< Gal 1 Gal 3 >
Lexim prej letrës së Shën Palit apostull drejtuar Galatasve(Gal 2)
2

1 Pastaj, pas katërmbëdhjetë vjetësh, përsëri u ngjita në Jerusalem bashkë me Barnabën. Mora me vete edhe Titin.

2 Dhe u ngjita pse i nxitur nga një zbulesë. Ua parashtrova në këshillim ‑ posaçërisht më të rëndësishëmve ‑ Ungjillin që predikoj ndër paganë, që ndoshta të mos veproja ose të mos kisha vepruar kot.

3 Tashti, as Titi që ishte me mua, edhe pse grek, nuk qe shtrënguar të rrethpritej,

4 e kjo për shkak të vëllezërve të rrejshëm që e fusin hundën kudo, të cilët u futën padrejtësisht për të na e cenuar lirinë që na e jep Jezu Krishti ‑ për të na bërë skllevër.

5 Këtyre as për një çast të vetëm nuk u lëshuam pe as nuk u nënshtruam që të ruhej e pacenuar e vërteta e Ungjillit ndër ju.

6 E ata që janë diçka ‑ çka ata ishin dikur, unë s’i jap kësaj rëndësi ‑: Hyji nuk sheh kush është kush, këta njerëz me rëndësi në Kishë, kurrgjë nuk kërkuan të shtohet.

7 Por përkundrazi, ata panë se më qe besuar predikimi i Ungjillit ndër paganë, pikërisht sikurse edhe Pjetrit ndër të rrethprerë ‑

8 pasi Ai që kishte vepruar në Pjetrin për apostullim ndër të rrethprerë, po ashtu kishte vepruar edhe në mua për të mirën e paganëve

9 dhe, duke njohur hirin që më qe dhënë, Jakobi, Kefa e Gjoni ‑ që çmohen shtyllat e fesë ‑ na i shtrinë të djathtat e veta, mua dhe Barnabës, në shenjë të bashkësisë, kështu që ne të shkonim ndër paganë e ata ndër të rrethprerë.

10 Vetëm na porositën t’i kujtojmë të vobektët ‑ gjë që jam kujdesuar ta bëj në mënyrë të veçantë.

Pali i kundërshton Pjetrit

11 Kur Kefa erdhi në Antioki i kundërshtova ndër sy haptas, sepse e meritoi dënimin.

12 E njëmend, para se të arrinin disa njerëz prej rrethit të Jakobit, hante bashkë me paganë, por, kur erdhën ata, nisi të tërhiqej e të ndahej, pse i druante të rrethprerët.

13 Pas shembullit të tij shkuan edhe judenjtë e tjerë, kështu që edhe Barnaba u gënjye prej shtirësisë së tyre.

14 Pra, kur pashë se nuk po ecnin drejtë sipas së vërtetës së Ungjilit, i thashë Kefës para të gjithëve: “Nëse ti, që je hebre, jeton si paganët e jo si hebre, përse paganët i detyron të jetojnë si hebrenj?”

Hebrenjtë e paganët shëlbohen me anë të fesë

15 Ne jemi prej natyre hebrenj, e jo “mëkatarë nga paganizmi.”

16 Dhe e dimë [tashti] se njeriu nuk shfajësohet në saje të veprave të Ligjit, por vetëm në saje të fesë në Jezu Krishtin. Prandaj ne besuam në Jezu Krishtin, që ta fitojmë drejtësinë nga feja e Krishtit e jo nga veprat e Ligjit, sepse ‘askush nuk do të mund ta fitojë drejtësinë’ me anë të veprave të Ligjit.

17 Por, nëse, duke kërkuar të fitojmë drejtësinë në Krishtin ‑ doli në shesh se edhe ne jemi mëkatarë, a mos është atëherë edhe Krishti në shërbim të mëkatit?

Prite Zot!

18 Porse, vërtet, në qoftë se përsëri ndërtoj, çka më parë rrënova, dëshmoj për vetvete se jam kundërvajtës.

19 Sepse, me anë të Ligjit, vdiqa për Ligjin që të jetoj për Hyjin; u kryqëzova bashkë me Krishtin;

20 jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti. E këtë jetë që tani e jetoj në trup, e jetoj në fenë e Birit të Hyjit, i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua.

21 Jo, unë nuk e hedh poshtë hirin e Hyjit, sepse, në qoftë se shfajësimi fitohet me anë të Ligjit, atëherë Krishti ka vdekur kot.



Fjala e Zotit