1 Atëherë bërtiti me një zë të fortë në veshët e mi e më tha: “U afruan ndëshkimet e qytetit! Secili le ta ketë në dorë veglën e vrasjes!”
2 Dhe ja, gjashtë vetë po vinin nga dera e lartë, nga ajo që shikon drejt veriut, e secili mbante në dorën e vet armën e goditjes. Mes tyre ishte një tjetër njeri i veshur me petka të linjta e veglat e shkrimit i kishte në brez. Hynë dhe zunë vend përbri lterit të tumbakët .
3 Lavdia e Hyjit të Izraelit, nga kerubini, mbi të cilin pushonte, u ngrit në drejtim të pragut të Tempullit dhe e thirri burrin që ishte i veshur me të linjta dhe që i kishte veglat e shkruesit në brez.
4 Zoti i tha: “Kalo përmes qytetit nëpër Jerusalem dhe shënoje një “tau” mbi ballin e atyre njerëzve që ofshajnë dhe dënesin për shkak të të gjitha këtyre turpësive që po bëhen në mes të Jerusalemit.”
5 Kurse atyre të tjerëve u tha ‑ e dëgjova vetë ‑: “Kaloni nëpër qytet e shkoni pas tij dhe goditni: syri juaj të mos ketë dhimbje e mos kini mëshirë:
6 vritni plak e të ri, vajzë, foshnjë e grua, tretuani farën; por ruajuni se vritni ndonjë prej atyre që e kanë shenjën “tau”. Nisjani nga Shenjtërorja ime!” Ia filluan, pra, nga pleqtë që ishin para Tempullit.
7 Atëherë u tha: “Dhunojeni Tempullin! Mbusheni oborrin me të vrarë! Dilni!” Ata dolën e i vrisnin ata që ishin në qytet.
8 Tashti, ndërsa ata po vrisnin, unë mbeta vetëm, rashë me fytyrë përdhe e thashë: “Heu, o Zot Hyj! A po ia humb farën edhe tepricës së Izraelit, duke e zbrazur hidhërimin tënd mbi Jerusalem?”
9 E ai m’u përgjigj: “Paudhësia e shtëpisë së Izraelit e të Judës është për së tepërmi e madhe; mbarë toka është mbushur me gjak, kurse qyteti është plot me padrejtësi. Sepse ata thanë: ‘E ka braktisur Zoti vendin, Zoti nuk sheh!’;
10 prandaj as syri im s’do të ketë dhimbje e nuk do të mëshiroj: do t’u kërkoj përgjegjësi për sjelljen e tyre.”
11 Dhe ja, ai njeri i veshur me të lintja e që në brez kishte veglat e shkrimit, u përgjigj e tha: “Kreva çka më ke urdhëruar.”