1 Biri im, nëse i pranon fjalët e mia dhe nëse i ruan në brendinë tënde urdhrat e mi,
2 duke ia vënë veshin urtisë
dhe duke e prirur zemrën tënde për ta njohur mençurinë;
3 nëse patjetër do ta vësh në veprim kuptimin
e nëse do ta ftosh maturinë,
4 nëse do ta kërkosh porsi argjendin,
nëse do ta kërkosh porsi visarin,
5 veç atëherë do ta kuptosh frikën e Zotit
dhe do ta gjesh dijen e Hyjit.
6 Sepse ai që e dhuron urtinë është Zoti
dhe prej gojës së tij del dija e mençuria.
7 Ai e ruan për udhëheqës aftësinë,
mburojë do të jetë për ata që e ndjekin të drejtën.
8 Ai e mbron atë që ecën udhës së drejtësisë,
që i ruan udhët e shenjtërve.
9 Atëherë do ta kuptosh drejtësinë e gjyqin,
të drejtën dhe të gjitha udhët e mira,
10 sepse urtia do të hyjë në zemrën tënde
dhe shpirtit tënd do t’i pëlqejë dija.
11 Maturia do të kujdeset për ty,
mençuria do të të ruajë,
12 do të shmangesh nga udha e keqe
dhe prej njeriut që mëson gabimin,
13 prej njerëzve që e lënë udhën e drejtë,
për të ecur udhëve të errëta,
14 të cilët gëzohen kur mund ta bëjnë të keqen
e kënaqen në punët e veta të mbrapshta;
15 udhët e tyre janë të gabuara
e hapat e tyre janë dijekeqas të këqij.
16 Kështu do të shpëtosh nga gruaja e huaj,
prej të huajës që hollon zërin,
17 që e braktisi zotërinë e rinisë së vet
dhe e harroi besëlidhjen e Hyjit të vet.
18 Sepse shtëpia e saj është kthyer në vdekje,
hapat e saj shpien në mbretërinë e vdekjes;
19 kushdo hyn tek ajo më nuk kthehet,
nuk i gjen më shtigjet e jetës.
20 Prandaj ec udhës të të mirëve
edhe ruaje rrugën e të drejtëve,
21 sepse të drejtët do të banojnë në tokë
dhe të ndershmit do të qëndrojnë në të,
22 kurse të paudhët do të zhduken nga faqja e dheut,
të pabesët do të zhgulen prej saj.