< Ez 34 Ez 36 >
Lexim prej librit të Ezekielit(Ez 35)
35

1 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2 “Biri i njeriut, sillu me fytyrë kah mali Seir, profetizo kundër tij e thuaj:

3 Kështu thotë Zoti Hyj:

Ja, po sulem kundër teje, o mali Seir,

po e çoj dorën time kundër teje,

do të të shuaj e do të të shkretoj!

4 Do t’i shkretoj qytetet e tua

e ti do të bëhesh shkretëtirë:

atëherë do ta dish se unë jam Zoti.

5 Pasi i urreve vazhdimisht bijtë e Izraelit e i preve me shpatë ditën e ngushticës së tyre, ditën e fundit të keqbërësisë së tyre:

6 prandaj, pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ unë do të të qes në gjak e gjaku do të të ndjekë: pasi s’pate bezdi prej gjakut, gjaku do të të përndjekë!

7 Do ta shuaj malin Seir e do ta bëj të shkretë: prej tij askush s’do të dalë as s’do të kthehet,

8 malet e tij do t’i mbush me të vrarët e tij: të vrarët e tu do të bien prej shpatës në kodrat e tua, në luginat e tua e në të gjithë përrenjtë e tu.

9 Do të të bëj shkretëtirë të përhershme, qytetet e tua nuk do të banohen e do ta dini se unë jam Zoti.

10 Ti pate thënë: ‘Këta dy popuj e këto dy vende do të jenë të miat: do t’i kem për pronë, ’ megjithëse Zoti ishte aty,

11 prandaj, pasha jetën time ‑ thotë Zoti Hyj ‑ edhe unë do të veproj me zemërim të tmerrshëm sikurse ti veprove me mëri e me urrejtje kundër tyre dhe do të zbulohem ndër ta kur të të kem gjykuar ty.

12 Do ta dish se unë Zoti i dëgjova të gjitha të sharat e tua që i the kundër maleve të Izraelit: ‘U shkretuan, neve na u dhanë t’i hamë!’

13 U kacagjeluat kundër meje e folët me gojën tuaj kundër meje fjalët tuaja: unë vetë i dëgjova!

14 Kështu thotë Zoti Hyj: Për kënaqësinë e mbarë tokës ty do të të bëj shkretëtirë!

15 Sikurse u gëzove për trashëgimin e shtëpisë së Izraelit, pse qe shpartalluar, po ashtu do të bëj me ty, do të rroposesh, o bjeshka e Seirit, dhe mbarë ti, o Idum, e do ta dinë se unë jam Zoti!”



Fjala e Zotit