< Ez 30 Ez 32 >
Lexim prej librit të Ezekielit(Ez 31)
31

1 Të njëmbëdhjetin vit, të tretin muaj, të parën ditë të muajit, më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:

2 “Biri i njeriut, thuaji faraonit, mbretit të Egjiptit, e krenarisë madhështore të tij:

Kujt i përngjan në madhështinë tënde?

3 Je si bredh, porsi cedri i Libanit,

me gema të bukur, me gjethe të njoma,

me shtat të lartë;

maja ndër re i ka arritur!

4 E ushqyen ujërat,

e rriti humnera,

lumenjtë e tij rridhnin

gjithreth rrënjëve të tij,

përrenjtë i lëshoi

përreth të gjitha pemëve të fushës!

5 Prandaj edhe u rrit i lartë

përmbi të gjitha pemët e fushës,

u shumuan degët e tij

morën lart gemat e tij,

sepse ujët kurrë s’i mungoi.

6 Kur e shtriu hijen e vet,

në degët e tij i bënë foletë

të gjithë fluturakët e qiellit,

e nën gema plot me gjethe

egërsirat e fushës pollën,

e nën hije të tij banonin

popuj të shumtë!

7 Ishte i hijshëm në madhëri të vet,

në shtrirjen e degëve të veta,

sepse rrënjët e veta i kishte

përbri ujit që s’mungon.

8 Porsi ai cedra të tjerë s’ishin,

në parajsën e Perëndisë,

bredhat s’mund të krahasoheshin

as edhe me gemat e tij,

s’qenë çinarët të barabartë

me degët e njoma të tij:

asnjë pemë e parajsës së Hyjit

s’mund të matej me bukurinë e tij:

9 Shumë të bukur e kisha bërë

me degë të shumta edhe të shpeshta:

e lakmonin të gjitha pemët e Edenit,

që kishte parajsa e Hyjit.

10 Prandaj kështu thotë Zoti Hyj: Pse u krenua për rritjen e vet e pse arriti maja deri ndër re e pse iu rrit mendja për lartësinë e vet,

11 do ta lë në dorë të një prijësi pagan tejet të fuqishëm dhe do të sillet me të sipas fajësisë së tij. Vetë e shfarosa.

12 Të huajt ‑ më të dhunshmit e paganëve, do ta presin; do ta hedhin përtokë, gemat e tij do të bien nëpër lugina, degët e tij do të copëtohen nëpër gremina, nga hija e tij do të largohen të gjithë popujt e botës, do ta lënë!

13 Mbi trupin e tij do të ulen

të gjithë fluturakët e ajrit,

ndër gemat e tij do të struken

mbarë egërsirat e fushës,

14 që me lartësinë e vet të mos krenohet asnjë pemë e mbirë bri ujit dhe të mos e ngrejnë majën e vet ndër re dhe që asnjë pemë që pi ujë të mos krenohet me lartësinë e vet, sepse

të gjitha i nënshtrohen vdekjes,

të hedhura në Nëntokën e tokës, mes bijve të njerëzve,

tek ata që kanë zbritur në ferr.

15 Kështu thotë Zoti Hyj: Ditën kur zbriti në Nëntokë unë bëra të bëhet gjëmë: për të e mbulova Humnerën dhe i ndala lumenjtë, i pengova ujërat e mëdha; në zi e vesha Libanin, u lëkundën të gjitha pemët e fushës.

16 Në rropamën e rënies së tij, u trandën popujt, kur e shpura atë në ferr me ata që zbritnin në Nëntokë. U gëzuan në Nëntokë të gjitha pemët e Edenit, më të përmendurat e më të zgjedhurat e Libanit, mbarë të gjitha që u ujitën.

17 Sepse edhe ato së bashku me të zbritën në ad te të prerët me shpatë dhe te ndihmësit e tyre, që rrinin nën hijen e tij në mes të paganëve.

18 Kujt i përngjan, o më e përmendura e më e hijshmja, ndër pemët e Edenit? Dhe, ja, u hodhe me pemët e Edenit në krahinat e Nëntokës! Do të flesh në mes të parrethprerëve, me ata që shpata i preu! Ky është faraoni dhe mbarë populli i tij ‑ thotë Zoti Hyj.”



Fjala e Zotit