< Fu 29 Fu 31 >
Lexim prej librit të Fjalëve të urta(Fu 30)
30

1

Fjalët e Agurit, birit të Jacesit, nga Masa.

Thëniet e këtij njeriu të drejtuara

Itielit për Itielin e për Ukalin.

2 Po, vërtet, unë jam më i padijshmi njeri,

dija njerëzore nuk rri tek unë.

3 Kurrë nuk mësova urti,

as s’e njoh mençurinë e shenjtërve.

4 Kush u ngjit në qiell e pastaj zbriti?

Kush mundi ta mbajë erën në grusht të vet?

Kush i bashkoi ujërat në mallotën e vet?

Kush i caktoi skajet e dheut?

Si e ka emrin ai e si e ka emrin biri i tij, a e di?

5 Çdo fjalë e Hyjit është e sprovuar

dhe është mburojë për ata që shpresojnë në të.

6 Asgjë mos u shto fjalëve të tija

që të mos qortohesh

e të dalësh rrenacak.

7 Të lutem të më japësh dy gjëra,

mos m’i moho deri të vdes:

8 dëboji prej meje kotësi e gënjeshtër,

mos më jep as skam as pasje,

më jep vetëm sa më kërkohet për jetesë;

9 sepse, tepër mirë i ngirë, mund të të mohoj

e të them: “Kush është Zoti?”,

ose, i shtytur nga varfëria e tepërt, të vjell,

e kështu ta çnderoj emrin e Hyjit tim.

10 Mos iu shpif shërbëtorit para zotërisë së tij,

që të mos nëmë e mbi ty të bjerë nëma e tij.

11 Ka pjellë të keqe që e mallkon babain e vet

dhe që nuk e bekon nënën e vet.

12 Pjellë që e mban veten për të pastër

e s’është larë nga ndytësia e vet;

13 pjellë që, o sa lart i mban sytë

e sa fort i lartëson qepallat e veta!

14 Pjellë që dhëmbët i ka shpatë

e, në vend të dhëmbëve prerës, thika

për t’i ngrënë skamnorët e vendit

e të vobektit prej mesit të njerëzve.

15 Dy bija ka ushunjëza:

“Jep, jep”!

Tri gjëra nuk ngihen kurrë,

madje katër nuk thonë kurrë: “Mjaft!”:

16 varri, barku i beronjës,

toka që s’ngopet me ujë

dhe zjarri që kurrë s’thotë: “Mjaft!”.

17 Syrin e atij që përqesh të atin

e të atij që nuk e dëgjon të ëmën:

ia nxjerrshin korbat e përroit,

ia ngrënçin zogjtë e shqiponjës!

18 Tri gjëra janë për mua tepër të vështira,

madje katër s’i marr aspak vesh:

19 udhën e shqiponjës nëpër ajr,

udhën e gjarprit nëpër qetë,

udhën e anijes nëpër det

e udhën e njeriut drejt vajzës së re.

20 E tillë është edhe udha e gruas kurorëshkelëse,

e cila ha, i fshin buzët dhe thotë:

“S’bëra asgjë të keqe.”

21 Ja tri gjëra prej të cilave trandet toka,

madje katër që s’mund t’i durojë:

22 Prej skllavit kur bëhet mbret,

prej të marrit kur ngihet me bukë,

23 prej vajzës djemnueshë kur merret për grua,

prej shërbëtores kur zë vendin e gruas.

24 Katër kafshë janë shumë të vogla mbi tokë,

por janë më të urta se të urtët:

25 Thneglat, qenës të pafuqishëm,

të cilat verës e bëjnë gati ushqimin për vete;

26 vjedullat kafshë të paaftësi,

që në zgavrra të shkëmbinjve ndërtojnë banesën;

27 karkaleci që mbret s’ka

e të gjithë udhëtojnë të rreshtuar;

28 hardhuca që kapet me dorë

e banon në pallatet e mbretit.

29 Tre qenës ecin me madhëri,

madje katër janë që kanë ecje të bukur:

30 luani, kafsha më e fortë,

që s’trembet të ndeshet ballë për ballë me askënd;

31 gjeli me ijë të ngjeshura e dashi

dhe mbreti kur me vete ka ushtrinë.

32 Nëse e dëftove veten të marrë, pasi u mbajte i madh,

e nëse u kujtove, vërja dorën gojës:

33 sepse kur e tund fort qumështin del tëlyeni,

kush tepër u fryen hundëve del gjak

dhe kush shkakton grindje nxjerr përçarje.



Fjala e Zotit