Duke ngarkuar...

< Lk 24 Gjn 2 >
✠ Lexim prej Ungjillit shenjt sipas Gjonit(Gjn 1)
1

1 Në fillim ishte Fjala e Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj.

2 Kjo ishte në fillim në Hyjin.

3 Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. E çdo gjë që u bë,

4 e pati në Të jetën e Jeta është drita e njerëzve;

5 e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi.

6 Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon.

7 Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të.

8 Ai nuk ishte Drita, por ‑ për të dëshmuar Dritën.

9 Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë.

10 Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohi.

11 Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan.

12 Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij.

13 Këta s’i bëri bij të Hyjit as gjaku as prirja e mishit as prirja e njeriut por ‑ Hyji.

14 E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hir e të vërtetë.

15 Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall: “Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje!’“

16 Vërtet, prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir.

17 Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin.

18 Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm ‑ që është Hyj, një natyre me Atin, Ai bëri të njihet.

19 Dhe, ja, dëshmia e Gjonit! Kur judenjtë nga Jerusalemi dërguan (tek ai) priftërinj dhe levitë për ta pyetur: “Kush je ti?”

20 ai pranoi, nuk e mohoi, por dëshmoi: “Unë nuk jam Mesia!”

21 “Kush, pra? ‑ e pyetën ata ‑ A mos je Elia?” “Nuk jam! ‑ u përgjigj.” “A je Profeti?” “Jo!” ‑ ua ktheu.

22 Atëherë i thanë: “Kush je, që t’u kthejmë përgjegje atyre që na dërguan?”

23 Ai tha: “Unë jam zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: ‘rrafshoni udhën e Zotit!’ siç tha Isaia profet.”

24 Disa prej të dërguarve ishin farisenj.

25 Ata e pyetën: “Pse, atëherë, pagëzon, kur s’je as Mesia, as Elia, as Profeti?”

26 Gjoni u përgjigj: “Unë pagëzoj me ujë. Në mesin tuaj është një që ju nuk e njihni.

27 Është ai që po vjen pas meje, por të cilit [unë] nuk jam i denjë t’ia zgjidh as rripat e sandaleve.”

28 Kjo ndodhi në Betani, përtej Jordanit, ku Gjoni po pagëzonte.

29 Të nesërmen Gjoni e pa Jezusin duke ardhur drejt tij e tha: “Ja, Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës!

30 Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Pas meje vjen një njeri, i cili është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje!’

31 Nuk e kam njohur as vetë, por arsyeja pse erdha e jam duke pagëzuar me ujë është që ky t’i zbulohet Izraelit.”

32 Gjoni dëshmoi edhe: “E pashë Shpirtin Shenjt tek zbriti prej qiellit porsi pëllumb dhe zuri vend mbi të.

33 Unë nuk e njihja atë, porse Ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë, Ai edhe më tha: ‘Në atë që të shohësh se zbret Shpirti Shenjt dhe zë vend në të, ai është që pagëzon me Shpirtin Shenjt.’

34 Unë e pashë dhe dëshmoj: Ky është Biri i Hyjit.”

35 Të nesërmen prapë ishte Gjoni bashkë me dy prej nxënësve të vet dhe,

36 kur e pa Jezusin duke kaluar andej, tha: “Ja, Qengji i Hyjit!”

37 Dy nxënësit e tij dëgjuan ç’tha dhe u nisën pas Jezusit.

38 Jezusi, kur pa se po e ndiqnin, u kthye dhe i pyeti: “Çka kërkoni?” Ata iu përgjigjën: “Rabbi, [që do të thotë: Mësues], ku banon?”

39 “Ejani e shihni!” ‑ iu përgjigj. Ata shkuan e panë ku banonte dhe atë ditë ndenjën tek ai. Ishte rreth orës dhjetë.

40 Njëri prej atyre të dyve që, kur e dëgjuan Gjonin, u nisën pas Jezusit, ishte Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit.

41 Ky më të parin gjeti vëllanë e vet, Simonin, dhe i tha: “E gjetëm Mesinë [që do të thotë: të Shuguruarin]!”

42 Dhe e solli te Jezusi. Jezusi e shikoi dhe i tha: “Ti je Simoni, biri i Gjonit! Ti do të quhesh Kefë!” [që do të thotë: Pjetër‑Shkëmb].

43 Të nesërmen Jezusi vendosi të shkojë në Galile. Takoi Filipin dhe i tha: “Eja pas meje!”

44 Filipi ishte nga Betsaida, prej qytetit të Andreut e të Pjetrit.

45 Filipi takoi Natanaelin dhe i tha: “E gjetëm atë, për të cilin shkrou Moisiu në Ligj dhe Profetët: Jezusin, birin e Jozefit, nga Nazareti.”

46 “A mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti?” ‑ i tha Natanaeli. “Eja e shih”! ‑ iu përgjigj Filipi.

47 Kur Jezusi e pa Natanaelin duke u afruar, tha për të: “Ja një izraelit i vërtetë në të cilin nuk ka dredhi!”

48 “Nga më njeh?” ‑ i tha Natanaeli. Jezusi iu përgjigj: “Para se të të thërriste Filipi, të pashë nën fik!”

49 Atëherë Natanaeli i tha: “Rabbi, ti je Biri i Hyjit! Ti je mbreti i Izraelit!”

50 Jezusi iu përgjigj: “Pse të thashë: ‘Të pashë nën fik’, po beson. Do të shohësh më shumë se kaq!”

51 Dhe shtoi: “Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them: do ta shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Hyjit duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.”



Fjala e Zotit