1 Biri im, mos e harro mësimin tim
dhe zemra jote le t’i mbajë urdhërimet e mia,
2 sepse do t’i bëjnë të shumta ditët e tua,
vitet e jetës sate plot mirëqenie.
3 Mirësia e besnikëria kurrë mos të lënçin!
Lidhi për qafën tënde,
shkruaj mbi rrasën e zemrës sate.
4 Kështu do të fitosh zë e do të kesh sukses
para syve të Hyjit e të njerëzve.
5 Kije shpresën në Zotin me gjithë zemrën tënde
dhe mos u mbështet në mençurinë tënde.
6 Kije mendjen në të në të gjitha udhët e tua
dhe ai do t’i drejtojë hapat e tu.
7 Mos e mbaj vetveten të urtë:
druaje Zotin e largohu të keqes.
8 Kjo do të jetë shëndet për trupin tënd
dhe freskim për eshtrat e tu.
9 Ndero Zotin me pasurinë tënde
dhe me frytet e para të të gjithë të
ardhurave të tua.
10 Drithnikët e tu do të mbushen me grurë
e vozat e tua do të mbushen plot verë.
11 Mos e përbuz, biri im, disiplinën e Zotit
e mos të neveritet kur ai të qortojë,
12 sepse Zoti qorton atë që do,
pikërisht porsi baba fëmijën që e ka për zemër.
13 Lum njeriu që e fitoi urtinë,
i lumi ai që e gjeti maturinë!
14 Sepse më mirë është të fitosh atë se argjend,
fryti i saj është më i vlefshëm se ari i pastër.
15 Është ajo më e çmueshme se të gjitha perlat
dhe me të s’mund të krahasohet asnjë gjë e çmueshme:
16 në të djathtën e saj është jeta e gjatë
e në dorën e majtë pasuria e nderi.
17 Udhët e saja, udhë të bukura,
të gjitha shtigjet e saja me paqe.
18 Kush e fiton atë fiton pemën e jetës,
i lumi ai që mund ta mbajë atë!
19 Me dije Zoti ia qiti tokës themelet,
me mençuri të qëndrueshme i bëri qiejt,
20 me dijen e tij plasën humnerat
edhe retë e rigojnë vesën.
21 Biri im, të mos zhduken këto nga sytë e tu,
ruaje mençurinë e maturinë
22 e do të jenë jetë për shpirtin tënd
e stoli për qafën tënde,
23 e atëherë do të ecësh me guxim udhës sate
e këmba jote nuk do të marrë në thua.
24 Kur të flesh frikë s’do të kesh,
do të pushosh në gjumë të qetë.
25 S’ke pse t’i trembesh tmerrit të papritur
as kur të sulet rrënimi i tmerrshëm i të paudhëve,
26 sepse Zoti do të jetë në krahun tënd
e do ta ruajë këmbën tënde të mos pengohet.
27
Mos lër pa ia bërë veprën e mirë atij që ka nevojë
nëse je në gjendje t’ia bësh.
28 Mos i thuaj mikut tënd: “Shko e eja,
nesër do të jap”, nëse menjëherë je në gjendje t’i japësh.
29 Mos ia sendërgjo mikut tënd të keqen
kur ai rri me ty se të zë besë.
30 Mos u zër me ndokënd pa arsye
në qoftë se ai s’të ka bërë asnjë të keqe.
31 Mos ia ki lakmi njeriut të padrejtë,
dhe assesi mos i ndiq udhët e tija.
32 Sepse Zotit i neveritet çdo i padrejtë
dhe ai bën shoqëri me njerëz të ndershëm.
33 Mallkimi i Zotit është në shtëpinë e të patenzonit,
kurse banesat e të drejtëve do të bekohen.
34 Ai i përqesh përqeshësit,
kurse të butëve u jep përkrahje.
35 Të urtët do të trashëgojnë nderin
kurse lartësimi i të marrëve do të kthehet në turp.