?’

35 Nëse i quajti hyjni ata,

të cilëve u qe drejtur fjala e Hyjit

‑ e Shkrimi i shenjtë nuk mund të zhbëhet ‑

36 si atëherë ju, atij që Ati e shuguroi

dhe e dërgoi në botë,

mund t’i thoni: ‘Po blasfemon’

pse thashë: Jam Biri i Hyjit?

37 Nëse nuk i bëj veprat e Atit tim,

mos më besoni.

38 Por nëse i bëj,

po edhe nëse nuk më besoni mua,

besojuni veprave,

që ta merrni vesh e ta kuptoni

se Ati është në mua

dhe unë në Atin.”

39 Prapë deshën ta kapin, por u doli prej duarve.

40 Jezusi doli prapë matanë Jordanit, në atë vend ku më parë Gjoni pagëzonte dhe zuri vend atje.

41 Shumë erdhën tek ai dhe thoshin: “Gjoni, njëmend, nuk bëri asnjë mrekulli, por, gjithçka tha për këtë njeri, u vërtetua.”

42 Atje besuan shumë në të.



Fjala e Zotit