1 Pali ‑ apostull, jo prej njerëzve as me anë të ndonjë njeriu, por me anë të Jezu Krishtit edhe të Hyjit Atë, që e ngjalli Jezusin prej të vdekurve ‑
2 dhe të gjithë vëllezërit që janë me mua:
Kishave të Galacisë.
3 Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë dhe prej Zotit Jezu Krisht,
4 i cili e flijoi vetveten për mëkatet tona për të na shpëtuar nga shekulli i tashëm i keq, në përkim me vullnetin e Hyjit, Atit tonë,
5 i cili qoftë lavdëruar në shekuj të shekujve! Amen.
Nuk ka veçse një Ungjill
6 Fort po çuditem që kaq shpejt po e lini Atë, që ju thirri në hir [të Krishtit], për të kaluar në një Ungjill tjetër.
7 E pra, Ungjill tjetër nuk ka! Por po, ka asi njerëzish që ju turbullojnë dhe që duan ta shndërrojnë Ungjillin e Krishtit.
8 Tashti, në qoftë se edhe ne vetë ose edhe ndonjë engjëll prej qiellit ‑ ju predikon një Ungjill tjetër, të ndryshëm nga ai, që ju patëm predikuar ne ‑ qoftë mallkuar!
9 Siç ju thamë më parë, po ju them edhe tani përsëri: nëse ndokush ju shpall një ungjill tjetër, të ndryshëm nga ai, që e pranuat ‑ qoftë mallkuar!
10 Pse, a mos ndoshta unë kërkoj të fitoj përkrahjen e njerëzve e jo të Hyjit? A mos kërkoj t’u pëlqej njerëzve? Po të mundohesha ende t’u pëlqeja njerëzve, nuk do të isha shërbëtori i Krishtit.
Si u thirr Pali apostull
11 Tani, o vëllezër, po ju vë në dijeni: Ungjilli që ju kam predikuar, nuk është vepër njerëzish;
12 sepse atë as nuk e mora, as nuk e mësova prej ndonjë njeriu, por ma zbuloi Jezu Krishti.
13 Keni dëgjuar sigurisht për sjelljen time të dikurshme në judaizëm: si e salvoja mbi çdo masë Kishën e Hyjit dhe mundohesha ta shkretoja atë
14 e, ngaqë isha tepër i dhënë pas traditave të të parëve të mi, i tejkalova në judaizëm shumicën e moshatarëve në kombin tim.
15 Porse, kur Atij, që më zgjodhi që në kraharorin e nënës dhe më thirri me hirin e vet, i pëlqeu
16 ta zbulojë në mua Birin e vet për ta shpallur ndër paganë ‑ unë, menjëherë, pa u këshilluar me asnjë njeri
17 e pa u ngjitur aspak në Jerusalem te ata që para meje ishin apostuj, shkova në Arabi dhe përsëri u ktheva në Damask.
18 E vetëm pas tri vjetësh u ngjita në Jerusalem, për t’u njohur me Kefën e ndenja te ai pesëmbëdhjetë ditë.
19 Të tjerë prej apostujve, përveç Jakobit, vëllait të Zotit, nuk pashë asnjë.
20 Për çka po ju shkruaj betohem para Hyjit se nuk ju rrej.
21 Pastaj kalova në krahinat e Sirisë e të Cilicisë.
22 Personalisht isha i panjohur për Kishat e Krishtit në Jude.
23 Ato vetëm kishin dëgjuar: “Ai që dikur na salvonte, tani shpall fenë që dikur e shkretonte, ”
24 dhe e lavdëronin Hyjin për shkak tim.