1 Të tretën ditë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë. Aty ishte edhe nëna e Jezusit.
2 Në dasmë ftuan edhe Jezusin e nxënësit e tij.
3 Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha:
“Nuk kanë më verë!”
4 [E] Jezusi i tha:
“Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!”
5 Nëna e tij u tha shërbyesve:
“Bëni gjithçka t’ju thotë!”
6 Ishin aty të vëna gjashtë enë guri që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve. Secila zinte dy apo tri masë.
7 Jezusi u tha shërbyesve:
“Mbushni enët me ujë!”
Ata i mbushën deri në grykë.
8 “Merrini tani ‑ u tha atëherë ‑ e çojani kryetarit të tryezës.”
Ata ia çuan.
9 Kur kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë ‑ e nuk e dinte nga vinte ‑ shërbyesit, që e kishin mbushur ujin, e dinin ‑ kryetari i tryezës e thirri dhëndrin
10 dhe i tha:
“Çdo njeri më parë vë në tryezë verën e mirë e, kur t’i nxehë pija, sjell verë më të keqe. Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani!”
11 Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të.
12 Pastaj zbriti në Kafarnaum me nënën e vet, me vëllezërit [e vet], e me nxënësit e vet. Aty nuk qëndruan shumë ditë.
13 Ishin afër Pashkët e hebrenjve e Jezusi u ngjit në Jerusalem.
14 Në Tempull gjeti shitës qesh, delesh e pëllumbash dhe këmbyes të hollash duke ndenjur aty.
15 Atëherë punoi një frushkull konopësh dhe i dëboi nga Tempulli të gjithë së bashku me dele e me qe. Këmbyesve u derdhi të hollat dhe u rrëzoi tavolinat.
16 Shitësve të pëllumbave u tha:
“Hiqini këta prej këndej e mos e bëni shtëpinë e Atit tim, shtëpi tregtie!”
17 Nxënësit e tij u kujtuan se është në Shkrimin e shenjtë:
“Zelli për Shtëpinë tënde më bren!”
18 Atëherë ndërhynë judenjtë dhe e pyetën:
“Ç’shenjë na jep duke vepruar kështu?”
19 Jezusi iu përgjigj:
“Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri ditë!”
20 “Dyzet e gjashtë vjet zgjati ndërtimi i këtij Tempulli ‑ iu përgjigjën judenjtë ‑ e ti do ta ndërtosh për tri ditë?”
21 Porse Jezusi foli për tempullin e trupit të vet.
22 Kur u ringjall prej së vdekuri, atëherë u ra ndër mend nxënësve se këtë kishte dashur të thotë dhe i besuan Shkrimit të shenjtë e fjalës që tha Jezusi.
23 Gjatë qëndrimit të Jezusit në Jerusalem në kohë të festës së Pashkëve, shumë besuan në Emrin e tij, kur panë shenjat që bëri.
24 Porse vetë Jezusi nuk kishte shumë besim në ta, sepse i njihte mirë të gjithë.
25 Nuk kishte nevojë t’i dëshmonte kush për njeriun: sepse ai e dinte mirë çka njeriu ndryn përbrenda.