< Ez 35 Ez 37 >
Lexim prej librit të Ezekielit(Ez 36)
36

1 “Tashti, biri i njeriut, profetizo mbi

bjeshkët e Izraelit e thuaj: Bjeshkët e Izraelit, dëgjojeni fjalën e Zotit.

2 Kështu thotë Zoti Hyj: Meqenëse tha armiku juaj për ju: ‘Ah! Ah! Bjeshkët e amshueshme u bënë prona jonë’!

3 Prandaj profetizo e thuaj: Kështu thotë Zoti Hyj: Pasi keni qenë shpartalluar e përndjekur prej fqinjëve tuaj për t’u bërë pronë e popujve të tjerë e pasi u bëtë përralla e gjuhëve shpifëse e shenjë turpi për popullin,

4 prandaj, o malet e Izraelit, dëgjojeni fjalën e Zotit: Kështu u thotë Zoti Hyj maleve, kodrave, përrenjve e vërrive, vendeve të shkretuara e qyteteve të mbetura shkretë, që u shpopulluan e u bënë shenjë përqeshjeje për popujt e tjerë përreth.

5 Mirë, pra, kështu thotë Zoti Hyj: Me zemërim të ndezur flakë po përbetohem kundër popujve të tjerë e kundër mbarë Idumit, që e morën tokën time për pronë të vetën, me gëzim e me gjithë zemër e me gjithë shpirt të lig që t’i përmbysin kullotat e tij.

6 Prandaj, parafol për tokën e Izraelit e thuaju maleve, kodrave, përrenjve e luginave: Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, po përbetohem me xhelozi e me zemërim: pse ju desh të duroni poshtërim e përbuzje prej paganëve,

7 prandaj, kështu thotë Zoti Hyj: unë e ngrita dorën time në përbetim: popujt që janë përreth jush ata vetë do ta mbartin turpin e vet.

8 E ju, o bjeshkët e Izraelit, lëshoni shatorr gemat tuaj e bëni fryte për popullin tim Izraelin, sepse është afër, po vjen!

9 Ja, unë po vij tek ju, kah ju po sillem! Do të lëvroheni e do të mbilleni.

10 Do t’ju shtoj me njerëz ‑ mbarë shtëpinë e Izraelit, qytetet do të mbushen me banorë e rrënojat do të përtërihen.

11 Do t’ju mbush me njerëz e me bagëti: do të shtohen e do të shumohen. Do të bëj të keni banorë si më parë, do t’ju bëj të mira më tepër se më parë e ju do ta dini se unë jam Zoti.

12 Do t’i sjell te ju njerëzit ‑ popullin tim Izraelin e do të bëhesh prona e tyre, trashëgimi i tyre e më nuk do t’ua shuash fëmijët.

13 Kështu thotë Zoti Hyj: Pasi thonë për ju: ‘Është toka që i përpin njerëzit dhe që popullit ia shuan farën’,

14 ja, pra, ti më s’do t’i përpish njerëzit dhe më nuk do t’ia tretësh farën popullit tënd ‑ është fjala e Zotit Hyj.

15 S’do të lejoj më kurrë që ta dëgjoj poshtërimin e paganëve mbi ty, kurrë më nuk do ta mbartësh turpin e popujve kundër teje dhe popullin tënd kurrë më nuk do ta lësh pa fëmijë ‑ thotë Zoti Hyj.”

16 Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha:

17 ”Biri i njeriut, kur shtëpia e Izraelit banonte në tokën e vet, e pati përdhosur atë me sjelljen e vet e me veprat e veta: sjellja e tyre ishte para syve të mi porsi papastërtia e gruas së papastër.

18 Unë atëherë e zbraza zemërimin tim mbi ta për shkak të gjakut që derdhën përmbi tokë dhe për shkak të idhujve, me të cilët e ndotën.

19 I shpërndava ndër paganë dhe i treta në vende të ndryshme: i dënova sipas sjelljes së tyre dhe sipas veprave të tyre.

20 Por edhe në popujt, ndër të cilët u shpërndanë, te të cilët shkuan, e përdhosën emrin tim të shenjtë, sepse flitej për ta: ‘Ky është populli i Zotit e iu desh të dalë prej tokës së tij!’

21 Por unë pata nderim për emrin tim të shenjtë që e çnderoi shtëpia e Izraelit në popujt ndër të cilët shkoi.

22 Prandaj, kështu thuaji shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyj: S’e bëj këtë për ju, o shtëpia e Izraelit, por për shkak të emrit tim të shenjtë, që u çnderua në popujt te të cilët shkuat.

23 Unë do ta shenjtëroj emrin tim të madhërueshëm, të cilin ju e çnderuat ndër popuj, e ndotët në mesin e tyre, që paganët ta dinë se unë jam Zoti ‑ thotë Zoti Hyj, kur të dëftohem i shenjtë ndër ju e para syve të tyre.

24 Do t’ju heq prej paganëve e do t’ju bashkoj nga të gjitha vendet dhe do t’ju sjell në vendin tuaj.

25 Atëherë do të zbraz mbi ju një ujë të pastër dhe do të pastroheni nga të gjitha ndyrësitë tuaja. Do t’ju pastroj nga të gjithë idhujt tuaj!

26 Unë do t’ju jap një zemër të re, një shpirt të ri do ta fus në ju, do ta nxjerr nga mishi juaj zemrën e gurtë e do t’ju jap një zemër mishi.

27 Shpirtin tim do ta fus në ju e do të bëj që të ecni urdhërimeve të mia e t’i zbatoni e t’i vini në veprim gjyqet e mia.

28 Do të banoni në tokën që ua dhurova etërve tuaj: ju do të jeni populli im e unë do të jem Hyji juaj.

29 Unë do t’ju pastroj nga të gjitha ndyrësitë tuaja. Do ta thërras grurin e do të bëj të bëhet me shumicë e më s’do t’ju ngarkoj me uri!

30 Do ta shumoj frytin e pemëve e prodhimet e arave, që të mos e pësoni më ndër popuj marren e urisë.

31 Atëherë do t’ju bjerë ndër mend sjellja juaj tejet e keqe e veprat tuaja jo të mira e do t’ju bëjnë neveri paudhësitë tuaja e poshtërsitë tuaja.

32 Mirë dijeni, nuk e bëj këtë për hatër tuaj ‑ thotë Zoti Hyj ‑ duhet t’ju vijë turp e të skuqeni, shtëpia e Izraelit, për sjelljen tuaj!

33 Kështu thotë Zoti Hyj: Ditën kur t’ju kem pastruar nga të gjitha ndyrësitë tuaja e të kem bërë të banohen qytetet e të ripërtëriten rrënojat,

34 e kur toka e lënë djerr të jetë punuar, toka që dikur qe lënë e shkretë në sy të të gjithë kalimtarëve,

35 do të thonë: ‘Toka e mbetur shkretë u bë kopsht i Edenit, po banohen qytetet e mbetura shkretë, të rrënuara e të rrafshuarat po rindërtohen’.

36 Popujt do ta dinë, të gjithë ata që do të mbesin rreth jush, se unë Zoti i rindërtova të rrënuarat dhe i mbolla djerret. Thashë unë Zoti dhe ashtu do të bëj!

37 Kështu thotë Zoti Hyj: Edhe në këtë gjë do të lejoj t’i vështrohet prej meje popullit të Izraelit kërkesa në të mirën e tij: Do t’ia shtoj njerëzit porsi grigjat,

38 porsi grigjë të shuguruar, porsi grigjën e Jerusalemit në festimet e tij. Kështu qytetet e rrënuara do të mbushen plot e përplot me njerëz dhe do ta dinë se unë jam Zoti.”



Fjala e Zotit