< Fil 3 Kol 1 >
Lexim prej letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve(Fil 4)
4

1 Prandaj, vëllezërit e mi të dashur që aq fort ju kam për zemër, gëzimi dhe kurora ime, kështu pra, ‑ qëndroni të fortë në Zotin.

Qortime

2 E porosis Evodinë dhe e përbetoj Sintikën të jetojnë në përkim me Zotin.

3 Po të lutem edhe ty, Shok i dashur, ndihmoju sepse ato luftuan bashkë me mua për Ungjill, së bashku me Klementin dhe me bashkëpunëtorët e mi, emrat e të cilëve gjenden në “librin e jetës”.

4 Gëzohuni gjithmonë në Zotin, rishtas po ju them: gëzohuni!

5 Mirësinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit! Zoti është afër!

6 Për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka ‑ me lutje dhe me lutja të përcjella me falënderim ‑ paraqitjani Hyjit nevojat tuaja!

7 Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlefshme se mund ta mendojmë, do t’i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus.

8 Së fundi, o vëllezër, mundohuni të keni për zemër gjithçka është e vërtetë, gjithçka është e ndershme, gjithçka është e drejtë, gjithçka është e pastër, gjithçka është e shenjtë, gjithçka është e denjë për dashuri, gjithçka është e denjë për lavdi, gjithçka është virtyt.

9 Çka keni mësuar, çka keni marrë, çka keni dëgjuar dhe parë në mua ‑ atë bëni ‑ dhe Hyji që jep paqen do të jetë me ju.

Falënderim filipianëve për ndihmat

10 Jam tejet i gëzuar në Zotin, pse kujdesi juaj ndaj meje mundi së fundi të lulëzojë. Vërtet, ju edhe më parë keni menduar të kujdeseni për mua, por nuk keni pasur rast.

11 Nuk po them kështu për arsye të s’kamjes, sepse ju e dini se unë jam mësuar të jem i kënaqur me aq sa kam.

12 Di të jetoj në skamje

dhe di të jetoj në pasje.

Jam mësuar gjithsesi dhe për gjithçka:

të ngihem e të jem i uritur,

të kem mjaft e të kem pak!

13 Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi!

14 Por, prapëseprapë, është bukur për ju që morët pjesë në nevojën time.

15 Po edhe ju, o filipianë, e dini mirë se në fillim të predikimit të Ungjillit, kur u nisa prej Maqedonisë, asnjë kishë nuk më dha gjë lidhur me “të dala e të marra”, përveçse vetëm ju.

16 Madje edhe në Selanik kur isha në nevojë, më dërguat ndihma një herë e dy herë. l7 Jo, nuk kërkoj dhurata, por kërkoj fryt të begatshëm në dobinë tuaj.

18 Kam gjithçka më duhet, madje edhe për së tepërmi: jam plot me çdo të mirë që mora prej Epafroditit, çka ju më dërguat: “erë e mirë” ‑ fli e erëndshme që i pëlqen Hyjit.

19 Dhe Hyji im do të plotësojë çdo nevojë tuajën me begatinë e vet, për mrekulli, nëpër Jezu Krishtin.

20 Hyjit, Atit tonë, i qoftë çdo lavdi në shekuj të shekujve. Amen.

Përshëndetjet e fundit

21 Përshëndetni çdo shenjt në Jezu Krishtin!

Vëllezërit që janë me mua ju bëjnë të fala.

22 Ju bëjnë të fala të gjithë shenjtërit, sidomos ata që janë të pallatit të perandorit.

23 Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me shpirtrat tuaj!



Fjala e Zotit