1 Kërkon shkaqe ai që do të ndahet prej mikut,
me çdo kusht hidhërohet.
2 Të marrin nuk e kënaq mençuria,
por vetëm si ia pret mendja e tij.
3 Erdhi ligësia, s’do të vonojë përbuzja,
e, së bashku me poshtërim, edhe turpi.
4 Ujë i thellë fjalët prej gojës së burrit,
lumë i dordullt burimi i urtësisë.
5 Nuk është mirë të përkrahet fajtori
për t’ia mohuar të drejtën në gjyq të pafajshmit.
6 Buzët e të marrit përzihen në grindje
dhe goja e tija shkakton plagë.
7 Goja e të marrit rrënimi i tij,
buzët e tija lak për jetën e tij.
8 Fjalët e shpifësit janë si ëmbëlsira
dhe depërtojnë deri në fund të barkut.
9 Kush është i plogshtë dhe i pakujdesshëm në punë të veta
është vëlla me shkapërderdhësin.
10 Pirg i fortë është Emri i Zotit,
tek ai vrapon i drejti dhe ndahet me nder.
11 Kamja e pasanikut është fortesa e tij,
në mendjen e tij është mur i pakalueshëm.
12 Para fikjes zemra e njeriut krenohet,
kurse lavdisë i prin përvujtëria.
13 Kush përgjigjet para se të ketë dëgjuar
tregon marrëzinë e vet për turpin e vet.
14 Shpirti i burrit e tejkalon ligësinë
por shpirtin e molisur kush mund ta ngritë?
15 Zemra e mençur e fiton urtinë,
dhe veshi i të urtëve e kërkon mësimin.
16 Dhurata udhët ia hap njeriut
dhe e shpie përpara princave.
17 I pari që flet në një pleqëri, duket se ka të drejtë,
por kur vjen kundërshtari i tij, e qet poshtë.
18 Shorti i ndan grindjet,
madje vendos edhe mes të mëdhenjve.
19 Vëllai i fyer është më i fortë se kalaja,
dhe grindjet janë porsi shulat e fortesave.
20 Me frytin e gojës së vet ngihet barku i njeriut,
do ta ngijnë prodhimet e buzëve të tija.
21 Vdekja dhe jeta janë në dorë të gjuhës,
ata që e duan do t’i hanë frytet e saja.
22 Kush ka gjetur grua të mirë, ka gjetur fatbardhësinë,
dhe ka pasur hir prej Zotit.
23 Nevojtari flet duke u lutur,
kurse pasaniku përgjegj me vrazhdësi.
24 Njeriu me miq mund të merret edhe me të keq,
por ka mik edhe më të pandashëm se vëllai.