< Fu 22 Fu 24 >
Lexim prej librit të Fjalëve të urta(Fu 23)
23

1

Kur të ulesh të hash në tryezë me ndonjë bujar,

vëreje mirë çka është para teje;

2 vetvetes i vë thikën nën fyt

nëse je përlugëtues,

3 mos u lakmo ushqimeve të tija,

sepse është bukë tradhtuese.

4 Mos u mundo të bëhesh i pasur,

por kënaqu me mençurinë tënde.

5 Posa të kenë pushuar sytë e tu mbi të

ajo do të zhduket:

do t’i rrahë krahët si shqiponja

e do të fluturojë në qiell.

6 Mos ha me njeriun smirëzi

dhe mos u lakmo hajeve të tija

7 sepse ai është ashtu sikurse mendon në vete:

“ha e pi!”, të thotë,

por zemrën s’e ka me ty.

8 Kafshatën që ke ngrënë do ta vjellësh

kot do të shkojnë fjalët e tua të bukura.

9 Mos fol në veshët e të marrit,

sepse do t’i përbuzë fjalët e mësimit tënd.

10 Mos i luaj vendit kufijtë e vejushës

e mos hyr në tokën e bonjakut:

11 sepse Shpaguesi i tyre është shumë i fortë,

ai do ta gjykojë çështjen e tyre kundër teje.

12 Ngjite zemrën tënde pas mësimit

dhe lidhi veshët e tu për fjalët e urtisë.

13 Mos ia kurse fëmijës qortimin,

nëse ia djeg me thupër nuk do të vdesë.

14 Fshikja me një thupër

dhe jetën ia shpëton nga Nëntoka.

15 Biri im, nëse zemra jote do të jetë e urtë,

bashkë me ty do të gëzojë edhe zemra ime,

16 do të galdojnë veshkat e mia

kur buzët e tua të flasin të drejtën.

17 Zemra jote të mos u ketë lakmi mëkatarëve,

por qëndro tërë ditën në frikën e Zotit,

18 sepse do të kesh ardhmëri

dhe shpresa jote nuk do të humbasë

19 Më dëgjo, biri im, dhe ji i urtë,

dhe drejtoje udhës jetën tënde.

20 Mos merr pjesë në gosti me pijaneca

as në tryezë me përlugëtues mishi,

21 sepse pijanecat e të lezhguarit varfërohen

dhe gjumashat do të vishen me zhele.

22 Dëgjo t’atë ‑ prindin tënd,

e mos e përbuz të ëmën kur të plaket.

23 Të vërtetën bleje e mos e shit,

bleje urtinë, mësimin e kuptimin.

24 Brohorit nga gëzimi babai i të drejtit,

kujt i lindi i urti në të do ta ketë gëzimin:

25 Le të gëzojë yt atë dhe jot ëmë,

le të galdojë ajo që të lindi!

26 Falma zemrën tënde, biri im,

dhe mos ia ndaj sjelljes sime sytë e tu:

27 gropë e pafund është lavirja,

pus i ngushtë gruaja e huaj.

28 Ajo rri në pritë porsi vjedhësi

dhe e shumon mes njerëzish numrin e keqbërësve.

29 Për kë: “Vaj!”? Për kë: “Heu!”?

Për kë grindjet? Në kë ankimet?

Për kë plagët pa arsye? Kush sytë i ka të turbullt?

30 Për ata që s’dinë t’i ndahen verës,

e që enden të kërkojnë verë të përzier!

31 Mos e shiko verën kur zverdhon,

kur shkëlqen në gotë ngjyra e saj:

pihet po aq me shije,

32 por në fund të ha si shlligëza,

dhe të plagos porsi nepërka!

33 Sytë e tu do të shohin fantazma,

goja jote do të flasë marrëzira,

34 do të duket se fle në shpinë të detit,

sikur të flesh në majë të direkut të anijes:

35 “Më rrahën, por nuk më dhimbti,

më goditën, por gjë nuk ndjeva.

Kur do të zgjohem... ?

Prapë do ta kërkoj”!



Fjala e Zotit