1 Të dymbëdhjetin vit, të dymbëdhjetin muaj, të parën ditë të muajit më qe drejtuar fjala e Zotit e më tha:
2 “Biri i njeriut, nisja vajtimit mbi faraonin, mbretin e Egjiptit e thuaj:
Sharrove, luani i popujve!
Ishe si krokodili në ujë,
turfulloje nëpër lumenjtë e tu!
Me këmbët e tua turbulloje rrjedhën,
i turbulloje përrenjtë e tij!
3 Kështu thotë Zoti Hyj:
Do ta hedh mbi ty unë rrjetën,
bashkë me mbledhjen e shumë popujve,
jashtë do të të nxjerrin me rrjetën time.
4 Do të të hedh përjashta në tokë
do të të lë mu në terik.
Do të lëshoj mbi ty të gjithë shpendët e qiellit,
egërsirat me ty do t’i ngij.
5 Mishin tënd do ta shpërndaj në male,
me stërvinën tënde lugjet do t’i mbush.
6 Do të ujis tokën me qelbësirë
të gjakut tënd të derdhur ndër male,
humnerat me ty do të mbushen!
7 Kur të jesh sosur do të mbuloj qiellin,
do t’i errësoj yjet e tij:
me re diellin do ta zë
edhe hëna dritë s’do të bëjë,
8 prej mjerimit tënd dritë s’do të bëjnë yjet,
tokën tënde me terr do ta mb’loj,
thotë Zoti Perëndi.
9 Do ta përmalloj zemrën e popujve të shumtë kur ta përhap lajmin e rrënimit tënd ndër popuj, në vende që ti s’i njeh.
10 Do të bëj të mbesin të habitur mbi ty popuj të shumtë, mbretërit e tyre do t’i kapë frikë e madhe për shkak tëndin, kur ta kem nxjerrë shpatën time ndër sy të tyre. I tmerruar shtang do të mbesë secili për jetën e vet ditën e rrënimit tënd.
11 Sepse kështu thotë Zoti Hyj:
Mbi ty do të bjerë shpata e mbretit të Babilonit.
12 Popullin tënd do ta vras me shpatën
e trimave, të popujve më të egjër:
ata do ta shkatërrojnë krenarinë e Egjiptit,
do të zhbihet gjithë pasuria e tij.
13 Do të mbarojë gjithë bagëtia e tij
ndër vërrijet e ujërave të mëdha;
s’do t’i trazojë më këmbë njeriu,
s’do t’i shkelë më thundër gjedhi.
14 Atëherë të kthjellta do t’i bëj ujërat e tyre,
lumenjtë e tyre porsi vaj do të rrjedhin
‑ është fjala e Zotit.
15 Kur Egjiptin ta kem bërë shkretëtirë,
të zhveshur nga gjithçka ka,
kur t’i godas të gjithë banorët e tij,
do ta dinë se unë jam Zoti.
16 Ky është vajtim e do ta vajtojnë. Bijat e popujve do të vajtojnë; do ta vajtojnë mbi Egjiptin e mbi popullin e tij ‑ thotë Zoti Hyj.”
Zbritja e faraonit në Nëntokë
17 Më pesëmbëdhjetë të muajit të parë të të dymbëdhjetit vit më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
18 “Biri i njeriut, filloja këngës së vajtimit mbi banorët e Egjiptit! Shtyji ata e bijat e popujve të fortë në krahinën e Nëntokës bashkë me ata që zbresin në gropë.
19 Më i bukur se kush je ti?
Zbrit e fli me të parrethprerë!
20 Do të bien me ata që i shkurtoi shpata. Shpata u dha: le të plandoset me të gjithë popujt e vet!
21 Trimat e trimave në mes të ferrit do të flasin me të e me ndihmësit e tij që u plandosën: ‘Heshtin të parrethprerët që shpata i korri.’
22 Aty Asiria e mbarë populli i saj, përreth tij varret e saj, të gjithë të prerë që i korri shpata.
23 Varret e tyre janë në fundin e ferrit, turma e tyre është rreth varrit të tij: të gjithë të vrarë, nga shpata të prerë që, dikur, mbarë botës së të gjallëve i shtinë tmerrin!
24 Aty Elami e mbarë populli i tij rreth e rreth varrit të tij. Të gjithë këta prej shpatës të prerë, zbritën në krahinën e të vdekurve të parrethprerë, që dikur ia shtinë tmerrin botës së të gjallëve, por e morën çnderimin e vet bashkë me ata që zbresin në ferr.
25 Mes të vrarëve ia vunë shtrojën, atij edhe popullit të tij përreth varrit të tij ‑ të gjithë të parrethprerë prej shpatës të korrur: ishin dikur tmerr në tokën e të gjallëve, tashti e bartin çnderimin e vet me ata që zbresin në dhe të zi ‑ janë vendosur ndër të vrarë.
26 Aty është Mosoku, Tubali e mbarë populli i tij rreth e rreth varrit të tij ‑ të gjithë të parrethprerë prej shpatës të korrur, që dikur ishin tmerri i tokës së të gjallëve.
27 Nuk pushojnë me trima që dikur ranë dhe me armë zbritën në krahinën e të vdekurve e i vunë armët nën koka të veta dhe i kishin shqytat mbi eshtra të vet, sepse ishin tmerr për trima në tokën e të gjallëve.
28 Edhe ti do të shkrihesh e do të flesh në mes të të parrethprerëve prej shpatës së të prerëve.
29 Aty është Idumeja, mbretërit e saj e princat e saj: edhe pse trima, ata shtrihen në mes të të prerëve prej shpatës dhe flejnë me të parrethprerë, me ata që zbritën në gropë.
30 Aty janë princat e Veriut e të gjithë sidonët. Edhe ata zbritën me të prerë, megjithëse ishin tmerr për kah trimëria. Edhe ata flejnë të parrethprerë bashkë me ata që i korri shpata dhe mbajnë çnderimin e vet me ata që zbritën në dhe të zi.
31 Do t’i shohë faraoni e do të gëzohet për gjithë këtë shumicë të madhe. Janë të prerë me shpatë të faraonit e të mbarë ushtrisë së tij ‑ është fjala e Zotit,
32 sepse e shtieva tmerrin tim në tokën e të gjallëve. Është i plandosur në mes të të parrethprerëve me të vrarët e shpatës së faraonit ai dhe mbarë populli i tij ‑ është fjala e Zotit.