1 Gruaja e urtë e ndërton shtëpinë,
kurse e marra me duar të veta e rrënon.
2 Kush ecën me drejtësi, e ka frikë Zotin,
kurse ai që ecën udhës së pandershme, urren Atë.
3 Në gojën e të marrit shkopi i krenarisë,
kurse buzët e të urtëve i ruajnë të mençurit.
4 Ku nuk ka qe, grazhdet janë të zbrazëta,
por mbushullì drithi është prej fuqisë së kaut.
5 Dëshmitari i vërtetë nuk gënjen,
gënjen dëshmitari i rrejshëm.
6 Përqeshësi kërkon urtinë e nuk e gjen,
kurse për të mençurin mësimi është i lehtë.
7 Largohu prej të marrit,
sepse s’do të gjesh tek ai buzë të mençura.
8 Urtia e të mençurit është të ruajë sjelljen e vet,
paurtia e të marrit çon në gabime.
9 Të marrët s’i japin rëndësi mëkatit,
kurse ndër të drejtët qëndron hiri.
10 Zemra e njeh mjerimin e vet,
por në gëzimin e saj askush i huaj s’mund të ketë pjesë.
11 Shtëpia e të paudhëve do të rrënohet,
kurse banesa e të drejtëve do të lulëzojë.
12 Ka edhe udhë që njeriut i duket e drejtë,
por në fund ajo shpie në vdekje.
13 Edhe në të qeshur zemra mund të sprovojë dhimbje,
pas gëzimit vjen hidhërimi.
14 I marri shpejt do të ngihet me sjelljet e veta,
por në këtë gjë njeriu i mirë është më i lartë.
15 Thjeshtamani beson gjithçka thuhet,
kurse i urti i ka kudjes hapat e vet.
16 I urti di të druajë e t’i shmanget të ligës,
kurse i marri shkapërcen me besim në vetvete.
17 I padurueshmi bën marrëzira,
njeriu dinak është i urryer.
18 Prona e thjeshtamanëve është marrëzira,
keza e të mençurëve është urtia.
19 Në gjunjë bien të këqijtë para të mirëve,
edhe të patenzonët para dyerve të të drejtëve.
20 Skamnori bëhet i urryeshëm edhe për fqinjin e vet,
kurse pasanikët kanë shumë miq.
21 Kush e përbuz të afërmin e vet, gabon,
kurse kush ka dhimbje për të varfërin, do të jetë i lum.
22 Vallë a nuk gabojnë ata që bëjnë të keqen?
Mëshirë e mirësi do të jetë ndër ata që synojnë të mirën.
23 S’ka mund që nuk jep dobi,
llomotitja me fjalë sjell veç varfëri.
24 Kurora e të urtëve është pasuria e tyre,
të marrët për kurorë kanë marrëzinë.
25 Dëshmitari i vërtetë shpëton shpirtra,
mësalla me dy faqe përhap gënjeshtra.
26 Shpresa e të fortëve në frikën e Zotit,
edhe për bijtë e tij do të jetë strehim.
27 Frika e Zotit është burim jete,
që shpëton nga leqet e vdekjes.
28 Në madhësinë e popullit denjësia e mbretit,
në pakicën e njerëzve rrënimi i prijësit.
29 Njeriu i durueshëm është plot mençuri,
idhnaku qet në shesh marrëzirën e vet.
30 Zemra e shëndoshë jeta e trupit,
smira kalbësim i eshtrave.
31 Kush ndrydh të vobektin çnderon Krijuesin e tij,
kurse e nderon Krijuesin kush mëshiron skamnorin.
32 Sharron i keqi për shkak të keqbërësisë së vet,
kurse i drejti shpreson në ndershmërinë e vet.
33 Në zemrën e të mençurit pushon urtia,
vallë a do të pranohet nga ana e të marrëve?
34 Drejtësia i lartëson popujt,
kurse turpi i popujve është mëkati.
35 I pëlqen mbretit shërbëtori i urtë,
kurse hidhërohet në atë që bën turpësi.