< Tit 3 Heb 1 >
Lexim prej letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filemonit(Flm 1)
1

1

Pali, i burgosuri i Krishtit Jezus dhe vëlla Timoteu:

Filemonit, bashkëpunëtorit tonë të dashur,

2 motrës Api, bashkëluftëtarit tonë Arhipit, si dhe Kishës që bashkohet në shtëpinë tënde:

3 Paçi hir dhe paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Jezu Krishtit Zot!

4 Gjithmonë e falënderoj Hyjin tim kurdo të kujtoj në lutjet e mia,

5 sepse po dëgjoj të flitet mirë për dashurinë tënde dhe për fenë që ke ndaj Zotit Jezus dhe ndaj të gjithë shenjtërve.

6 Pjesëmarrja jote në fe u bëftë e frytshme, në mënyrë që të njihet sa të mira të mëdha bëhen ndër ne për dashuri të Krishtit!

7 Dashuria jote, vërtet, ka qenë për mua gëzim i madh dhe ngushëllim, o vëlla, sepse i ke përforcuar zemrat e shenjtërve.

8 Prandaj, edhe pse e kam lirinë e plotë në Krishtin të të urdhëroj çka të duhet të bësh,

9 më fort po më pëlqen të të drejtohem me lutje në emër të dashurisë, kështu siç jam, unë Pali, plak dhe tani edhe i burgosuri i Krishtit Jezus.

10 Po të lutem për birin tim, të cilin e linda në pranga, për Onezimin,

11 që dikur s’kishte farë vlere për ty, por që tani është shumë i vlefshëm për ty dhe për mua.

12 Po ta dërgoj atë – loçkën e zemrës sime.

13 Desha ta ndal pranë meje që të më shërbejë në vendin tënd këtu në burg ku gjendem për shkak të Ungjillit,

14 por nuk desha të bëj asgjë pa pëlqimin tënd që, vepra e mirë të cilën do ta bësh, mos të të duket se e bëre përdhuni, por vullnetarisht.

15 Ndoshta pikërisht për këtë arsye qe ndarë prej teje për pak kohë që te ti të kthehej për gjithmonë,

16 jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, porsi vëlla i dashur, sidomos për mua dhe aq më tepër për ty, qoftë si njeri dhe qoftë si vëlla në Zotin.

17 Në qoftë se, pra, më mban për shok në fe, pranoje porsi mua!

18 Dhe në qoftë se të ka bërë ndonjë dëm ose të ka gjë borxh, më detyro mua për të gjitha.

19 Po nënshkruhem me dorën time – unë Pali: unë do të paguaj... që të mos të të përkujtoj se edhe ti ma ke një borxh – pikërisht vetveten!

20 Po, o vëlla, ma bëj këtë nder në Zotin! Ma kërthndez zemrën time në Krishtin!

21 Duke qenë i bindur për dëgjesën tënde, të shkrova, plotësisht i mbushur mendjeje se do të bësh edhe më tepër se po të kërkoj.

22 Njëkohësisht ma bëj gati një banesë sepse, në saje të lutjeve tuaja, shpresoj se do t’ju dhurohem.

23 Të bën të fala Epafra, i burgosuri bashkë me mua në Krishtin Jezus,

24 Marku, Aristarku, Dema, Luka, bashkëpunëtorët e mi.

25 Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me shpirtin tuaj!



Fjala e Zotit